KORCE- Janë prezantuar sot në qytetin e Korçës 3 planet kombëtare të hartuar nga Ministria e Zhvillimit Urban dhe Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit. Në një dëgjesë publike ku u morën dhe konsultimet e qytetarëve u diskutua mbi Planin e Përgjithshëm Kombëtar; Planin e integruar ndërsektorial për Bregdetin dhe Plani ndërsektorial për zonën ekonomike Tiranë-Durrës. Në takimin publik ishin të pranishëm zëvendëskryeministri Niko Peleshi, Ministrja Eglantina Gjermeni dhe ekspertë të fushës së planifikimit. Në fjalën e saj, Ministrja Gjermeni vlerësoi draftet e përgatitura nga grupi profesionist i punës dhe deklaroi se Shqipëria 2030 është projekti i përbashkët, i cili do të përmirësohet më tej me kontributin e qytetarëve për dokumentet e para të zhvillimit të territorit në Shqipëri.

“Plani i Përgjithshëm Kombëtar vendos piketat e një zhvillimi të qëndrueshëm duke i dhënë fund territorit të paplanifikuar. Zhvillimi i qëndrueshëm do të thotë ruajtje e identitetit dhe vlera mjedisore e kulturore. Planet e përgjithshme vendore bashkë me planet kombëtare, janë dy komponentë që plotësojnë njëri-tjetrin pasi zhvillojnë infrastrukturën, turizmin dhe përmirësojnë jetën e çdo qytetari. Këto plane do të tërheqin më shumë investime vendase apo të huaja duke kontribuar maksimalisht për Shqipërinë e 2030. Ne jemi të sigurt se Shqipëria në 2030 do jetë krejt ndryshe dhe ne të gjithë do kontribuojnë për këtë”, – tha Gjermeni.

Zv.Kryeministri Peleshi vlerësoi si të një rëndësie kombëtare hartimin e këtyre planeve kombëtare. Në fjalën e tij, numri dy i Qeverisë u ndal në punën e madhe, por ” të heshtur” të bërë nga Ministria e Zhvillimit Urban, nën drejtimin e Ministres Gjermeni dhe specialistëve të AKPT. “Dua t’ju përgëzoj zonja Ministre për këto dokumente dhe punën dy vjeçare, të bërë në heshtje për t’i dhënë vendit planet e para kombëtare për një zhvillim të qëndrueshëm territorial”, – tha ai. Peleshi deklaroi se Pani i Përgjithshëm Kombëtar normalizon njëherësh edhe çështjen e legalizimeve në vendin tonë. Pas Korçës, dëgjesa publike do të vijoje me Planin e Integruar Ndërsektorial për Bregdetin, ditën e martë në Vlorë. Në këtë dëgjesë qytetarët korçarë dhanë sugjerimet e tyre për të ardhmen, siç është ndërtimi i një aeroporti në Korçë, krahas atyre në Veri dhe Jug që parashikojnë planet kombëtare.
(ed.me/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: