Gjergj Vlashi, “Artist i Popullit” dhe “Nderi i Kombit”, është përcjellë sot me nderime të mëdha nga bashkëqytetarët e tij të Durrësit, kolegë të punës dhe përfaqësues të artit e kulturës. Regjisori dhe shkrimtari Gjergj Vlashi u nda nga jeta 3 ditë më parë në moshën 92 vjeçare, por sot janë zhvilluar homazhet për nder të tij në hollin e qendrës kulturore “Aleksandër Mosiu”.

Kolegë të tij që e kanë njohur nga afër dhe kanë punuar prej vitesh me të shprehen se vdekja e tij është një lajm i keq për kulturën, pasi nëpërmjet një karriere të gjatë ai ka spikatur në regjisurë, krijimtari dhe përkthime.

Që nga krijimi i estradës së Durrësit në vitin 1960, Gjergj Vlashi u caktua regjisor i saj derisa doli në pension, ndërkohë që ka punuar me shumë trupa të tjera estradash në Tiranë, Shkodër, Korçë, Lushnje Pogradec si dhe në estradën e ushtarit. Ai është mjaft i njohur si përkthyes e shkrimtar me rreth 30 libra të publikuar në letërsi origjinale dhe përkthime nga gjermanishtja, italishtja, rusishtja, portugalishte spanjisht. Është përkthyesi i parë i disa prej veprave të Franc Kafkës, si “Metamorfoza”, “Dera e gjyqit” dhe “Procesi”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb