Një hapësirë e re po i kthehet Vlorës me rikonceptimin e sheshit të Flamurit, ndërtimin e Parkut të Shtëpisë së Pavarësisë dhe infrastrukturën lidhëse të rrugës Transballkanike me detin. Zbatimi i projektit për rikualifikimin urban të sheshit dhe ndërtimin e Parkut parasheh edhe integrimin e kësaj hapësire me Lungomaren deri tek zona e njohur si tuneli ne qytetin bregdetar.

Kryeministri Rama inspektoi ecurinë e punimeve në këtë shesh që po ndryshon krejt pamjen e derisotme të qendrës. Projekti i sheshit dhe parkut, shpjeguan zbatuesit e punimeve, është konceptuar me të paktën 16 lloje të ndryshme palmash, ku mbi 80% shtohen të reja.

“Do të punohet me nivele të ndryshme, për të krijuar një konfiguracion të plotë”, tha nje prej zbatuesve ne terren.

“Spektakël është, dhe se si u hap gjithë kjo hapësirë. Dukej e pamundur që të kishte kaq hapësirë. Nga Sheshi i Flamurit deri tek Tuneli, ti ecën në këmbë pa ndërprerje ose me biçikletë. Super është, dhe prit që të hapet ajo tjetra aty”, tha Rama.

Shoqëruesit e kryeministrit përgjatë këtij inspektimi ishin Damian Gjiknuri dhe nënkryetari i bashkisë, Afrim Qendro, ndërsa pranë tij nuk u pa kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli. Edhe dje Leli nuk ishte i pranishëm në asnjë inspektim të Ramës në lagjet “Çole” dhe “Kume”.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb