Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, vijoi turin e takimeve me fermerët në Baldushk, të cilët shprehën shqetësimet e tyre për faturimet.

“Nafta, benzina me të njëjtin çmim siç e ble Edi Rama për Benzin e tij të blinduar, kështu e blejnë dhe fermerët me të njëjtin çmim ujin, si biznes i vogël dhe në vend që ta ndihmojnë fermerin shqiptar që rropatet nga 5 e mëngjesit deri sa bie errësira non-stop për prodhimet e veta, në vend që ta ndihmojnë që prodhimin ta nxjerrin me një kosto sa më të përballueshme, që ta shesin me një çmim sa më të mirë, sepse në fund të fundit me tokën, me fshatin jeton akoma gjysma e shqipëtarëve, e këpusin me fatura, e këpusin me çmime sikur të jenë biznese luksi. kjo e ka rrënuar vit pas viti në këto 7 vite sektorin e zhvillimit rural, bujqësisë, blegtorisë, duke bërë që prodhimet tona të jenë jokonkuruese, duke bërë që prodhimet e fermerëve të tjerë që nga Kosova, Maqedonia e Veriut të vijnë me çmime më të ulëta në tregun tonë dhe fermerët tanë detyrohen t’i hedhin prodhimet e tyre. Gjithë ky mund e djersë, në vend që t’u kthehet në bekim për familjet e tyre ose, të paktën, t’u kthehet në një mirëqënie minimale, u kthehet në mallkim sepse zhyten në borxh.”- u shpreh Basha, i cili bashkëbisedoi me një fermer të zonës së Baldukshkut.

Në bisedë me kryedemokratin, Kasemi, një fermer 63 vjeçar, u shpreh se gjatë kohës së pandemisë kanë humbur shumë nga pamundësia për të punuar tokën apo për të nxjerrë prodhimet në treg.

“Çmimet janë katastrofë, edhe plehrat s’kanë garanci, as farat s’kanë garanci. Është gjithë ai shpenzim aty, me minus jemi komplet tre muajt që e mbylli fare ai. Ai (Rama) thotë “kanë punuar bujqërit, janë të punësuar”. Po ku shet bujku? Ku rri bujku që i ke bllokuar vendin dhe as nuk lëvizi dot? Ai thotë janë në punë”. Nuk kemi marrë asnjë mbështetje, asnjëherë. Nuk bëjmë një ditë pushim dhe prapë në borxh. Pa patur stimul nga shteti, buqësia është e mbaruar.”- u shpreh ai, i cili thotë se subvencioni është zgjidhja më e mirë.

Mesazhi i Kryetarit të Partisë Demokratike.
“Baldushku është një nga zonat më të bukura të qarkut të Tiranës, është një nga zonat më të bukura në Shqipëri, një nga luginat më të bukura, historikisht me njerëz punëtorë, të cilët nuk kërkojnë lëmoshë por kërkojnë përkrahjen minimale që u jepet fermerëve në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut.
Sot nuk e kanë, sepse paratë që duhet të shkonin për subvencione, paratë që duhet të shkonin për investimet minimale në rrugë aksesi, ujësjellës kanalizime, Edi Rama ua jep si bonus oligarkëve, duke u hequr TVSH-në e jahteve. Ua paguan anëtarëve te bandës së Lushnjës që janë pronarët e vërtetë të inceneratorëve dhe të landfillit të Sharrës. Janë banditët e bandës së Lushnjës, të cilët i ka bërë ortakë së bashku me anëtarë aktualë apo ish anëtarë të kupolës socialiste. Qindra miliona euro të taksave tuaja kanë përfunduar në xhepat e tyre, qindra miliona të tjerë janë abuzuar me tendera luksi, fasada. 30 milionë euro do të marrë borxh tani, pasi prishi në mënyrë të paligjshme teatrin.
Këto janë pasojat e kësaj politike shkatërrimtare, grabitqare, hajdutërore dhe gënjeshtrave të Edi Ramës që edhe në këtë moment vazhdon t’i këpusë në landfillin më të madh të Republikës, ku ndodhet tani i rrethuar nga soji i vet.

Por kjo situatë nuk mund të vazhdojë dhe nuk do të vazhdojë kështu dhe, nëqoftëse ka një frymëzim, janë këta njerëz punëtorë, është kjo Shqipëri e bukur e punës, Shqipëria reale që sot vuan, por që, nesër, këtë potencial të jashtëzakonshëm, do të arrijë ta kthejë në mirëqenie për njerëzit, kur të ketë një qeveri që paratë e taksapaguesve shqiptarë, t’i kthejë në mbështetje për shqiptarët, taksa të përballueshme të ulëta për biznesin e vogël, në uljen e çmimit të naftës, duke hequr taksën “Rama”, me një buxhet prej 100 milion Eurosh të barabartë me Kosovën dhe Maqedoninë, për subvecione për bujkun dhe fermerin, i cili do të shkojë drejtpërdrejt për të mbështëtur familjet dhe fermerët sipas prodhimit, në bazë të prodhimit të tyre, pra dhe jo në bazë të aferave me grumbullues dhe me importues.

Po kështu, do të mbështesim me të gjitha format dhe mënyrat ndezjen e motorrëve ekonomikë, duke e çliruar Shqipërinë nga duart e 5 oligarkëve dhe Edi Ramës që ia ka vënë në fyt dhe që po mbysin ekonominë, po zhysin në krizë të thellë të gjithë sektorët e ekonomisë duke përfshirë bujqësinë. 50 % e shqipëtarëve jeton në zonat rurale, asnjë kacidhe nuk kanë parë as në kohën e pandemisë dhe as në këto 7 vite.

Ndaj, duhet të gjithë së bashku të mundësojmë rikthimin në normalitet. një qeveri normale dhe jo një qeveri mrekullish është ajo që premton Partia Demokratike dhe koalicioni i opozitës, një qeveri normale, e cila fillon nga vota juaj dhe kthen përmes llogaridhënies tek ju gjithë vëmendjen dhe gjithë fondet tek ju. Një Shqipëri e gjithë shqiptarëve, një Shqipëri e gjithë njerëzve punëtorë dhe jo një Shqipëri e 5 hajdutëve, e 5 oligarkëve dhe Edi Ramës.

Këtu nga Baldushku, jam edhe me më shumë besim edhe më i bindur se Shqipëria jonë e bukur i ka të gjitha potencialet, njerëzit tanë punëtorë i kanë të gjitha mundësitë me një qeveri në krah tyre për ta lënë pas këtë ditë të zezë, kohë të keqe për shqiptarët dhe, siç thotë ajo thënia, pas reve ka dritë dhe drita e shpresës është bashkimi ynë, është qëndresa jonë, është programi ynë për t’i kthyer shqipëtarëve dinjitetin, institucionet dhe një ekonomi të forte, që garanton punësim dhe mirëqenie.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb