Kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili tha dje se në të gjitha sondazhet, rreth 90 për qind e shqiptarëve nuk besojnë apo kanë vlerësimet e tyre më negative për drejtësinë.

Zoti Vasili, LSI ka bërë sugjerimet e saj për draftin për reformën në drejtësi, a do të thotë kjo që nuk jeni dakord me draftin e përgatitur nga ekspertët?
Për të qenë korrekt me të gjitha zhvillimet që kanë ndodhur për një çështje madhore, siç është reforma në drejtësi, nuk është çështja që ne nuk jemi dakord apo jemi dakord. Reforma në drejtësi, duke qenë një reformë e gjerë, kërkon gjithmonë e më shumë mendime dhe sugjerime sa më të shumta. Dhe pasi kemi marrë opinionin e parë të ‘Venecias’, kemi parë edhe reflektimet përkatëse që i janë bërë raportit nga ekspertët, që e kanë hartuar herën e parë e që janë reflektuar përsëri mbi të mbi bazë të raportit të ‘Venecias’, pikërisht në frymën e këtij raporti, ne kemi bërë disa sugjerime, të cilat janë besoj një kontribut plus, një kontribut i shtuar në mënyrë që, në marrjen e raportit përfundimtar që vjen besoj në gjysmën e dytë të shkurtit. Sigurisht për tavolinën e punës të komisionit të posaçëm të reformës në drejtësi të ketë sa më shumë opinione, sa më shumë qëndrime, të cilat afrohen gjithnjë e më shumë drejt një opinioni të qendërzuar siç është ai i ‘Venecias’, për të pasur një reformë në drejtësi, e cila është e qëndrueshme dhe afatgjatë dhe jo një reformë që lind sot dhe vdes nesër, e cila prodhon tërësisht mosbesim dhe një pasiguri të madhe tek qytetarët për drejtësinë. Së dyti, është një reformë, e cila për shkak të këtij debati, diskutimi duhet të zhvillohet nën hullinë e një reforme transparente. Transparente, sepse është një cilësi shumë e domosdoshme e sistemit.

Dhe së treti, një reformë, e cila do të jetësojë standarde të larta të drejtësisë, sepse duke pasur standarde të tilla të larta, ne mund të kemi pikërisht atë drejtësi, të cilët qytetarët presin e tek e cila qytetarët besojnë. Pra, një drejtësi, rezultatet e së cilës, qytetarët do të kenë mundësi t’i prekin. Pra, kur marrin drejtësi, kur nuk vonohen, kur nuk janë të shantazhuar apo të kërcënuar nga korrupsioni, por një vendim i drejtë, i bazuar në ligj, do t’i japë të drejtë atij që e ka dhe sigurisht ai që nuk e ka, nuk do ta fitojë këtë të drejtë. Këtë duhet ta zgjidhë ligji dhe nuk duhet ta zgjidhë as korrupsioni, as shantazhi apo ligjet e paqarta. Ndaj, për këto arsye dhe duke qenë se bëhet fjalë për një prekje serioze të Kushtetutës, sigurisht është gjithmonë një debat i hapur, diskutimet e shumta e ndihmojnë. Dhe ne jemi përpjekur të japim kontributin tonë për të pasuruar këtë, duke u nisur edhe nga disa shtylla ku Komisioni i Venecias ka orientuar sugjerimet e tij, ku ka kërkuar ndryshime minimaliste në Kushtetutë, pra vetëm për elementë parimorë të saj. Njëkohësisht ka sugjeruar thjeshtëzim të institucioneve për t’i bërë qytetarët të kuptojnë se, duke qenë institucione të qarta e të thjeshta, kuptohen qartë edhe përgjegjësitë e secilit në sistem. Pra, nëse kemi një drejtësi me elemente korruptive, t’i gjejmë menjëherë, t’i identifikojmë menjëherë, të gjejmë edhe fajtorët, në mënyrë që të mos ta lëmë sëmundjen të rëndohet në kohë, pra duke mos vazhduar duke pasur drejtësi të keqe e mosbesuese, por të kemi drejtësi dhe një qëndrim të rreptë ndaj atyre që abuzojnë në sistemin e drejtësisë.

Megjithatë, z. Vasili, fakti që është një draft i hartuar nga ekspertët dhe nga ana tjetër kemi rekomandime nga LSI-a, gjithashtu edhe nga PD-a, a nuk tregon për një mungesë konsensusi politik?
Mendoj që kjo rrugë është një rrugë që ndërton konsensus. Ç’dua të them me këtë? Në rast se në një sekondë dhe menjëherë, të gjithë do të kishin një qëndrim të unifikuar, në çast, për një draft, i cili është i ekspertëve, nuk është i tryezës politike, do të thotë që do të kishim o një konsensus prematurë, pra të papjekur si duhet, i cili mund të na prodhonte ato sëmundje të konsensuseve të shpejta që i kemi pasur kohë më parë. Kushtetuta është ndryshuar për herë të fundit në vitin 2008 dhe konsensusi u arrit shumë shpejt, jashtë syve të publikut, pa transparencë. Dhe ja ku jemi sot, ja ku ndodhemi këtu, të obliguar, të detyruar të ndryshojmë Kushtetutën në mjaft pika të saj për ta bërë sistemin e drejtësisë të funksionojë.

Pra, do të thotë, një konsensus i ngjizur aty–aty, në çast, pa parime të shëndosha dhe pa transparencë, nuk bën gjë tjetër veçse riprodhon problematika negative. Kjo rrugë ndërton një konsensus më solid, pra të gjitha palët të ulen në tavolinë, janë të ndërgjegjshëm për atë që kanë përpara, kanë një udhërrëfyes të përbashkët që është Komisioni i Venecias, ka një ndjeshmëri politike maksimale që reforma në drejtësi duhet të jetë shumë e thellë, që të hyjë në qelizën e sistemit, për të përmirësuar në rrënjë çdo element ku ai sistem çalon. Sepse mosbesimi i qytetarëve të ky sistem është një kambanë e fortë për të gjithë. Për LSI është mobilizuar një nivel ekspertize i shkëlqyer, por edhe PS apo PD kanë ekspertë mjaft të zotë. Pra, të gjitha palët që në mënyrën më të përgjegjshme ofrojnë dhe debatojnë për më të mirën dhe në fund bien dakord, ky do të ishte ai konsensus që do të prodhonte një gjë që qëndrueshme. Ne kemi pasur problemin e madh të bërjes së ligjeve me ngut. E për t’u dhënë përgjigje të gjithë atyre pyetjeve dhe konstatimeve që kanë ndodhur në praktikë, që të kemi ligje edhe të mira por edhe me garanci zbatimi të plotë, pikërisht për këtë arsye është ky qëndrim aktiv.

Ky është një shërbim në favor të konsensusit, përfshirë këtu edhe asistencën juridike dhe politike të faktorit ndërkombëtar, të ambasadorit amerikan në mënyrë të veçantë, i cili është investuar jashtëzakonisht. Ambasadorja Vlahutin, e cila po ashtu kanë qenë aktive në këtë proces si dhe misionet e tyre, ai OPDAT i ambasadës amerikane dhe EURALIUS i Bashkimit Evropian. Pra, janë hedhur në fushë ekspertizat më të mira vendase dhe të huaja, por argumenti më i qartë politik për të arritur konsensusin. Kjo, e shoqëruar me gjithë eksperiencën e duhur na çon te ai konsensus që dëshirojmë. Objektivi është që të arrihet një konsensus për një reformë që duan qytetarët dhe ato rezultate që qytetarët presin me durim.

Referendumin si alternativë si e shikoni? Në fakt deri më tani ka pasur qasje të ndryshme, por a është i mundur të realizohet referendumi për reformën në drejtësi?
Votuesit tanë na kanë besuar t’i përfaqësojmë ata dhe në radhë të dytë të ushtojmë në mënyrë të përgjegjshme vullnetin për ato që ata i shqetëson. E thashë edhe më lartë që në të gjithë sondazhet rreth 90 për qind e shqiptarëve nuk besojnë apo kanë vlerësimet e tyre më negative për drejtësinë. Rreth 90 për qind e shqiptarëve, të cilët nuk janë as votues të LSI, as të PD, as të PS, pra është një shqetësim i përbashkët. Të gjithë përfaqësuesit e këtyre votuesve janë në Parlamentin shqiptarë. Unë nuk besoj se ka ndonjë forcë politike që merr kurajën e rëndë politike dhe të mos e mbështesë reformën në drejtësi. Shqiptarët kanë mandatar 140 burra dhe gra për ta bërë këtë punë dhe mungesa e vullnetit në reformën në drejtësi do të thotë mos përfaqësim i votës që të kanë dhënë shqiptarët. Marrë nga “Ora”
(ed.me/GSH/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: