Pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut, Enver Hoxha personalisht ka propozuar që në vend të tij të emërohet Kadri Hazbiu, por në rrugë e sipër projekti ka ndryshuar.
Këtë e tregon në vijim të rrëfimit të tij për gazetën “Panorama” inxhinier Luan Pogaçi, ish-zyrtar i Lartë i Sigurimit që ka drejtuar për shumë vite Shërbimin e Ndërlidhjes për lidershipin komunist. Ai kujton se vendimi i marrë së pari në Byronë Politike për emërimin e Hazbiut në vend të Shehut, megjithëse në fshehtësi, është mësuar nga zyrtarët e lartë të Ministrisë së Brendshme dhe është mirëpritur, për vet figurën e tij si ish-ministri historik i Sigurimit të Shtetit.
Por, ajo çfarë ka ndodhur më tej, me procedurën e zyrtarizimit të projektit të iniciuar nga kreu i partisë, për Pogaçen ka mbetur mister ende i pazbardhur.
Në numrin e sotëm, ish-shefi i Ndërlidhjes së Bllokut tregon të papriturat e mbledhjes së Kuvendit Popullor që nuk kaloi për miratim emrin e Kadri Hazbiut për postin e Kryeministrit, siç ishte paravendosur, por atë të Adil Çarçanit…
LUAN POGAÇI
Tragjedia e Mehmet Shehut dhe fryma e krijuar për denoncimin e tij si poliagjent dhe kreu i organizatës armiqësore që do përmbyste pushtetin popullor, në radhët e punonjësve të Ministrisë së Brendshme dhe sidomos atyre të drejtorisë së dytë që kishte për mision ruajtjen e personaliteteve politike e shtetërore, u përjetua me shumë tension dhe ankth.
Furtuna e shpërthyer në mbarë opinionin për të zbuluar deri në detaje profilin e plotë të veprimtarisë armiqësore të ish-Kryeministrit dhe bashkëpunëtorët e tij në këtë aventurë vrastare, viktimizoi me dhjetëra e ndoshta me qindra personalitete zyrtare, ish-ushtarakë e oficerë të lartë të Sigurimit të Shtetit.
Përjashtimi nga partia dhe shkarkimi nga përgjegjësitë zyrtare ishin masat më të buta, krahasuar me ata që prangoseshin e përfundonin në qelitë e tmerrshme. Tronditjet më të mëdha ishin ato që vijuan fill pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut, duke u shtrirë në pjesën e parë dhe të dytë të vitit 1982. Sidoqoftë, partia sipas porosive të ardhura nga organet e larta, mundohej të krijonte përshtypjen e vijimësisë, ndërkohë që kishte ndodhur kriza e madhe. Shqipëria për disa muaj, pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut ishte pa Kryeministër. Lart e poshtë, si gjithnjë, qarkullonin fjalë për emrin e njeriut që do të ulej në karrigen e kreut të Ekzekutivit. Thashethemnajat ishin nga më të ndryshmet, por njëra ndër to, sidomos për ne oficerët e Ministrisë së Brendshme ishte më bindësja: Mehmet Shehun mund ta zëvendësonte vetëm Kadri Hazbiu!
Dhe në fakt kështu ndodhi. Enver Hoxha që ndiqte me vëmendje situatën delikate, më në fund në një takim të ngushtë me lidershipin politik kishte argumentuar pse Shqipërisë i duhej një Kryeministër si Kadri Hazbiu. Ka qenë janari i vitit 1982 kur në radhët e zyrtarëve të njohur të Ministrisë së Brendshme, u hap lajmi se ish-ministri ishte propozuar nga kreu i partisë të bënte detyrën e Kryeministrit. Pavarësisht se nuk diheshin me detaje si kishte rrjedhur mbledhja ku Enveri kishte bërë propozimin për zëvendësimin e Mehmetit, në radhët tona flitej se në një mbledhje të ngushtë Enveri kishte vendosur pa pikë dileme që Hazbiu të zinte postin e kryetarit të qeverisë.
Sidoqoftë, prisnim legalizimin zyrtar të këtij emërimi të rëndësishëm. Zërat që vinin nga aparati i Komitetit Qendror, bënin me dije se në mbledhjen e radhës që do të bënte Kuvendi Popullor do të bëhej noterizimi i emërimit të Hazbiut. Të paktën deri në atë periudhë, askush nuk e vinte në diskutim kandidaturën e Kadri Hazbiut, por sakaq askush nuk guxonte të shprehej për zgjedhjen përfundimtare, pasi nga koha kur Hoxha kish- te shprehur mendimin për këtë kandidaturë, kishin ndodhur jo pak ngjarje që kishin penalizuar një mori zyrtarësh të lartë të Ministrisë së Brendshme. Megjithatë, mbledhja radhës e Kuvendit Popullor i dha fund dilemës për Kryeministrin që do të zinte karrigen e Mehmet Shehut. Befasia ishte e jashtëzakonshme, sidomos për ne oficerët e Ministrisë së Brendshme, që kishim muaj që ishim njohur me lajmin se Kadri Hazbiu do të zëv- endësonte Mehmet Shehun. Por, si rrodhi mbledhja e shumë pritur që do të prodhonte kreun e Ekzekutivit dhe çfarë ndodhi që emri i Kadri Hazbiut të zëvendësohej me atë të Adil Çarçanit…
MBLEDHJA QË NOTERIZOI ADIL ÇARÇANIN KRYEMINISTËR
Në ditën e mbledhjes së Kuvendit Popullor ne prisnim me ankth kur do të bëhej njoftimi i emërimit të Kryeministrit. Unë si zakonisht në këto mbledhje rrija në fund të sallës. Të parët erdhën deputetët që mbushën sallën, pastaj anëtarët e Byrosë Politike dhe të kryesisë së Kuvendit Popullor që mbushën tribunën. Ramiz Alia ishte në qendër të tribunës në rreshtin e parë, ndërsa Kadri Hazbiu në rreshtin e dytë në anën e djathë. Në fytyrën e tij dallohej një ndjenjë gëzimi. Së paku, kështu na dukej ne që e dinim më parë se në këtë mbledhje ai do të zyrtarizohej me detyrën e lartë. Deri këtu ne ishim të bindur se kështu do të ndodhte, prandaj qëndron në anë të rreshtit që ta ketë të lehtë kur të çohet për të bërë betimin.
Mbledhjen e hapi zëvendëskryetari i Kuvendit Popullor, Xhafer Spahiu. Ai doli në tribunë dhe bëri njoftimin. Ne të gjithë, sy e vesh aty. Salla, në heshtje të thellë. Spahiu, si iu afrua mikrofonit, kumtoi: “Kryesia e Kuvendit Popullor propozon shokun Adil Çarçani për detyrën e lartë të Kryeministrit të Shqipërisë”. Adili deri në atë kohë ishte zëvendëskryeministër. Në ajër u ndje një pasthirrmë e lehtë. Në këtë çast, Kadri Hazbiu kthehet me vështrim nga Ramiz Alia, i cili sakaq kishte mbërthyer sytë nga ai. Një kryqëzim vështrimesh që rrezatonte habi dhe emocion njëherazi.
Aty për aty, Ramizi ngre supet lart dhe bën fytyrën në mënyrë habitore, sikur kërkonte të sqaronte Hazbiun se ai nuk dinte gjë për sa kumtohej aty, por edhe nuk kishte çfarë të bënte për të korrigjuar atë që ishte vendosur. Kjo shfaqje e çuditshme ndërmjet dy ish bashkëpunëtorëve të vjetër, më la të kuptoja se kishte pasur një marrëveshje ndërmjet tyre, por Ramizi e kishte shkelur tinëzisht. Në atë mbledhje Kadriu u emërua ministër i Mbrojtjes, ndërsa Feçorr Shehu u emërua Ministër i Brendshëm. Unë nuk pata ndonjë përplasje me të. Përflitej se ishte shumë i egër dhe arrogant, por unë nuk kam pasur ndonjë kontakt me të. Ai tashmë në detyrën e re, tregohej shumë komunikues dhe i merrte problemet me qetësi. Unë bashkëpunova me vajzën e tij, e cila ishte arkitekte e Muzeut Historik.
Ndërsa me shoferin e tij, Nardin, kisha shoqëri dhe me lejen e Feçorit merrnim makinën “Aro” me radio të ministrit dhe shkonim në qytete të ndryshme. Asokohe kisha nisur një studim për të ndërtuar hartën e nivelit të ndërlidhjes me radiostacionin “TIG” në gjithë Shqipërinë. Nardi ishte djalë me shumë humor dhe tërë rrugës tregonte barsoleta. Deri këtu shkuan raportet e mia me Feçorin dhe stafin e tij. Pas disa muajsh, atë e arrestuan dhe ministër i Brendshëm erdhi Hekuran Isai./panorama