TIRANE- Vajza nga Tirana u shndërrua në kryefjalën e opinionit publik, teksa fitoi betejën me kancerin. Sot Ambra gëzon shëndet të plotë dhe është ndër shembujt më pozitivë. Në intervistën dhënë për “Vip Pages” të “Gazetës Shqiptare”, ajo na rrëfen se ishte dëshira për të jetuar, ajo që e motivonte
përditë e më shumë. Megjithatë, gjithçka i përket të shkuarës, sepse Ambra këtë sezon është
ndër konkurrentet më të forta në “Dancing With the Stars”. “Por ja që pas një të keqeje vijnë
shumë të mira”, na rrëfen ajo, duke u shprehur se në këtë sfidë kërkon që ta shijojë deri në fund
dhe të fitojë kupën. Marrëdhëniet me meshkujt i ka të shkëlqyera, edhe pse ende nuk e ka gjetur
të duhurin.
Ambra në “Dancing With The Stars”, si ju erdhi ftesa?
Krejt papritur më erdhi telefonata nga miku im, Eraldo Rexho për t’u bërë pjesë e “Dancing With The Stars 6”. Nuk e kisha menduar ndonjëherë që do më jepej kjo mundësi, por ja që pas një të keqeje vikan shumë të mira. Ndaj e falënderoj nga zemra stafin e “Dancing” për këtë përzgjedhje.
E ke parë vitet e shkuara këtë show? Për kë keni bërë tifo?
Më ka pëlqyer gjithmonë si format dhe çdo javë isha e fokusuar përpara ekranit për të parë kërcimet, por fatkeqësisht gjatë kohës kur isha në spital nuk kisha mundësi dhe të them të drejtën nuk e kam ndjekur. Por nga puntatat e viteve të tjera mbaj mend Genta Ismajlin që shpërthente në skenë. Gjithashtu, aktorin e mirënjohur Enver Petrovci që sfidoi veten duke na treguar se mosha është vetëm një shifër.
Ndërkohë një përgjigje shumë të prerë edhe ndaj Olti Currit pas statusit të tij për pjesëmarrjen tuaj në këtë spektakël, a keni folur më pas me të?
Fatkeqësisht nuk kemi folur, por mendova të bëja një koment në statusin e tij, sepse nuk e prisja që një personazh që ka një ndikim shumë të madh te të gjithë ndjekësit e tij të shprehej në atë mënyrë. Megjithatë, ai është një opinionist dhe në mendimet që jep nuk është e thënë të jetë gjithmonë pozitive. Unë kam parë formatet e “Dancing With the Stars” edhe jashtë dhe më ka pëlqyer fakti që janë vlerësuar personazhe që kanë vlera dhe publiku i do dhe nuk kanë domosdoshmërish një profesion.
Jo domosdoshmërish të jesh star do të thotë të jesh i famshëm, ndaj mendoj se stafi profesionist i “Dancing” e ka menduar dhe analizuar këtë pjesë përpara se ta bënte ftesën. Dhe përderisa ka shumë njerëz që më shkruajnë, më duan dhe do jenë të lumtur të më shohin duke kërcyer, unë do të jap gjithmonë e më shumë nga vetja dhe do ta shijoj në maksimum këtë eksperiencë të bukur.
Mendoni se Olti ka diçka personale me ju?
Nuk mendoj se ka pasur diçka personale absolutisht. Olti ka qenë një nga ata që kanë shprehur
një urim në 18-vjetorin tim dhe unë e vlerësoj për aq kohë sa më vlerëson. Atë status mendoj
që ka bërë gabim që e ka shkruar, por gjithsesi mbetet mendimi i Oltit. Unë fokusohem
tek shumica dhe shumica ishte pro dhe pozitive. Të tjerat nuk kanë shumë rëndësi.
Besoni se Ambra është shumë më e famshme se disa personazhe të tjerë që marrin pjesë këtë vit në “Dancing”?
Sigurisht që jo, gjithsesi këtë nuk besoj se e përcaktoj unë, por publiku që na ndjek dhe na mbështet. Mua më vjen mirë që secili nga ne ka diçka për të dhënë në këtë format sado të “famshëm” të jemi.
Për të gjithë kuriozët, si ia doli Ambra shpirtërisht të luftojë sëmundjen?
Kisha një shpirt luftarak brenda vetes që nuk e njihja më parë. U shfaq në momentet e mia më të vështira, kur më duhej të luftoja fort. U fokusova tek çdo e mirë që më rrethonte dhe mundohesha të largohesha nga mendimet dhe ndjesitë negative. Ilaçet pa bashkëpunimin mendor e shpirtëror nuk kanë vlerë. Njerëzit janë të sëmurë më shumë në mendje sesa në trupin e tyre.
A keni një këshillë për të gjithë ata që vuajnë nga një sëmundje e rëndë?
Këshilla më e mirë është t’i japin vetes sa më shumë arsye për të luftuar, sepse të gjithë e duam jetën dhe të gjithë mund ta largojmë të keqen dhe dhimbjen nga vetja. Vetëm se duhet pak durim, shpresë dhe fitorja do të vijë, më besoni.
A e mendoni fitoren e kupës në “Dancing”?
Unë kupën më të madhe e kam fituar tashmë, “Kupën e jetës”, por kush nuk do ta donte fitoren?
(qesh).
Kë shikoni konkurrentin më të fortë?
Këtë vit është pak e vështirë, sepse ka shumë konkurrentë të fortë. Mund të dalloj Florian Agalliun, i
cili me shpirtin e artistit nuk pushton vetëm skenat e teatrit, por tashmë edhe skenën e “Dancing”.
Po me të dobëtin?
Nuk mendoj që ka konkurrent të dobët. Çuditërisht këtë vit e kanë marrë të gjithë shumë seriozisht këtë garë dhe në dy netët e para më kanë pëlqyer performancat.
Si i keni marrëdhëniet me meshkujt?
Është hera e parë që më bëhet kjo pyetje publikisht dhe më pëlqen që keni menduar ta sillni këtë intervistë ndryshe. Duke qenë se gjithmonë marrëdhëniet me meshkujt kanë qenë shoqërore, nuk më ka ardhur akoma në “derë” kjo sfidë. Si shoqe jam shumë e mirë ose të paktën kështu thonë.
A ka të dashur Ambra?
Mesa duket nuk e kam takuar akoma atë të duhurin.
Çfarë duhet të ketë një mashkull që të fitojë vëmendjen e Ambrës?
I jashtëzakonshmi nuk do të vijë si një princ i kaltër mbi një kalë, por mendoj që përderisa do më bëjë përshtypje, mua do të ketë karakter të fortë dhe do të jetë një njeri i mirë, se bukurosha ka plot.
Keni trupin e një modeleje, a e keni menduar ndonjëherë veten në pasarelë?
Në pasarela jo, por në skena po.
Çfarë do të bëjë Ambra pas “Dancing”?
Do të vijnë gjëra të bukura besoj,megjithatë dua t’ia lë gjithçka kohës dhe jo të bëj plane strikte. Po
punove fort, suksesi hap krahët.
(ma.ar/Vippages/BalkanWeb)
