Autoritetet dështuan për rastin e abuzimit të 15-vjecares në Babrru. Faktin e pranojnë ligjvënëset socialiste, pjesë e Aleancës së Grave Deputete. Pas skandalit që shpërtheu dhe çoi në pranga katër të dyshuar, mes tyre dhe protagonistin kryesor, ish-rojën e shkollës Abaz Doga, gratë deputete reaguan ashpër pas raportimit në Kuvend të zv.ministres së Brendshme dhe asaj të Shëndetësisë.
Nënkryetarja e Parlamentit Vasilika Hysi shpërtheu me tone të ashpra dhe e quajti të turpshme që hallkat shtetërore dështuan në mbrojtjen e 15-vjeçares.
Ish-kryetarja e Komitetit të Helsinkit tha se nëse nuk jemi të aftë të mbrojmë fëmijët, rruga më e drejtë është lënia e mandateve.
Ish-ministrja e mbrojtjes Mimi Kodheli kritikoi ashpër mësuesit, se kujdesen për minifundet dhe buzëkuqin dhe jo të kuptojnë problemet e nxënësve
Por mesa duket drejtuesve të maxhorancës nuk iu kanë pëlqyer kritikat e deputeteve socialiste sepse pas regjistrimit të mbledhjes online, Kuvendi e ka fshirë videon në facebook. Një ditë më vonë, Kuvendi ka publikuar në youtube mbledhjen e komisionit duke censuruar fjalën e ish-ministres së Mbrojtjes Kodheli.