TIRANË

Kryedemokrati Lulzim Basha deklaroi sot para mediave se pandemia ekonomike po i zë vend me shpejtësi pandemisë së COVID-19.

Në një bashkëbisedim me gazetarët, Basha bëri një panoramë të zymtë të situatës ekonomike në vend duke përmendur vështirësitë që po hasin qytetarët dhe bizneset të izoluar prej 8 javësh. Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë e tij se i kanë bërë më të varfër se para pandemisë njerëzit me sjelljen e tyre. Sipas Bashës për dy paketat ekonomike të qeverisë janë paguar nga thesari 41.5 mln euro në total për 3 mln shqiptarë, me TVSH tha ai ka dhënë më shumë për 2 km unazë oligarkëve tek Unaza e Re.

“Edhe para pandemisë njerëzit ishin të varfër. Sjellja e qeverisë Rama i ka bërë njerëzit dhe më të varfër. Ndërkohë që po e shtyn ekonominë drejt një krize të thellë ekonomike. Ky ishte shqetësimi ynë i parë pas masave për pandeminë, të merreshin masa për ekonominë. Kërkesat tona bazoheshin në një analizë realiste ku ndodhej vendi. Shqipëria në këto vite jo vetëm që nuk ka ecur me të njëjtat ritme si vendet e rajonit po ka bërë pas.
Para pak vitesh Shqipëria dhe Serbia kishin të njëjtin borxh publik, 70% e PBB, 70% e asaj që krijonin qytetarët e secilit vend në vit ishte shuma e borxhit publik në të dyja vendet. Ku jemi sot?
Sot Shqipëria vazhdon të ketë një borxh të lartë bashkë me faturat e koncesioneve që shkon në 84%, Serbia ka shkuar në 54.6%. Ka ulur borxhin, ka financuar eksportet, ka financuar teknologjinë e informacionit, ka shtuar vendet e punës. Ne vetëm gjatë këtyre 8 javëve për shkak të mungesës totale për ekonominë dhe njerëzit kemi humbur sipas tatimeve mbi 60 mijë vende pune. Shifra mund të jetë 2 herë me lartë se kaq. Kosova përmes formalizimit kryesisht ka shënuar 6 mijë vende të reja pune. Vetëm sipas tatimeve ne kemi humbur 10 herë më shumë.
Jemi në këtë situatë sepse gjatë këtyre 7 viteve buxheti i shqiptarëve, taksat e shqiptarëve nuk kanë në shkuar për të stimuluar ekonominë, eksportin, teknologjinë e informacionit, për vende punë apo për të stimuluar investimet e huaja por për një grup oligarkësh, për koncesion e PPP, që jo vetëm që nuk kanë shtuar vende pune por kanë marrë atë pak oksigjen që në kohën e pandemisë duhet të shkonte tek njerëzit në nevojë.
Deri dje thesari shënonte një shumë totale prej 13.7 mln euro të paguara për paketën e parë, 28.7 mln euro mln euro për paketën e dytë, 41.5 mln euro në total për 3 mln shqiptarë ku janë qindra mijëra të papunë dhe biznese në një stres të jashtëzakonshëm. Me TVSH ka dhënë më shumë për 2 km unazë oligarkëve tek Unaza e Re. Me TVSH shuma që u dedikua për atë projekt korruptiv është më e madhe se sa shumë që ka ndarë për shqiptarët në këto 8 javë të torturës.
Qeveria Rama nuk ka hequr dorë nga një tipar karakterizues vendosjen e interesave të një grusht oligarkësh mbi 3 mln shqiptarë. 5 veta kanë të drejtë të marrin frymë. 5 oligarkë që mbushin xhepat e Edi Ramës dhe pushtetarëve. E vetmja gjë në Shqipërinë e Edi Ramës janë koncesionet dhe PPP-të korruptive”, deklaroi Basha.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb