‘News24’ dhe ‘BalkanWeb’ zbardhin vendimin e lirimit nga burgu të Viktor Ymerajt, një nga njerëzit më problematikë në Vlorë, i njohur me nofkën “Tori i Xhihanës”.
Gjyqtarja Kapedani ka pranuar kërkesën e Viktor Ymerit për njohje të ditëve të punës që ai ka kryer në burgun e peqinit me qëllim uljen e kohës së dënimit dhe sipas saj nga përllogaritjet rezulton se ai ka vuajtur periudhën e dënimit të dhënë. Gjyqtarja ka hedhur poshtë pretendimet e organit të akuzës se ky vendim nuk mund të ekzekutohet pasi është ankimuar dhe nuk ka marrë formë të prerë.
Kapedani argumenton se njohja e ditëve të punës duke i konvertuar në burg në ulje dënimi është një vendim që lidhet drejtpërdrejtë me lirinë personale dhe është menjëherë I ekzekutueshëm pasi Viktor Ymeri e ka plotësuar vuajtjen e dënimit që në 4 shtator të 2019-ës. Madje gjykatësja e Elbasanit shprehet në vendim se edhe pse Viktor Ymeri ka kryer vrasje të dyfishtë, udhëhiqet nga parimi kushtetutës se të gjithë janë të barabartë përpara ligjit.
Bazuar në këto fakte gjykata e Elbasanit me firmën e gjyqtares Enkelejda Kapedani ka vlerësuar se kërkesa e të dënuarit Viktor Ymeri për shuarjen e dënimit pas punës në burg është e bazuar në ligj dhe prova. Por prokuroria e Elbasanit e ka ankimuar vendimin duke kërkuar rikthimin në qeli të Viktor Ymerit, I njohur edhe si anëtar i bandës së Gaxhait, me nofkën “Torri i Xhihanes”. Ai është daja i Edison Harizaj, i cili u vra në një atentat në Durrës.
Ymeraj ka qenë në burgun e Burrelit dhe së fundmi ishte në burgun e Peqinit. Ky personazh është dënuar për 2 vrasje të kryera më 1999, si anëtar i bandës së Gaxhait. Banda e Gaxhait ka qenë kundërshtare me bandën e Zani Caushit. Ymeri është daja i Edison Harizaj, i ekzekutuar në Durrës, atentat që nuk është zbardhur ende.
Kush është Viktor Ymeri
Viktor Ymeri njihet si një nga njerëzit problematikë në Vlorë, dhe që ka lidhje miqësie e farefisnie me Edison Harizaj, i ekzekutuar para disa kohësh në Durrës. Në të njëjtën kohë Viktor Ymeri konsiderohej nga policia dhe prokuroria si një nga njerëzit më të afërt të Gazmend Brakës. Ky i fundit (Gaxhai) në qershor të vitit 1999, ka ekzekutuar bashkë me Ymerin me dhjetra plumba kallashnikovi Arben Pajën dhe Ilir Xhungën, të cilët ishin pjesë e një fraksioni tjetër kriminal në Durrës.
Fillimisht Paja dhe Xhunga të cilët po udhëtonin me një furgon tip “Citroen” në afërsi të Drejtorisë së Policisë Durrës, janë qëlluar me një predhë kundërtanku, e cila edhe pse ka prekur parakolpin e furgonit, fatmirësisht nuk ka plasur. Pas kësaj, mbi Pajën dhe Xhungën janë derdhur breshëri automatiku kallashnikovi, të cilat vinin nga katër krahë, duke i lënë të vdekur në vend.
Për këtë ngjarje policia e Durrësit në atë kohë arrestoi brenda shtëpisë së një doktori në Durrës, Gazmend Brakën dhe Viktor Ymerin. Policia e Vlorës tha në atë kohë se dyshohet se Ymeri të jetë dhe daja i Edison Harizaj, i vrarë me rreth 50 plumba në ngjarjen e 7 nëntorit 2018 në zonën e Plepave në Durrës. Harizaj dhe shoku i tij Genci Caci u qëlluan vetëm 7 ditë pasi Gjykata e Apelit në Durrës projektoi lirimin nga qelia të të afërmit të tyre. Viktor Ymeri u dënua me 25 vite burgim nga Gjykata e Apelit.
Mirëpo koha e përllogaritjes së shlyerjes së këtij dënimi, sipas gjykatës së Apelit, Viktor Ymerit, i fillon në 29 qershor 1999, dhe që prej kësaj dite e deri më tani, pjesa më e madhe e dënimit prej 25 viteve burgim thuajse se është kryer.
(BalkanWeb)
