Nga: FATMIRA NIKOLLI*
Edhe këtë vit, do të mbahen në Tiranë ‘Ditët e Albanologjisë’ në datat 21, 22 dhe 23 dhjetor. Ardian Marashi, pyetjes së “GSH” se si u bë e mundur në një kohë që ka ankesa për buxhetin, kreu u Qendrës së Studimeve Albanologjike u përgjigj: “Po, buxheti është krejtësisht i pamjaftueshëm për të realizuar në parametrat e duhur misionin tonë dhe për ta ngritur institucionin në lartësinë e ambicieve tona shkencore. Por kjo nuk nënkupton se, kush nuk ka para, nuk siguron dot as mbijetesën e vet. Kërkimi shkencor sigurisht që është një profesion, por ai bëhet vërtet “kërkim” kur ushqehet nga pasioni. Në bindjen time, njeriu s’mundet me qenë “kërkues” pa pasur pasionin e eksploruesit. Çështja është që ky pasion të mund të mbahet ndezur, së paku aq sa të mos shuhet shumë shpejt nga mungesa e perspektivës. Si të thuash: Ne punojmë në kushtet e Shqipërisë së sotme, por me ambicien për të qenë të denjë për Shqipërinë e nesërme”.
Ai vëren se bashkë me kolegët, e ka pranuar në heshtje një situatë të cilën nuk e ndryshojnë dot: Rrallë bëjmë atë që duam, ama atë që mundemi e bëjmë gjithmonë. “Do të donim që në ‘Ditët e Albanologjisë’ të mund të ftonim, siç edhe kemi pasur fatmirësisht rast, autoritetet e fushave tona nga universitetet dhe qendrat e huaja kërkimore. Këtë nuk e bëjmë dot dhe në programin e veprimtarive të këtij fundviti ne nuk kemi, për fat të keq, konferenca ndërkombëtare elitare, siç kemi mundur t’i bëjmë para pak vitesh”. Ndërkaq, ai sqaron edhe si u nxorën cikërrimat e nevojshme për të bërë gjithsesi ‘Ditët e Albanologjisë’: “(Ama) Departamentet e instituteve albanologjike i kanë mundësitë dhe autoritetin e nevojshëm për t’i përballuar me dinjitet disa nga sfidat aktuale të kërkimit shkencor.
Dhe këtë ne e bëjmë. Pranojmë, nga e keqja, të mos marrim honorare për të drejtën e autorit dhe për pjesëmarrje në komisione e juri; pranojmë, në njëfarë mënyre, të mos gëzojmë shumë të drejta, të cilat për kolegët tanë europianë janë të vetëkuptueshme. Mirëpo, kërkimet që mund t’i kryejmë, i bëjmë; librat që mund t’i shkruajmë, i botojmë; revistat shkencore që mund t’i përgatisim, i nxjerrim; ekspozitat që mund t’i kurojmë, i realizojmë. E madje, kur nuk marrim ndonjë falënderim publik për punën e për përpjekjet, në ‘Ditët e Albanologjisë’ në gjejmë rastin të organizojmë ceremoni nderi dhe simpoziume jubilare për kolegët më të merituar”.
Ai shton se në traditën e krijuar që po e përforcojmë për të gjashtin vit radhazi, “Ditët e Albanologjisë” janë momenti i bilancit tonë shkencor për gjithë vitin. “Nëse ne do ta humbnim këtë takim me albanologjinë, ne nuk do të mund të hynim me dinjitet në vitin që vjen dhe as mund të projektohemi më tutje në të ardhmen që synojmë. Për këto arsye, organizimi i ‘Ditëve të Albanologjisë’ në mënyrën më dinjitoze të mundshme, mbetet për ne gur sprove”. Mes të tjerash, ai falënderon ata të cilët bënë të mundur që, edhe këtë vit, kjo sprovë të fitohet: Kolegët e Qendrës së Studimeve Albanologjike, bashkëpunëtorët shkencorë të instituteve të albanologjisë, kërkuesit e rinj dhe doktorantët, e posaçërisht drejtuesit e Muzeut Historik Kombëtar, që për të disatën herë radhazi u bënë bashkëpunëtorët dhe mikpritësit e ngjarjes.
“Ditët e Albanologjisë”
QSA organizon këtë vit edicionin e gjashtë të veprimtarive “Ditët e Albanologjisë” që mbahen rregullisht çdo fundivit, si kurorëzim i punës kërkimore-shkencore dhe botuese të kërkuesve të QSA, të doktorantëve në shkencat albanologjike dhe të bashkëpunëtorëve të afërt. Në “Ditët e Albanologjisë” institutet e QSA promovojnë së bashku realizimet e tyre vjetore, organizojnë simpoziume jubilare, sesione shkencore, ekspozita të trashëgimisë kulturore, si dhe takime e konferenca që hapin perspektivë për vazhdimësinë e punës kërkimore në fushat e albanologjisë. Qendra e Studimeve Albanologjike, me katër institutet e saj: I Arkeologjisë, Historisë, Gjuhësisë e Letërsisë, Antropologjisë Kulturore e Studimit të Artit dhe nga grupi kërkimor i Enciklopedisë Shqiptare, me 100 studiues mban konferencën e përvitshme. Gjatë këtyre ditëve do të paraqiten numrat e fundit të revistave shkencore të instituteve të albanologjisë: Iliria, Candavia, Studime Historike, Studime Filologjike, Studime për Artin, Kultura Popullore. Ndërkaq, që në vëmendje do të jenë rezultatet e reja nga kërkimet prehistorike në Shqipëri, kërkimet arkeologjike nënujore në Liqenin e Ohrit dhe të Prespës, kërkimet arkeologjike dhe perspektiva e zhvillimit të Parkut Arkeologjik të Amantias. Durrësi antik: Probleme të trashëguara dhe të dhëna të reja, e për këto tema flasin Prof.Dr.Ilirian Gjipali, Adrian Anastasi,Prof.Dr. Bashkim Lahi, Prof.As.Dr. Belisa Muka, Dr. Elio Hodbari, Dr. Eduart Shehu. Nga Letërsia, do të trajtohet tema ‘Polemikat Letrare’, një aspekt pak i rrahur në studimet tona kritike. Prof.Dr. Laura Smaqi flet për “Këngët e Milosaos si gjeneruese polemikash; Prof.Dr. Shaban Sinani për “Krisja e parë në brezin e viteve 1960: Rasti i novelës “Dikush më buzëqeshte”; Prof.Dr. Klara Kodra për “Migjeni, ky shkrimtar kaq i diskutuar”; Prof.As.Dr. Genciana Abazi “Procesi i konformimit te shqiptarët dhe letërsia e vjetër shqipe: Nezim Berati, Hasan Zyko Kamberi dhe poetët shkodranë të shek. XVIII; Dr. Eriona Tartari “Rreth tekstit të Konicës për gjuhët natyrore dhe ato artificiale” dhe Dr. Virion Graçi “Polemistë të rinj bashkëkohorë – modele të kaluara polemikash”.
Vitet 1990
Një konferencë shkencore më vete i kushtohet temës “Nga komunizmi drejt demokracisë: tranzicioni shqiptar”. Instituti i Historisë përqendrohet këtë radhë në hulumtimet e fundit rreth momentit historik të ndërrimit të sistemeve dhe të tranzicionit të tejzgjatur shqiptar. Prof.Dr.Ana Lalaj rrëfen temën “Kriza e komunizmit dhe përqasja shqiptare”; Prof Dr.Hamit Kaba “Politika e jashtme e Shqipërisë përballë sfidave për ndryshim (1985- 1990)”; Melsi Labi “Situata në Ballkan në fund të viteve 80: rasti i Shqipërisë”; Prof.As.Dr. Sonila Boçi “Ngjarjet e vitit 1990: shteti komunist shqiptar përballë fundit të pashmangshëm”; Dorian Koçi “Tranzicioni kulturor në Shqipërinë e kapërcyellit e viteve ’90”.
Gjuha
Për gjuhën do të flasin Akademik Gjovalin Shkurtaj, Prof.Dr. Anila Omari, Prof.Dr. Emil Lafe, Prof.Dr. Shezai Rrokaj, Prof.Dr. Rami Memushaj, Prof.Dr. Valter Memisha, Prof.As.Dr. Enkeleida Kapia, etj, ndërsa temat që trajtohen janë: Dialektet e gjuhës shqipe, çështja e marrëdhënieve të gjuhës letrare (përkatësisht standarde) me dialektet, toskërishtja në këndvështrimin e Jorgji Gjinarit, etj.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
