NGA ENIDA HIMAJ
Brunia bukuroshe i ka joshur të gjithë. Eliona Pitarka ka vendosur të mbetet gjatë një ndër personazhet më sensuale të showbizzit shqiptar. Pasi u bë e njohur si vajza që prezantonte lajmet topless, modelja po ndjek ëndrrën e saj, duke provuar aktrimin tek “Grand Hotel 2xl”. Krahas ekstravagancës që nuk e kursen, bukuroshja na thotë se nuk do të guxonte të pozonte nudo. Paragjykimet nuk e trembin, sepse sipas saj, të gjithë ata që e paragjykojnë, edhe e pëlqejnë atë. Jeta private do të vijojë të mbetet një enigmë, duke shprehur se deri më sot nuk ka marrë ngacmime të paskrupullta nga politikanë apo biznesmenë.
Si po ecën Eliona tek “Vizion Plus”, sa je përshtatur me rolin në “Grand Hotel 2xl”?
Absolutisht shumë mirë. Mu dha mundësi të bëj gjënë që kam pasur ëndërr gjithmonë, aktrimin. Aty të gjithë më kanë mirëpritur dhe ndihmuar shumë.
Si ju erdhi ftesa për të qenë pjesë e këtij projekti?
Më erdhi një ftesë nga produksioni për të provuar veten si aktore e “Grand Hotel 2xl” dhe siç thashë më lart duke marrë parasysh që aktrimi ka qenë gjithmonë pasioni im, pranova me shumë dëshirë.
Keni hequr dorë tashmë nga sensualja në skenë?
Unë në fakt sapo mbarova sezonin e parë në “Grand Hotel 2xl”, normalisht që sensualiteti që kam shfaqur në skenë, me atë të punës sime si modele do të pasqyrohet edhe në aktrim.
Mendoni se seksi shet, a nuk është “velur” Shqipëria me këto pamje tanimë?
Nuk është velur bota e jo më Shqipëria. Si kudo në botë edhe këtu normalisht që shet, por nuk mendoj se për shumë gjatë. Kështu që unë përveç sensualitetit po mundohem të jap sa më shumë për pasionin dhe talentin tim në televizion dhe aktrim.
Sa e njohin Elionën në rrugë, a doni të mbaheni mend si vajza seksi që guxon?
Që pas fillimit të sezonit në “Grand Hotel 2xl” fillova të njihesha nëpër rrjetet sociale akoma edhe më shumë. Gjithashtu edhe në rrugë, veçanërisht nga të rinjtë, ku shprehen se më ndjekin dhe më pëlqejnë. Nuk besoj se jam unë e vetmja femër sexy dhe që kam guxuar, nëse do më cilësonin si të vetmen do të ishte kompliment.
Do të guxonit me foto tërësisht nudo kundrejt një pagese të majme?
Jo, nuk do të pozoja kurrë nudo.
Paragjykohet sensualja këtu në Shqipëri, sa jeni paragjykuar ju?
Paragjykohet po aq sa komentohet dhe pëlqehet. Mendoj se janë po ata njerëz që paragjykojnë, por edhe që të ndjekin.
Ndodh që t’ju kenë ngacmuar njerëz me pozitë, deputetë, ministra politikanë?
Jo absolutisht, nuk kam pas ngacmime të tilla.
Si i keni parë deklaratat e kolegeve tuaja që kanë deklaruar se kanë marrë ftesa për festa private të politikanëve?
Është hera parë që po dëgjoj për ftesa nëpër festa të tilla. Nuk jam as në dijeni se çfarë kanë komentuar ose deklaruar koleget e mia në lidhje me këtë gjë.
Si është jeta private e Elionës, përse nuk ju kemi parë kurrë në një foto me një mashkull?
Sepse preferoj që jetën time private ta mbaj larg mediave.
(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
