Kreu i grupit parlamentar Taulant Balla ka prezantuar nismën e 39 deputetëve të maxhorancës për ndryshimet kushtetuese zgjatjen e mandatit të dy institucioneve që kryejnë vettingun e prokurorëve e gjyqtarëve.

Pas largimit të opozitës nga Këshilli i Legjislacionit, Balla iu bëri apel për të votuar ndryshimet kushtetuese që kanë të bëjnë me shtyrjen deri në vitin 2024 të mandatit të dy organeve të vettingu.

Ai theksoi se zgjatja e mandatit të organeve të vetting rekomandohet fuqimisht nga partnerët tanë ndërkombëtarë që kanë mbështetur Shqipërinë në çdo hap të reformës në drejtësi BE dhe SHBA si dhe në tërësi nga komuniteti ndërkombëtar në Shqipëri. Sipas tij, procesi i rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve ose siç njihet gjerësisht në publik si procesi i vettingut është një nga shtyllat e Reformës në Drejtësi që parashikohet në dispozitat kushtetuese dhe ligjore, përbën një masë të jashtëzakonshme dhe tranzitore, por të nevojshme për drejtësinë e pavarur dhe eficente.

Ai shtoi se bazuar në projeksionet që marrin në konsideratë kohën mesatare që merr një proces rivlerësimi në KPK rezulton se përmbyllja e të gjitha çështjeve nga organet aktuale të rivlerësimit (KPK dhe KP) në skenarin ideal kërkon të paktën dhe dy vjet të tjera kohë tej mandatit të tyre kushtetues 5 vjeçar, por në skenarin më të mirë deri në 31.12.2024.

Balla theksoi se ky ndryshim kushtetues i natyrës teknike është në interes të drejtësisë së pavarur dhe eficente, dhe rrjedhimisht në interes të publikut, ndaj nuk duhet parë vetëm si nismë politike.

FJALA E PLOTË E BALLËS
Nisma e paraqitur nga 39 deputetë të Partisë Socialiste në bazë të nenit 177, pika 1 të Kushtetutës për ndryshime kushtetuese ka për qëllim përmbylljen me sukses të procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në kuadër të zbatimit të Reformës në Drejtësi.

Nisma në thelb propozon ndryshimin e nenit 179/b, pika 8 të Kushtetutës për zgjatjen e mandatit të dy organeve të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorë, ose siç njihen organet e vettingut, konkretisht Komisioni i pavarur i Kualifikimit dhe Komisionerët Publikë, deri në datën 31 dhjetor 2024. Sipas parashikimit aktual kushtetues ky mandat përfundon në datën 17 qershor 2022.

Përpara se ta prezantoj nismën në përmbajtje, dëshiroj të informoj kolegët e nderuar se çështja e shtyrjes së mandatit të këtyre organeve është diskutuar dhe më herët gjatë legjislaturës se kaluar, rreth muajit maj dhe qershor të këtij viti, por në atë kohë u vlerësua që të mos ndërmerrej kjo nismë për ta lënë shqyrtimin e saj në sesionin e ri, në këtë sesion pra, kur opozita (PD) do të ishte pjesë e Kuvendit. Ky ka qenë dhe rekomandimi i partnerëve tanë strategjikë BE dhe SHBA në atë kohë.

Aktualisht zgjatja e mandatit të organeve të vetting rekomandohet fuqimisht nga partnerët tanë ndërkombëtarë që kanë mbështetur Shqipërinë në çdo hap të reformës në drejtësi BE dhe SHBA si dhe në tërësi nga komuniteti ndërkombëtar në Shqipëri.

Me një shkresë të shtatorit të këtij viti Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, Komisioni Evropian ka sugjeruar shtyrjen e afatit të organeve të vetting, letër qe besoj e keni ne materialet ne dosjet tuaja, me arsyetimin përkatës duke rivënë në vëmendje rëndësinë e trajtimit të kësaj çështje me prioritet.

Procesi i rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve ose siç njihet gjerësisht në publik si procesi i vettingut është një nga shtyllat e Reformës në Drejtësi që parashikohet në dispozitat kushtetuese dhe ligjore, përbën një masë të jashtëzakonshme dhe tranzitore, por të nevojshme për drejtësinë e pavarur dhe eficente.

Bazuar dhe në rekomandimet e Komisionit të Venecias, procesi i vettingut u parashikua në Kushtetutë si një sistem i kualifikuar, i pavarur e i paanshëm, ad hoc, me funksion rivlerësimin e njohurive profesionale, të integritetit moral, etik dhe psikologjik të gjyqtarëve dhe prokurorëve, të kombinuar me një verifikim të posaçëm të pasurisë së tyre ku barra e provës iu lihet subjekteve të verifikuara, duke ofruar të gjitha garancitë e nevojshme procedurale për proces të rregullt dhe respektimin e të drejtave të njeriut, përfshi të drejtën e ankimit efektiv.

Sistemi i vettingut për rivlerësimin e rreth 800 subjekteve, gjyqtarë dhe prokurorë si dhe ndihmësa/këshilltarë ligjorë, kryhet nga tre organe dhe konkretisht Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK), organ administrativ që shërben si shkallë e parë rivlerësimi; Komisioneri Publik (KP) që përfaqëson interesin publik dhe të drejtën e ankimit ndaj vendimeve të KPK dhe Kolegjin e Pavarur të Apelimit (KPA) si një dhomë pranë Gjykatës Kushtetuese që shqyrton ankimet e subjekteve të rivlerësimit ose KP ndaj vendimeve të KPK. KPK dhe KP kanë mandat 5 vjeçar nga data e fillimit të funksionit, ndërsa mandati i KPA është 9 vjeçar.

Dispozitat kushtetuese parashikuan dhe zgjidhje për rastet kur KPK, KP dhe KPA nuk do mund të përmbyllnin çështjet e rivlerësimit me mbarimin e mandatit të tyre. Konkretisht çështjet e pashqyrtuara të KPK do shqyrtohen nga Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) për gjyqtarët dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) për prokurorët. Pas shpërbërjes së KP, kompetencat e tyre ushtrohen nga Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme (SPAK). Ankimet ndaj vendimeve të KPK ende të papërfunduara do të shqyrtohen nga Gjykata Kushtetuese.

Mandati i KPK dhe KP mbaron në Qershor 2022;
Nga të dhënat që kemi marrë nga Ministria e Drejtësisë rezulton se këto organe kanë shqyrtuar rreth 421 çështje (të dhënat Korrik 2021);
ndërsa nga të dhënat deri më 30 shtator 2021: janë 448 vendime të shpallura në KPK, nga të cilat 429 janë të arsyetuara.

Deri në përfundim të mandatit KPK duhet të ketë shqyrtuar dhe arsyetuar afërsisht 370 çështje/vendime. Kjo supozon një normë më të lartë evadimi sesa norma aktuale që KPK po përballon dhe në përfundim të mandatit të KPK pritet të mbeten pa shqyrtuar rreth 1/3 e çështjeve, të cilat kalojnë për shqyrtim në KLGJ në KLP.

Në përfundim të mandatit të këtyre organeve do mbeten pa shqyrtuar rreth 1/3 e çështjeve, të cilat kalojnë për shqyrtim në KLGJ në KLP.

Bazuar në projeksionet që marrin në konsideratë kohën mesatare që merr një proces rivlerësimi në KPK rezulton se përmbyllja e të gjitha çështjeve nga organet aktuale të rivlerësimit (KPK dhe KP) në skenarin ideal (nëse nuk ka shkarkime, sëmundje, apo shkak tjetër që ngadalëson punën) kërkon të paktën dhe dy vjet të tjera kohë tej mandatit të tyre kushtetues 5 vjeçar, por në skenarin më të mirë deri në 31.12.2024..

Shkaqet që kanë sjellë mospërmbylljen e gjithë çështjeve brenda mandatit 5 vjeçar nga KPK sic analizohen në relacionin që shoqëron nismën tonë variojnë nga sfidat e krijimit të institucioneve prej së pari, krijimi i bazës rregullatore për kryerjen e funksioneve, konsolidimi i një praktike që varej dhe nga bashkëpunimi me institucione të tjera për hetime administrative, dhe pa diskutim pandemia COVID 19 që ndërpreu për disa muaj punën e organeve të vetting dhe ngadalësoi atë ndjeshëm në vitin 2020.

Në situatën aktuale zgjidhja e parashikuar në Kushtetutë që çështjet e pashqyrtuara në KPK të kalojnë për shqyrtim në KLGJ dhe KLP paraqet disa implikime:
 KLGJ dhe KLP do marrin më shumë kohë se KPK për të përmbyllur procesin. Nëse sipas projeksioneve procesi i rivlerësimit mendohet të përfundohet nga KPK në vitin 2024, (dy vjet pas përfundimit të afatit kushtetues 5 vjeçar të KPK në skenarin ideal) apo deri në 31.12.2024 në skenarin më të mirë, dhe nëse marrim në konsideratë dhe kohën që do u duhet Këshillave të krijojnë bazën rregullatore, strukturat përkatëse dhe mënyrën e operimit për realizimin e këtij procesi rivlerësimi, Këshillave do u duheshin të paktën 3 vjet e gjysmë (në skenarin më pozitiv), të realizonin këtë proces. Kjo nuk do ishte në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias në opinionin (2016)009 që procesi i vettingut si masë e jashtëzakonshme duhet të jetë e kufizuar në kohë.

 Ligjvënësi kishte parashikuar që pak raste, kryesisht raste që lidhen me këshilltarët ligjorë, të mbeteshin për t’u përfunduar nga Këshillat, pra me një rrezik të ulët të korporatizmit dhe konfliktit të interesit. Ndërkohë që Këshillat do duhen të merren me shqyrtimin e shumë çështjeve (1/3 e çështjeve), që përbën një numër të konsiderueshëm rastesh për gjyqtarë dhe prokurorë.

 Ekziston dhe rreziku i krijimit të mospërputhjeve, pra standarde të ndryshme për vlerësime të ndryshme, pasi Këshillat por dhe SPAK që merr kompetencat e KP nuk kanë përvojë në procesin e vetting dhe do duhet të impenjohen për konsolidimin e procedurave të hetimit administrativ dhe garantimin e një procesi të rregullt ligjor.

 Ekziston rreziku që Këshillat të gjenden në një situatë konflikti interesi pasi ato duhet të sigurojnë funksionimin e gjykatave/prokurorive si funksion parësor dhe thelbësor dhe në të njëjtën kohë të mbajnë një standard të lartë të rivlerësimit. Sa më sipër, mund të ndikojnë dhe në krijimin e perceptimit të paragjykimeve në publik.

 Garancitë për të drejtat e njeriut të konfirmuara nga GJEDNJ për organet e rivlerësimi nuk janë ende të konfirmuara plotësisht nga GJEDNJ për Këshillat. Vendimet e Gjykatës së Strasburg për rastet e vetting janë gjykuar si në përputhje me standardet për të drejtave e njeriut.

 Trupat e KPK përbëhen aktualisht nga 3 anëtarë, ndërsa të KPA nga 5 anëtarë. Skenari kushtetues që çështjet e mbetura pa shqyrtuar nga organet vetting do t’i kalojnë Këshillave në kohën e hartimit e konceptonte punën e këshillave në komisione me nga tre anëtarë që mund të gjykonin si trupa me përbërje numerike njësoj me KPK. Por pas miratimeve kushtetuese, ishte Gjykata Kushtetuese që e ndryshoi këtë skenar.

Kështu në Vendimin e saj nr. 41/2017, Gjykata Kushtetuese vendosi që organi vendimmarrës në Këshilla është në çdo rast seanca plenare e Këshillave, duke konsideruar komisionet prej 3 anëtarësh në secilin Këshill si organe këshillimore. Mbi këtë bazë, Këshillat do duhet të shqyrtojnë çështjet e vetting me 11 anëtarë, situatë e cila përveç se sjell mbingarkesa me funksionet bazë të Këshillave, por dhe mënyra shqyrtimi, procedura e standarde të ndryshme nga KPK dhe Këshillat.

Për sa më sipër, nisur nga numri i lartë i çështjeve që kanë mbetur pa shqyrtuar në KPK, ne besojmë se zgjidhja më optimale për të përmbyllur me sukses procesin e vettingut dhe në të njëjtën kohë të mos mbingarkojmë Këshillat me funksione shtesë, tej atyre që i kanë parësore për rritjen e pavarësisë dhe eficencës në gjykata e prokurori është zgjatja e mandatit të KPK dhe KP deri në 31.12.2024.

Ne jemi të vetëdijshëm se ky propozim që lidhet me ndryshime kushtetuese ka sfidat e veta sepse kërkohet konsensus i gjerë politik, por nga ana tjetër vlerësojmë se ky ndryshim kushtetues i natyrës teknike (them teknike sepse nuk propozojmë ndonjë risi apo mekanizëm të ri ligjor për procesin vetting) është në interes të drejtësisë së pavarur dhe eficente, dhe rrjedhimisht në interes të publikut, ndaj nuk duhet parë vetëm si nisëm politike dhe aq më tepër jo për ne si nismëtare dhe PS, por për interesin e gjerë publik.

Ne, duke llogaritur dhe fazat që merr shqyrtimi parlamentar për rishikimin e kushtetutës, e morëm nismën për të mos humbur kohë në adresimin e një zgjidhje e cila mendojmë se është e duhura.

Jam mirënjohës që në shqyrtimin e kësaj nisme, referuar dhe praktikës së mirë të Kuvendit do kemi bashkëpunim dhe asistencë të partnerëve ndërkombëtarë SHBA dhe BE që kanë mbështetur Shqipërinë dhe kanë asistuar me ekspertizë Reformën në Drejtësi dhe që tashmë dhe publikisht e rekomandojnë këtë ndryshim kushtetues.

Jam besimplotë që do arrijmë në këtë procedure parlamentare ta miratojmë së bashku këtë nisëm ligjore, duke mos parë llogoret politike, por duke u fokusuar te qëllimi i drejtë se të gjithë subjektet e vettingut, gjyqtarë apo prokurorë qofshin duhet të vetohen njësoj nga të njëjtat organe e me të njëjtën procedure. Kjo do të përmbushte dhe pritshmëritë e publikut për procesin e vettingut.

Në përfundim i kërkoj kolegëve të nderuar ta përqafojnë këtë nismë të 39 deputetëve e pas shqyrtimit nga mbledhja e përbashkët ta miratojnë atë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb