BERAT- Besimtarët ortodoksë kudo në botë, festojnë ditën e Ujit të Bekuar. Në kalendarin ortodoks 6 janari njihet edhe si dita e Ethofanisë ose festa e dritave. Reshjet intensive që përfshinë vendin gjatë gjithë ditës, nuk i ndalën qindra besimtare të merrnin pjesë në ceremonitë e organizuara të hedhjes së kryqit në ujë në disa qytete të Shqipërisë.
Besimtarët sfiduan temperaturat e ulëta dhe shiun dhe garuan për të nxjerrë kryqin nga uji, i cili hidhet në lumenj apo liqene. Ne rast se kjo nuk është e mundur ceremonia realizohet edhe brenda kishës.
BERAT
Ne Berat pasi është bekuar disa herë, kryqi është hedhur në ujërat e lumit Osum, ku për shkak të reshjeve prurjet kanë qenë të mëdha. Kanë qenë 12 djem të guximshëm beratas, të cilët u futën në lumë, për të nxjerrë kryqin, por atë ka arritur ta nxjerrë nga lumi 21-vjeçari Ilia Karabina, banues në lagjen “Goricë”.
DURRES
Ceremonia e ditës së Ujit të Bekuar në Durrës ka mbledhur besimtarët të shumtë të cilët sfiduan reshjet e shumta të shiut, dhe temperaturat e ftohta të Adriatikut . Katër djem të rinj janë hedhur në det për të kapur kryqin e hedhur në ujë. 20-vjeçari Xhulio Arapi arriti te kape I pari kryqin e hedhur ne det.
FIER
Dita e ujit të bekuar është festuar edhe në Fier. Ndryshe nga vitet e tjera këtë vit kryqi i hedhur në shatërvanin e qytetit ka qenë prej druri e jo prej metali çka ka bërë që në momentin e hedhjes të qëndrojë mbi ujë, duke e bërë të thjeshte kapjen e tij nga të rinjtë. Ka qenë 12-vjeçari Athanas Davidhi ai që ka nxjerrë kryqin nga uji për të dytin vit radhazi. 12-vjeçari ka marrë edhe shpërblimin prej 5 mijë lekë të reja.
GJIROKATER
Në Gjirokastër, kryqi u hodh në ujërat e lumit Drino, ku 36-vjeçari Llukan Todri u bë shpëtimtari i kryqit duke sfiduar të ftohtin dhe nivelin e lartë të ujit pas reshjeve të dendura të shiut.
SARANDE
Në Sarandë, në një mot të trazuar dhe me shi të vrullshëm, kryqi u hodh në detin Jon. Të shumtë kanë qenë ata që u zhytën në det për kapjen e Kryqit, të cilin e kapi për të tretin vit radhazi 23-vjeçari Kristaq Qose nga Saranda.
Sipas ritit, për të marrë kryqin duhet të futen në ujë vetëm të rinj meshkuj dhe ai që e merr i pari konsiderohet i bekuar për këtë vit. Pas shërbesës së Bekimit të ujit, besimtarët marrin ujin e bekuar, duke e përdorur atë për shërim shpirtëror e fizik , për familjen dhe të afërmit e tyre. Mbas kryerjes së këtij riti, besimtarët kanë marrë nga uji i bekuar, të cilin e mbajnë për një vit të plotë në shtëpitë e tyre.
(ed.me/news24/BalkanWeb)