POGRADEC – Reshjet e dendura te shiut përgjatë ditëve të fundit në juglindje, kanë shkaktuar probleme në disa zona të Pogradecit. Si pasojë e reshjeve dhe fryrjes së lumit Devoll është shembur rruga lidhëse e komunës Dardhas me 6 fshatra, ndërsa 4 banesa rrezikojnë të shemben si pasojë e rrëshqitjes së dheut. Banorët thonë se nuk kanë ku të shkojnë ndaj detyrohen të qëndrojnë brenda banesave të tyre edhe pse rreziku është i madh.

Kryebashkiaku i Pogradecit, Eduart Kapri, i cili ka parë nga afër problemet e zonës, bëri të ditur marrjen e masave për ndërtimin e një muri mbrojtës dhe mbushjen e rrugës.

“Po shket gjithë rruga, përbën një rrezik të madh. Ka shkarë muri mbajtës, dhe gradualisht po bllokohet gjithë rruga. Nga ana e Bashkisë po merren të gjitha masat që të paktën këtë rrugë ta bëjmë të kalueshme, në mënyrë që të mos bllokohet qarkullimi i banorëve. Sot jemi në kushtet e një emergjence. Bashkia e Pogradecit është në vështirësi të madhe financiare dhe nuk kemi mundësi të realizojmë një projekt të mirfilltë për rehabilitimin e kësaj pjese rruge. deri tani për bashkinë e Pogradecit nuk ka ardhur asnjë ndihmë monetare, as logjistike. kemi kërkuar të na mbështesin të paktën me makineri të rënda, të cilat Bashkia e Pogradecit nuk i disponon, deri tani nuk ka ardhur asnjë ndihmë.”- deklaroi Eduart Kapri.

Si pasojë e reshjeve të shiut vijon të ketë probleme aksi Lozhan-Mesmal ku rrëshqitjet e dherave dhe gurët kanë bllokuar rrugën duke izoluar 6 fshatra.
(er.nu/news24/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: