Nga: Enida Himaj*
Me Kristin jemi mësuar të na presë çdo ditë në “Kolor”. Prej disa kohësh moderatorja është mikpritësja e emisionit në TVSH. Edhe pse kërkon një angazhim dhe përgatitje të madhe, Kristi na tregon se për të nuk është aspak e vështirë, por një punë që e plotëson. Bukuroshja e cila vjen nga spektaklet e bukurisë, kthehet edhe njëherë pas në kohë për të na treguar vlerën që “Miss Shqipëria” pati për të, si dhe për të gjitha vajzat që marrin pjesë. Edhe pse jo shumë e dinë, Kristi është vajza e deputetin të Partisë Socialiste, Ylli Ziçishti. Vetë prezantuesja tregon se pak e njohin si vajza e deputetit, pasi e përditshmja e saj nuk ka ndryshuar. Dashuria mesa duket ka gjetur edhe Kristin, pasi prej vitesh po jeton një histori të bukur dashurie, ku nuk heziton ta fshehë këtë as në rrjetet sociale.
Prej kohësh drejtoni “Kolor” në TVSH, si ka qenë kjo eksperiencë për ju?
Ka qenë një ëndërr e bërë realitet. Kur isha e vogël, merrja elektrikun e dorës dhe bëja sikur prezantoja emision. Shikoja programet italiane, në atë kohë e dashuroja Ambra Angiolinin kur prezantonte. Unë hipnotizohesha kur isha para televizorit. Ëndërroja të isha pjesë e tij, ndaj e them me sigurinë dhe ndjenjën më të madhe që është eksperienca më e bukur që më ka ndodhur.
Sa e vështirë është të jeni thuajse përditë në transmetim?
Nuk është aq e vështirë sa duket. “Kolori” është një skuadër e bashkuar, që punon me shumë dashuri për të transmetuar gati çdo ditë në ekran, për dy orë e 15 minuta aktivitete, informacione, materiale po ashtu edhe temat më aktuale dhe interesante. Karakterizohemi nga fryma e grupit. Kam një partner si Erioni, i cili me humorin e tij i bën gjërat më të thjeshta. Kemi një autore si Alda Bida, e cila kujdeset për çdo gjë, kujdeset që ne të kemi informacionin e nevojshëm dhe të ndjehemi të sigurt kur dalim në ekran, pasi është një përgjegjësi dhe emocion shumë i madh të jesh gjithmonë live para një publiku. Kujdeset që ne të ndjehemi gjithmonë mirë nga ana shpirtërore. Për mua “Kolori” është shtëpia ime, ku edhe pse je sëmurë, i lodhur, i lumtur nuk rri dot pa të…
Cilat janë temat që nuk do t’i trajtonit thuajse kurrë në “Kolor”?
Unë jam bashkëprezantuese në “Kolor”, politikat editoriale të programit nuk i di dhe nuk i njoh. Por, jam pjesë e diskutimeve, të temave të paracaktuara. Jam bërë edhe pjesë e mbledhjeve apo sugjerimeve për të ftuarit. Kjo, sepse unë kam shumë dëshirë të dal nga kornizat e një drejtuese programi, të cilës ia përgatisin të gjitha. Diskutimi është përparësi dhe mjaft i rëndësishëm në “Kolor”. Politikat edukative dhe informuese janë elemente të rëndësishme në programin që unë drejtoj. Të jesh pjesë e RTSH është përgjegjësi shumë e madhe. Është ekrani që e ndjekin të gjithë në Shqipëri dhe jashtë saj. Jam në fillimet e mia. Me hapa të hedhur pa u ngutur e duke i mbështetur gjërat hap pas hapi. Baza e mirëndërtuar është siguria e së ardhmes.
A është e vërtetë që më së shumti ndiqen temat që kanë të bëjnë me seksin?
Mendoj që jo. Nga “Kolori” kam mësuar shumë gjëra, kam mësuar që ka të rinj, të cilët e mbushin ditën e tyre me shumë aktivitete. Të rinj që heqin dorë nga kafet për t’i bërë të tjerët të ndjehen më mirë. Kam mësuar që shtëpitë e të moshuarve kanë histori të cilat janë më interesante se filmat. Kam mësuar që emocionet më të mëdha vijnë nga njerëz të thjeshtë, por që me shumë dashuri dhe përkushtim bëjnë gjëra të mëdha. Kam mësuar që personat me aftësi të veçanta, shpesh kanë më shumë talente se të tjerët. “Kolori” më ka hapur sytë, duke parë një realitet tjetër. Një realitet shqiptar, që shumë nga ne nuk e shohin dot.
E keni nisur rrugëtimin tuaj në televizion nga kompeticionet e bukurisë, si e kujtoni atë periudhë?
Eh çfarë kohësh! Qershori i vitit 2008 ka qenë një kthesë e bukur për mua. Nuk ma priste kurrë mendja që unë do fitoja “Miss Turizmi” dhe “Miss Publiku” tek “Miss Shqipëria 2008”. Almeda Abazi fitoi “Miss Shqipërinë” dhe ajo sot është aktore në Turqi. Ka qenë vit shumë fatsjellës. Ja tani që ti më bërë këtë pyetje, unë vazhdoj kujtoj me shumë emocion sfilatat, muzikën, provat. Nuk e dija çdo të thoshte të ishe në qendër të vëmendjes. Nuk e dija që uniforma e “Miss Shqipërisë” kishte aq shumë rëndësi kur ecje nëpër rrugët e Shqipërisë. Ku do të isha unë po të mos konkurroja tek “Miss Shqipëria”? Po të mos kisha njohur Aldën, Petrin dhe Egin. Do vazhdoja të ëndërroja akoma me siguri.
Mendoni akoma se funksionojnë spektaklet e bukurisë, a munden femrat që të katapultohen në botën e ekranit?
Varet nga spektaklet e bukurisë. Sa serioze janë ato me përzgjedhjen e vajzave në të gjitha aspektet. Tek “Miss Shqipëria” vajzat vijnë paraqiten dhe është një staf i tërë që kujdeset për to që në çastin që shkelin në sallat e audicionit. Bëhet një intervistë me pyetje të ndryshme nga të gjitha fushat, ku pasqyrohet një kulturë e përgjithshme e vajzës. Nuk ishte dhe aq e thjeshtë të ishe pjesë e ‘Miss’-it më besoni. Unë kam fluturuar nga gëzimi kur më morën në telefon për të më lajmëruar që isha përzgjedhur tek 31 vajzat. Nuk doja as çmim dhe asgjë. Doja thjesht të pranohesha, vazhdimësia pastaj nëse ka dëshirë të katapultohet në ekran apo jo varet nga përkushtimi dhe serioziteti i vajzës.
A vlerësohen sot në Shqipëri femrat e bukura, a paragjykohen?
Varet nga mentaliteti i njerëzve. Nuk mund të vlerësohesh sepse je thjesht e bukur. Nuk mund përsëri të paragjykohesh sepse je e bukur. Është një plus dhe nuk mund ta mohojmë.
Ndërkohë njiheni edhe si vajza e deputetit Ylli Ziçishtit, si e patë praninë e babait tuaj nga mjekësia në politikë?
Ishte e çuditshme, pasi për babain tim mjekësia ka qenë jeta e tij. Në asnjë moment të jetës ai nuk u shkëput prej saj. Kur isha e vogël e vizitoja shpesh në spital dhe nuk e kam parë asnjë ditë të mërzitur në punën e tij. Edhe kur vinte prej saj, ishte gjithmonë i lumtur. I lodhur, por gjithmonë i lumtur. Asnjëherë madje nuk e kam kuptuar se kur flinte gjumë ai. Jetonte për pacientët e tij. Nuk e perceptoja dot babin në politikë. Kur je baba, je heroi i vajzës. Kur je kirurg, je hero i të gjithëve. Në mjekësi kur jep një premtim është në dorën e kirurgut ta zgjidhë. Në politikë gjërat janë ndryshe.
Kristi preferon babain si mjek apo si deputet?
Për mua, babi do të jetë gjithmonë mjek, edhe sot, kur më pyesin se çfarë pune bën babi u përgjigjem kirurg. Kur unë linda, ai ishte kirurg, edhe kur u rrita po ashtu. Në shtëpinë tonë prej babit jemi bërë mjekë të vetvetes. Momentet kur ndante me ne sukseset e operacioneve të vështira, gati të pamundura ishin thjesht momente të çmuara. Rreth 40 vite mjek përkthehet rreth 40 vite që u jep mundësinë njerëzve të jetojnë. Herë pas herë e pyes: “Ba, të merr malli për spitalin? – Më merr – përgjigjet gjithmonë”.
Çfarë ka ndryshuar në familjen tuaj ky post, a e shikoni më rrallë babain tuaj, a vijnë më shumë njerëz në shtëpinë tuaj tashmë?
Gjërat nuk kanë ndryshuar shumë, sepse babi ka qenë gjithmonë shumë i dhënë pas punës. Kur ishte mjek, kur kishte të sëmurë të rëndë për dy ditë nuk vinte në shtëpi që t’u qëndronte sa më afër pacientit të tij. Gjithashtu, edhe telefoni nuk pushonte 24 orë. Babi asnjëherë nuk e fikte dhe nuk e fik telefonin. Më rrallë e shoh sepse duhet të shkojë tek zona e vet elektorale dhe të kujdeset për problemet që kanë njerëzit. Kështu, duhet të qëndrojë për ditë të tëra larg shtëpisë. Më merr malli, sepse tashmë unë në punë, ai në punë dhe sa vijnë e takimet bëhen më të rralla. Vëllai im me të cilin jam shumë e lidhur punon oficer, po kështu si babi, edhe ai në rendje gjithmonë në ndihmë të komunitetit, mami është ajo që mundohet të organizojë kohën dhe në këtë mënyrë të kalojmë sa më shumë kohë me familjen.
Ka njerëz që ju shikojnë ndryshe për faktin se tashmë jeni vajza e një deputeti?
Më besoni që shumë pak e dinë këtë fakt. Nuk më ka pëlqyer të njihem si vajza e deputetit, por si Kristi. Në fillim, kur babi fitoi zgjedhjet, shumë nga shoqëria ime u shprehën se unë do të ndryshoja në sjellje në të ardhmen për shkak të këtij fakti. U thashë ‘jo, nuk ka për të ndodhur’. Tani më thonë që kam të drejtë. Bëj të njëjtat gjëra që kam pas bërë. Jam rritur në një familje ku më kanë mësuar se thjeshtësia është virtyt. Për mua është komoditet. Vazhdoj të marr autobusin e Unazës kur jam vonë për punë, frekuentoj të njëjtat vende që kam pasur frekuentuar dhe kam të njëjtët miq që kam pasur.
Po vetë a keni ambicie për politikë?
Deri tani jo. Dashuroj punën që bëj dhe nuk do të më pëlqente t’i ngatërroja të dyja. Për t’u marrë me politikë, mendoj se duhet shumë punë dhe përkushtim. Përkushtimi im në këto momente është për “Kolorin” dhe Rrjetin e Vullnetarëve Shqiptare, organizatën ku angazhohem.
Në rolin e tij si mjek, i është dashur të mungojë shpesh, po tani sa i mungon familjes, si e rikuperoni kohën e humbur?
Për këtë pjesë kemi mamin, e cila gjithmonë mundohet të na mbledhë. Unë kam dhe një vëlla më të madh, i cili është i martuar dhe më ka bërë dhuratën më të bukur, një nip me emrin Joan. Mami është një organizatore e lindur. Nuk e di as vetë se si ia del të na mbledhë të gjithëve së bashku. Për të familja është shumë e rëndësishme. Shpeshherë madje, unë dhe mami e shoqërojmë babin në zonën e tij elektorale që të kalojmë më shumë kohë së bashku. Mundohet gjithmonë të gjejë forma të ndryshme.
Ndërkohë, shumë e dashuruar shfaqeni edhe në rrjetet sociale, si po ecën dashuria për Kristin?
E vërtetë. Jam aktive në rrjetet sociale. Nuk më pëlqen që “Instagram”-in ta përdor për foto profesionale, pasi “Instagram”-i është për të treguar jetën tënde. Nëse duam të jemi realë, le të jemi. Unë nuk e kam pasur asnjëherë problem të postoj gjëra të ndryshme. Kur postojmë lloj-lloj budallaqesh, përse mos të postojmë edhe dashurinë. Asaj që i kanë thurur poezi, shkruar romane, kompozuar këngë. Problemi në ditët e sotme është se njerëzit po vjedhin ditën dhe dashurojnë natën. Dashuria është ndjenja më e bukur, ndaj më pëlqen që emocionet e gjërave të bukura t’i ndaj me të tjerët.
Si jeni njohur ju të dy, pas kaq vitesh si ka ndryshuar marrëdhënia?
Jemi njohur në një nga baret e Tiranës, nga një mikja jonë e përbashkët, e cila mundohej të krijonte lloj-lloj situatash “të rastësishme” që ne të takoheshim rastësisht. Dhe ja ku jemi sot… Është miku im më i mirë.
