NGA ENIDA HIMAJ*
Dorina Mema ishte dhe fituesja e edicionit të 6 të “Dancing with the stars”. Duket se fituesja edhe këtë herë nuk është lënë pa përfolur se fitorja ishte e pamerituar. E drejtpërdrejt dhe krejtësisht e sinqertë, Dorina u është përgjigjur edhe këtyre komenteve negative. “Thashethemet, as sytë ziliqarë nuk i kujtoj”, shprehet bukuroshja. Një replikë ka edhe për Ambrën, konkurrenten e cila nuk ishte dakord me fitueses. Sipas sportistes, Ambra nuk ka qenë kurrë në nivelin e saj dhe kurrë nuk e ka parë si konkurrente. Gjithçka mirë edhe në jetën private të Dorinës, ku pas 450 trëndafilave, na paralajmëron për një dasmë.
Dorina Mema, fituesja e “Dancing with the stars”, si u ndjetë teksa u përmend emri juaj?
Përpara se Ami të thoshte emrin tim, m’u ftoh stomaku dhe pata të njëjtën drithërimë si atëherë kur fitova vendin e parë në Itali në sportin tim. Dhe ishte ndjesia e parandjenjës. Kur dëgjova emrin, përqafova Besin dhe i thosha ‘s’ka mundësi’. Dëgjuam që isha shumë vota përpara dhe këtë e prisja. sepse ata që më mbështetën, më mbështeten realisht duke votuar e jo me llafe boshe e komente pa lidhje nëpër rrjete sociale. Kam synuar mos të bëj matje në skenë me hapa, por të sfidoj veten në lëvizje që i shikoja te profesionistë në “You Tube”. Balerini që më ndërtonte koreografinë qeshte me rrëzimet dhe ripërsëritjet e mia të lëvizjeve pa fund, nuk dorëzohesha deri sa ta arrija.
A e prisnit?
Në fillim kur juria më sulmonte normalisht për ta nxjerrë sportin jashtë loje dhe u krihnin bishtin atyre që matnin skenën me hapa, u mërzita. Padrejtësitë më bëjnë të mos ha as bukë, por unë nuk bëj si të tjerët që merren me llafe, ofeza e sajesa, fillova të studioja koreografi me vështirësi, ku Iliri s’kishte ku të lëvizte pa i vlerësuar. Kjo u dallua puntaë pas puntate, ku çdo të enjte sillja figura të reja, të cilat Iliri m’i vinte në pah me emrat përkatës në gjuhën e baletit, gjë që te konkurrentët që pretenduan kupën s’u dëgjuan këto terminologji gjatë vlerësimit. Nejse, energjia pozitive e imja, pozitiviteti, durimi, puna ime nuk humbën.
Si ishin konkurrentët e tjerë, teksa i shikonit në pistë, e bënin diferencën me ju?
Çdo konkurrent aty doli nga vetja, solli çdo të enjte një risi, një përmirësim kam parë tek Beatrixi, e cila ka shkëlqyer, ishte hirushja jone, Niko u përmirësua 100%, Albatrosi mësoi rumbën më në fund. Zerka më la pa fjalë natën finale, edhe pse me shpatull të dëmtuar krejtësisht, Rovena një ndryshim rrënjësor, Tokja punoi shumë me të. Kurse Florin e kam vlerësuar qysh ditën e parë në prova, sikurse ai ma kishte frikën për kupën qysh në fillim. Ajo që më ka lënë mbresë në “Dancing” ka qenë mbesa e Florit, i kam dobësi fëmijët, por edhe ata më duan shumë, ai fëmijë ishte talent në skenë.
Veçmas urimeve dhe përqafimeve, a ndjetë xhelozinë e tyre pas shfaqjes?
Negativitete ka pasur plot, por çuditërisht energjia negative tek unë s’ka vend dhe të këqijtë largohen vetë. As nuk i kujtoj, as thashethemet, as sytë ziliqarë, asgjë. Ruaj momente fishekzjarrësh në “Dancing”.
Ndërkohë, i menjëhershëm ka qenë reagimi juaj pas intervistës së Ambrës, a e dinit që e shikonte veten si fituese?
Për Ambrën kam një SMS: Thuaj faleminderit Jurgenit, edukatës, xhentilesës, durimit të tij se Ambra po të kishte pasur një nga balerinët që kisha unë, kishte ikur qysh puntatën e parë. Edhe pse ishte e përkëdhelura e jurisë, ne prapë s’u mërzitëm kurrë, s’e kuptoj pse u mërzit Ambra kur fitova unë, kur vetë ata e thanë qysh ditën e parë: ‘Atë të fitnesit s’e mundim dot’. Nejse, Ambra u shfaq shumë bukur në skenë, por fitorja kërkon shumë punë. Unë Ambrën si gjithë konkurrentët e kam dashur fort dhe s’e kemi parë si konkurrente, por si pjesëmarrëse për të shijuar eksperiencën. Kështu thoshte edhe vetë ajo.
Si po vijon karriera juaj sportive, çfarë sfidash ju presin?
Nga fitnesi nuk heq dorë kurrë, është pjesë e imja, mund të shkëputem nëse vendos të bëj një fëmijë e t’i rikthehem prapë, në federatën jashtë Shqipërisë, jo këtu.
Gjatë pjesëmarrjes në “Dancing” do të mbaheni mend edhe si vajza e 450 trëndafilave, si u ndjetë kur patë aq shumë lule?
Lulet ishin të pamenduara nga unë, sepse jeta private s’ka pse ngatërrohet me atë publike, jam e aftë t’i ndaj e t’i ruaj. Di të them që kam një lidhje aq të fortë sa jemi një. Jam e lumtur dhe besoj kjo është një qetësi e imja, që më jep vetëbesim të merrem me gjithçka, kur ke zemrën plot, një tip i fortë si unë çan male. Gjendja shpirtërore e familjare është gjithçka për ne të shenjës së Gaforres.
Kush ishte personazhi që ju dërgoi një dhuratë aq të veçantë?
Personazhi është bashkëshorti im, ku së shpejti do të shpallim martesën po në privatësi.
Tanimë që “Dancing”, përfundoi si do të vijojë e përditshmja e Dorinës, krahas punës suaj?
Përditshmëria ime nuk dihet, jeta ime vjen plot surpriza nga java në javë. Si fillim do të iki për ski, pasi është një sport që unë e zotëroj shumë mirë dhe më qetëson vetmia mes maleve të bardhë. Më pëlqen e bardha, gjej veten tek bardhësia e dëborës. Më pas do t’i rikthehem stërvitjes dhe zyrës sime.
(m.k/Bluetooth/BalkanWeb)
