Ka nisur pelegrinazhi i bektashinjve në Malin e Tomorit. Besimtarët i janë që prej ditës së djeshme malit të shenjtë, ku deri në 25 gusht në këtë vend do të jetë festë. Ashtu siç është bërë tashmë traditë, pika kulmore e kësaj feste të shenjtë është data 22 gusht, ndërkohë që përgjatë këtyre ditëve pelegrinët kryejnë ritet duke bërë kurban, ndezin qirinj dhe luten.

Në një lidhje live për ‘News24’ gazetari Ferdinand Samarxhi raportoi nga mali i Tomorrit se deri më tani në këtë vend kanë ardhur mbi 350 mijë pelegrinë, ndërsa shtoi se deri në darkë pritet që numri të shkojë mbi 450 mijë. Sipas tij, pelegrinët ashtu si për çdo vit, udhëtojnë nga mbarë bota për të marrë pjesë në këtë festë të shenjtë në malin e Tomorrit.

Sipas traditës, pelegrinët mbërrijnë në pikën më të lartë të malit Tomorr, ku në një teqe të vogël prehet shenjti Abaz Ali, vëllai i gjetur i profetit Muhamed. Me mbërritjen e tyre në mal, pelegrinët ngrenë çadrat në këtë vend të shenjtë duke kryer jo vetëm kurbanin e festës, por duke ngjitur me këmbë edhe majën e Malit të Tomorrit, i cili ndodhet 2416 metra mbi nivelin e detit.

Edhe pse mendohej se pandemia do t’i frenonte pelegrinët për t’u bërë pjesë e këtij peligrinazhi, që prej datës 18 që u shënua edhe nisja e pelegrinëve të parë drejt malit, ndërkohë që festimet do të përfundojnë të martën në mbrëmje. Çdo pelegrin që bëhet pjesë e kësaj feste kryen në mal ritet shumëshekullore të besimit bektashi për festën e Abaz Aliut, ku përfshihen ndezja e qirinjve në vendet e shenjta, dhurimi i të hollave pranë objekteve të kultit dhe flijimi e një deleje apo qengji.

Sakrifica e qengjit është rituali i veçantë i kësaj feste, ku në shenjë pastrimi pas flijimit, besimtarët duhet të lyejnë ballin me gjakun e qengjit të sapotherur, të kryejnë lutjen dhe më pas mishi i qengjit të sakrifikuar piqet në hell dhe ndahet ndërmjet pelegrinëve.

Për mbarëvajtjen e Pelegrinazhit të shenjtë në Malin e Tomorrit si dhe për të siguruar respektimin e protokolleve të sigurisë për shkak të Covid-19, Drejtoria Vendore e Policisë së Beratit, ka hartuar që prej datës 19 gusht një plan të detajuar masash, duke shtuar kontrollet dhe efektivët e policisë rrugore përgjatë të dyja akseve që të çojnë drejt Teqesë së Kulmakut në Malin e Tomorrit si dhe në vendin ku zhvillohet peligringazhi. Ditët e pelegrinazhit në Malin e Tomorrit përfundojnë në 25 gusht, por kulmi i kësaj feste arrin në datat 22 dhe 23 gusht.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb