Edhe pse vetëm 25 vjeç, bota e spektaklit nuk e tremb. Sokol Guga është regjisori i ri që ditaditës po habit me ambicien për të bërë karrierë në një botë të egër. Energjik, me këmbë në tokë, por edhe shumë i sinqertë, Sokoli na flet për fillimet e tij, sfidat e para që ka hasur si dhe kënaqësinë që ekrani i jep. Megjithatë nuk do që të quhet VIP, por një artist i mirëfilltë. E pasi ka provuar disa evente të rëndësishme, do t’i rikthehet skenës me një mbrëmje bamirësie, për të qenë më pranë njerëzve në nevojë.

Kush është Sokoli, si u bëre pjesë e botës së televizionit?
Sokol Guga është një djalë shumë pasionant. E kam dashuruar këtë botë që i vogël, kur nuk e dija se çfarë ishte spektakli. Në vitin 1999, kujtoj që për herë të parë kam parë në televizion Vera Grabockën dhe jam ngritur në mes të shtëpisë duke thënë “Unë dua të bëhem si kjo zonja këtu”, pa e ditur fare konceptin e regjisë. Mundohesha ta përshtatja talentin tim, me spektaklet e vogla që organizonim poshtë pallatit, te shkallët. E kam dashur shumë, kam luftuar shumë për të arritur këtu ku jam. Kam studiuar 8 vite për balet, shkollën e lartë e kam bërë për aktrim, ndërsa masterin për regji teatri dhe spektakli. Të tria këto gjini më kanë shërbyer për të ecur para në këtë profesion.

Si t’u duk kur e preke nga afër këtë botë?
Me kohën kupton që organizimi ndryshon në formë dhe në përmbajtje. Në radhë të parë punon me profesionistë, në radhë të dytë ke edhe buxhete të mëdha në atë çfarë ti bën, dhe e fundit, ke një televizion që të ndjek, e ke media-partner. Duke mos konsideruar këtu sadisfaksionin, që është me të vërtetë shumë i madh.

A është e egër bota e spektakleve?
Është shumë e egër, njëlloj si bota e politikës. Megjithatë është një botë me shumë emocione.

Çfarë ka të përbashkët një VIP me një politikan?
Mashtrimet; një VIP gënjen si një politikan, thuajse në gjithçka. Ndoshta është mënyra e vetme për të arritur diçka që ti do. Sot kur e shikon veten, çfarë ke arritur përgjatë gjithë jetës, karrierës suaj? Kam arritur të organizoj spektakle të tilla që moshatarët e mi s’do t’ia dilnin kurrë. Ndoshta edhe profesionistët e vërtetë dhe ata që të gjithë ne i njohim, nuk do të mundeshin dot t’i realizonin; është e paimagjinueshme për shumicën.

A ke konkurrencë, pasi janë shtuar shumë regjisorët që tentojnë me spektaklet dhe eventet e ndryshme?
Deri më sot nuk njoh konkurrentë.

Cilat janë ato evente apo spektakle të cilat i prezanton me krenari si produksione të tuat?
Unë çdo spektakli i kam dhënë rëndësinë e duhur. Nuk kam abuzuar, nuk i kam tradhtuar ndonjëherë aktivitetet e mia. Unë spektaklet i shoh si krijesa që rriten dhe vdesin brenda natës. I kam dhënë çdo projekti rëndësinë e duhur, për të pasur edhe rezultatin që përfundimisht ka pasur.

Me çfarë po merresh aktualisht, çfarë eventi po përgatit?
Aktualisht jam në përfundim të një programi me histori njerëzore. Kam dhjetë muaj që po punoj me të. Kam nisur që pas përfundimit me sukses të spektaklit “Krishtlindje në Tiranë”. Mendova që duhet të bëj patjetër një tjetër projekt me histori njerëzore.

E ke menduar veten në një hapësirë tënden mediatike, pse jo çdo javë në transmetim?
Të them të drejtën nuk e kam menduar akoma. Jam shumë i kënaqur me projektet që risjell herë pas here në skenë. Më japin më shumë kohë, më shumë dëshirë për t’i bërë gjërat pa ngut.

Je zhgënjyer ndonjëherë nga kjo botë?
Absolutisht jo! Nëse do të zhgënjehesha ndonjëherë, do hiqja dorë. Unë jam njeri shumë pasionant, luftoj për atë që dua, ndaj kurrsesi s’ka si të më zhgënjejë.

Si është jeta e Sokolit larg spektakleve, e përditshmja juaj?
Sokoli nuk rri asnjëherë pa punë. Edhe kur jam me pushime mendoj për punën, për spektaklet. Më ndodhi që këtë vit isha me pushime në Greqi, dhe thuajse të gjithë punën e kam bërë që andej: telefonata, e-maile, thuajse gjithçka e përgatita që andej.

A e quan veten VIP?
Jo, dhe nuk dua të quhem VIP. Unë jam artist dhe i tillë dua të mbetem. Sot VIP mund të bëhet edhe një kriminel. A ke idhuj? Patjetër që po! Vera Grabocka është idhulli im në këtë botë.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: