TIRANE- Me rastin e kremtimit të 25-vjetorit të shembjes së komunizmit në Shqipëri, Presidenti i Republikës, SH.T.Z Bujar Nishani dha sonte në darkë një pritje festive në Pallatin e Brigadave, e cila mbyll edhe agjendën e veprimtarive përkujtimore e festive që u mbajtën në Tiranë në datat 7-8 dhjetor në përkujtim të Ditës së Rinisë, nën kujdesin e Kreut të Shtetit.
Në mesazhin drejtuar të pranishmëve në këtë pritje, udhëheqësve politikë e figurave historike ndërkombëtare të kohës, ambasadorëve, përfaqësuesve të Trupit Diplomatik, personaliteteve politike të vendit, ish-të përndjekurve politikë, familjarëve të martirëve të lirisë, ish-studentëve, intelektualëve dhe protagonistëve të Lëvizjes Studentore Shqiptare të Dhjetorit 1990, Presidenti Nishani vlerësoi lart betejën për liri e demokraci të ish-studentëve si dhe i bëri thirrje rinisë së sotme : “Të mos e lejojë demokracinë të merret peng, të bjerë në rutinë, të bëjë vendnumëro apo hapa prapa!”
Me këtë rast, Presidenti Nishani vlerësoi me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar” Lëvizjen Studentore Shqiptare 1990-91, me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi të lartë ndaj kontributit të çmuar historik kombëtar, veprimtarisë së spikatur për liri dhe demokraci dhe arritjeve të patjetërsueshme të aspiratave mbarëpopullore si: fitorja e pluralizmit politik, shembja e diktaturës, rrëzimi i miteve të rreme të komunizmit dhe shmangia e luftës civile dhe ringjallja e shpresës. Me mirënjohje të thellë për ruajtjen e pastër dhe të pandryshueshme, konsolidimin e mëtejshëm dhe përçimin e vlerave atdhetare dhe fisnike të kësaj Lëvizjeje Studentore tek brezat e rinj shqiptarë”.
Kreu i shtetit çmoi në mënyrë të veçantë ish-kryeministrin Sali Berisha me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar” me motivacionin: “Shpirtit liridashës që iu bashkua dhe përcolli që në momentet e para frymën e lëvizjes mbarëpopullore demokratike në vitin ’90 që solli përmbysjen e regjimit më diktatorial e çnjerëzor komunist. Për rolin e tij udhëheqës në orientimin, përparimin dhe forcimin e idealeve dhe parimeve të sistemit demokratik në rrugëtimin e Shqipërisë drejt familjes së madhe euro-atlantike”.
Po në këtë pritje, Presidenti i Republikës solli ne vëmendje dhe çmoi me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”, Musine Kokalarin (pas vdekjes) me motivacionin: “Në shenjë nderimi suprem ndaj kontributit të saj të qenësishëm si themeluese e pluralizmit të mendimit dhe atij politik, duke emancipuar shoqërinë tonë në tërësi, si dhe gratë e vajzat shqiptare në veçanti. Me mirënjohjeje ndaj vlerave të larta atdhetare si dhe veprimtarisë së spikatur e të shumanshme kulturore e politike, të shpalosur përgjatë gjithë jetës së saj, deri në sakrifikimin sublim për idealet dhe parimet e patjetërsueshme të një intelektualeje me mendësi vërtet të përparuar evropiane”.
FJALA E PLOTË E PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS BUJAR NISHANI:
“Të dashur ish-studentë, intelektualë dhe protagonistë të Lëvizjes Studentore Shqiptare të Dhjetorit 1990,
Të nderuar miq dhe të ftuar,
Shkëlqesi Ambasadorë, përfaqësues të Trupit Diplomatik në Republikës e Shqipërisë,
Ish-të përndjekur politikë,
Familjarë të martirëve të lirisë,
Zonja dhe zotërinj!
Shqipëria feston sot me nderim dhe krenari njërën prej ngjarjeve më të shënuara të historisë së saj: njëzet e pesë vjetorin e rënies së diktaturës komuniste në vendin tonë, gjithashtu njëzet e pesë vjetorin e Lëvizjes Studentore-intelektuale Shqiptare të Dhjetorit 1990 për Liri dhe Demokraci, për daljen dhe ndarjen e vendit nga dekadat e terrorit, shtypjes dhe izolimit totalitar, për “Shqipërinë si gjithë Evropa”, siç e kërkonte aq bukur thirrja studentore e atyre ditëve të paharruara, njëzet e pesë vjetorin e hyrjes në rrugën e lirisë. Historike në një lëvizje politike është ajo që bëhet vlerë dhe mbetet vlerë për bashkëkohësit dhe brezat e ardhshëm, thotë një sentencë e njohur.
Shqipëria e re e pluralizmit politik, e lirive dhe të drejtave të njeriut, e hapjes dhe integrimit Euro-Atlantik i ka fillimet e saj pikërisht në atë grumbullimin, marshimin dhe përballjen e parë të studentëve guximtarë me forcat e regjimit shtypës pesëdhjetëvjeçar mbrëmjen e 8 Dhjetorit, duke u gdhirë 9 dhjetori i vitit 1990. Kujtesa e protagonistëve dhe dëshmitarëve, sikurse dhe kërkimet e studiuesve, e kanë rindërtuar në vijat themelore epopenë e atyre ditëve dhe netëve të stuhishme. Ne kthehemi dhe rikthehemi me një kureshtje përherë të gjallë në këtë histori, siç ndodh zakonisht me ngjarjet e gjenezës, që tërheqin dhe mahnitin kurdoherë me madhështinë e tyre të thjeshtësisë.
Lëvizja Studentore Shqiptare e Dhjetorit ‘90 është gjeneza e demokracisë sonë të re. Studentët e lirisë u mblodhën në terrin e natës politike të kohës në thirrjen këngës së vjetër të kushtrimit shqiptar “Se mjaft në robëri, o e mjera Shqipëri”! Studentët e lirisë i bënë betejë regjimit më të egër komunist që Evropa kishte njohur.
Studentët e lirisë shpallën botërisht kërkesat për lejimin e pluralizmit politik dhe pranimin e kartës universale të lirive dhe të drejtave të njeriut. Studentët e lirisë nxorën në krye drejtuesit e parë, më të kthjellëtit, më të guximshmit, më të vendosurit. Nxorën Azem Hajdarin, studentin e Fakultetit të Filozofisë, prijësin heroik, që bashkë me djemtë dhe vajzat që kishte përkrah në demonstratat antikomuniste u bënë mishërimi dhe personifikimi i Lëvizjes Studentore Shqiptare. Studentët krijuan në Qytetin e tyre zonën e parë të lirë në Shqipërinë e bunkerëve dhe telave me gjemba, oazin e parë të lirisë prej nga u nis orteku i pandalshëm i ndryshimit të madh në mbarë vendin. Studentët fituan. Intelektualët fituan. Shqipëria fitoi. Regjimi njëpartiak i partisë-shtet perëndoi. Demokracia shumëpartiake u nis edhe në Shqipëri. Përmbysja e madhe ndodhi në rrugë paqësore. Sot nderojmë veprën e gjithë protagonistëve dhe pjesëmarrësve në këtë ndryshim epokal për vendin tonë: studentë, intelektualë, punëtorë, qytetarët të thjeshtë pa dallim; përkulemi me nderim dhe mirënjohje të thellë para kujtimit të pavdekshëm të udhëheqësit të Lëvizjes, Azem Hajdari.
Nga largësia e viteve kjo duket e thjeshtë për ta treguar, por kur kthehemi pas në kohë do të shohim se, pa qenë nevoja për të rënë në himnizime të panevojshme, dhjetori i demokracisë është një mrekulli shqiptare e kurajës dhe mençurisë. Në vitin 1990 Shqipëria kishte mbetur i vetmi i vend komunist në Evropën e re. Regjimi i Tiranës reklamonte me tone kërcënuese qëndrimin e vjetër: ‘As lindje, as perëndim!’ dhe kishte shtypur ndërkohë egërsisht përpjekjet kryengritëse për liri dhe demokraci në Shkodër, në Kavajë e në Tiranë.
Lëvizja Studentore Shqiptare e Dhjetorit 1990 erdhi si një përbetim i ri në vazhdën e këtyre përpjekjeve të pareshtura, erdhi si një kulmim, erdhi, për fat, si kurorëzim faqebardhë i një udhëtimi të gjatë, i një kalvari të vërtetë, plot sakrifica dhe therori, të disa brezave drejt lirisë. Demokracia shqiptare i ka themelet në vuajtjet dhe qëndresën heroike të qindra mijëra shqiptarëve që luftuan dhe nuk u pajtuan kurrë me tiraninë, që e paguan me jetë, me burgime, internime, mërgime dhe privime të papërshkrueshme dashurinë për lirinë, për Shqipërinë perëndimore. Gjithë kjo trashëgimi heroike, ku përshihet edhe kontributi i çmuar i emigrantëve politikë, është piedestali i Shqipërisë demokratike.
Mrekullia e Dhjetorit tonë është pasqyra e mrekullisë që përjetoi Evropa në vitin 1989. Është e vërtetë se për shkak të izolimit kishte pak evropianë dhe amerikanë në Tiranë ato ditë, vetëm dy-tre gazetarë dhe disa diplomatë të respektuar, të cilët ndanë me shqiptarët aventurën dhe magjinë e përmbysjes së pabesueshme. Por Evropa, edhe pse dukej larg, ishte afër, ishte nxitja, frymëzimi, shpresa dhe besimi për popullin shqiptar. Pa erën e lirisë në Evropën Lindore nuk do të kishte pasur liri në Shqipëri.
Kam parasysh Lëvizjen antikomuniste të Solidarnoshit në Poloni, udhëheqësin e saj legjendar, Leh Valesën; Revolucionin e kadifenjtë çekosllovak të udhëhequr nga intelektuali i madh Vasllav Havel; kam parasysh shembjen e Murit të Berlinit, bashkimin e Gjermanisë, revolucionet e tjera demokratike paqësore në Hungari e në Bullgari.
Kam parasysh edhe ngjarjet e përgjakshme në Rumani që sollën në skenë alternativën e ndryshimeve jopaqësore aty ku regjimi komunist kishte në agjendë përdorimin e dhunës. Evropa ish-komuniste, Shqipëria ca më pak, vështirë se do t’i kishte përjetuar në kohën kur i përjetoi këto ndryshime pa rolin e jashtëzakonshëm të dy figurave të shquara të viteve nëntëdhjetë: të Papa Gjon Palit të Dytë dhe të ish-Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhorxh Herbert Uoker Bush. Ne nuk do të rreshtim së shprehuri nderimin dhe mirënjohjen tonë për të gjitha ngjarjet dhe personalitetet e botës që frymëzuan dhe ndihmuan me mesazhet dhe shembullin e tyre Lëvizjen demokratike Studentore në Shqipëri.
Madhështia e kësaj Lëvizjeje Studentore Shqiptare pasqyrohet në arritjet më të shënuara të Shqipërisë gjatë këtyre njëzet e pesë viteve. Shqipëria e fjalës së lirë, e njerëzve të lirë, e nismës së lirë, e hapjes me botën, e lëvizjes së lirë, e lirive dhe të drejtave universale të shenjtëruara në kushtetutën e vendit, Shqipëria në NATO, Shqipëria kandidate zyrtare për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian gjitha këto ishin një ëndërr, për shumëkënd një ëndërr e vagëlluar njëzet e pesë vjet më parë. Falë hapjes, demokracisë, integritetit dhe cilësive të tyre më të mira, shqiptarët, një nga popujt me të vjetër të kontinentit, kanë dalë e po dalin në pahun e kohës që jetojmë si një komb vital, i denjë dhe i respektuar në familjen e kombeve të lira.
Mund të ishte bërë më shumë. Duhet të ishte bërë e duhet të bëhet me shumë. Zig-zaket dhe problemet jo rrallë të rënda të demokracisë në vendin tonë kanë qenë dhe janë një devijim nga ëndrra, nga Dhjetori i idealeve të pastra, nga standardet e demokracisë perëndimore. ‘Festa sheh bardhë,’ thotë një fjalë e popullit. Ëndrra e demokracisë dhe integrimit vazhdon. E sotmja dhe e ardhmja kanë nevojë të madhe për vlerat e patjetërsueshme të Lëvizjes Studentore Shqiptare – për idealizmin, çiltërsinë, ndershmërinë, kurajën, tolerancën, solidaritetin, bashkimin rreth qëllimeve të përbashkëta; madje kanë nevojë të madhe për mesazhet kuptimplotë të saj.
Mendoj në këtë moment për mesazhin e dialogut, si një vlerë e veçantë e demokracisë. Lëvizja Studentore Shqiptare që nisi në Dhjetor 1990, na tregon se pluralizmi ynë politik ka lindur në shenjën e dialogut. Shqipëria e mbylli aty ku e filloi Polonia. Ky fakt historik përbën ogurin e mirë të demokracisë sonë. Fryma e dialogut duhet të afirmohet si kulturë e jetës sonë politike dhe institucionale për të kapërcyer shfaqjet e arbitraritetit, arrogancës, megalomanisë, për të lenë pas konfliktualitetin shterpë e të dëmshëm që nuk ka asgjë të përbashkët me konfrontimin civil të ideve, vizioneve, zgjidhjeve më të mira në të mirë të demokracisë dhe mirëqenies së qytetarëve.
Mendoj në këtë moment nismëtarët dhe pararojën e Lëvizjes, studentët e Universitetit, nxënësit e shkollave të mesme. Rini, rini, rini. Liria dhe demokracia jonë kanë startuar në shenjën e rinisë. Kjo është vërtetë e mrekullueshme. Sot është dita e lirisë dhe dita e rinisë njëkohësisht. Binomi rini-liri i ka dhënë e duhet t’i japë fuqinë e pashtershme ripërtëritëse demokracisë sonë. Kjo është një sfidë përherë e hapur për brezat e rinj në Shqipëri: Të mos e lejojnë demokracinë të merret peng, të bjerë në rutinë, të bëjë vendnumëro apo hapa prapa! Ta mbajnë të gjallë, të re dhe dinamike me angazhimin dhe përkushtimin e tyre, me kulturën dhe dijet e tyre bashkëkohore, me atdhetarizmin dhe oksidentalizmin e tyre.
Ky është nderimi, kjo është stafeta e Dhjetorit të lavdishëm, kjo është stafeta e historisë që kalon dorë me dorë nga një brez në tjetrin në rrugën e pakthyeshme të përparimit të vendit. Unë jam shumë i lumtur t’u drejtoj sonte falënderimet, përshëndetjet dhe urimet e mia me të përzemërta protagonistëve të Lëvizjes Studentore Shqiptare të Dhjetorit, rinisë shqiptare, miqve dhe të ftuarve nga bota që na kanë nderuar me praninë e tyre, mbarë qytetarët shqiptarë.
(ed.me/BalkanWeb)
