* Policia 3 mln lekë shpërblim për këdo që ka informacion
* Kontrolle për autorët në 4 qytete
* Gjendet kallashi i tretë 500 m larg lokalit, 46 të shoqëruar
ELBASAN- Një ditë pas masakrës me 3 të vrarë dhe 8 të plagosur në Elbasan, detaje të reja dalin në pah. Burime nga grupi hetimor pohojnë për News24 se autorët ishin 4 dhe kanë qëlluar në të njëjtën kohë nga 2 makina. Policia dyshon se ka edhe një armë tjetër, e pagjetur ende. Ndërkohë janë sekuestruar pamjet filmike nga kamerat e sigurisë që ndodheshin pranë vendit të ngjarjes, pamje që pritet të hedhin dritë për identifikimin e autorëve. Po kështu burime nga policia deklarojnë se janë gjetur shenja gishtash tek 3 armët e hedhura që janë gjetur deri tani. Mësohet se vrasësit mbanin të veshur kamuflazh ushtrie, ndërsa pasi kanë kryer krimin armët i kanë hedhur para lokalit.
“Grupi hetimor ka sekuestruar në vendin e ngjarjes 2 armë zjarri automatik që dyshohet se i kanë lënë në vendngjarje autorët e krimit, dy krehra pa fishekë dhe një krehër me 26 fishekë si dhe 65 gëzhoja”, njofton zyrtarisht policia në një deklaratë të mëngjesit të sotëm. Mësohet se një grup Specialistësh të Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë së Shtetit të kryesuar nga Drejtori i Krimeve të Rënda në bashkëpunim me Specialistet për Krimet e Rënda në Drejtorinë e Policisë Elbasan si dhe me Prokurorinë e rrethit Gjyqësor Elbasan po vijojnë punën për zbardhjen e ngjarjes.
Mësohet se 8 personat e plagosur (tre prej të cilëve janë në gjendje kritike për jetën) kanë qenë jashtë lokalit nën shoqërinë e viktimave dhe janë të gjithë të afërm me njëri-tjetrin.
POLICIA SHPËRBLIM 3 MLN LEKË PËR INFORMACIONE PËR VRASËSIT
Policia e Shtetit ka vënë në dispozicion 3 mln lekë shpërblim për këdo që ka informacion për vrasësit dhe ngjarjen. Policia deklaron se siguron anonimatin e personave që informojnë dhe vë në dispozicion dy numrat: 0694100353 dhe 129.
“Policia e Shtetit është angazhuar maksimalisht me të gjitha kapacitetet e saj për të kapur autorët e ngjarjes tragjike të mbrëmjes së djeshme në Elbasan dhe për këtë kërkohet dhe bashkëpunimi me qytetarët. Efektivët e rendit dhe sigurise janë angazhuar maksimalisht për për të zbardhur ngjarjen e ndodhur në mbrëmjen e datës 03.02.2016 në një lokal në Krastë të Elbasanit. Per kete, Policia e Shtetit kërkon bashkëpunimin e komunitetit për të bërë të mundur zbardhjen sa më të shpejtë të kësaj ngjarje të rëndë kriminale. Policia e Shtetit vë në dispozicion 3.000.000 (tre milione) lekë për çdo informacion të vlefshëm që çon në zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve. Sigurojmë anonimatin për çdo shtetas që do japë info të saktë në numrat e celular: 0694100353 dhe ne numrin pa pagesë 129”, thekson Policia.
Policia vijon kontrollet në të gjithë zonat për rreth Elbasanit për kapjen e personave, të cilët qëlluan me armë në drejtim të lokalit, ku humbën jetën tre persona e mbetën të plagosur 8 të tjerë.
I PLAGOSUR BLEDAR MUÇA LË SPITALIN, MË RËNDË LUAN MUÇA
Mjekët e Qendrës Spitalore të Traumës kanë dhënë informacion për 6 të plagosurit e ngjarjes së rëndë në Elbasan. Shefi i Kirurgjisë, mjeku roje dhe shefi i reanimacionit tregojnë se një prej të plagosurve, Bledar Muça ka lënë spitalin, ndërsa në gjendje më të rëndë është Luan Muça.
“Një nga të plagosurit, më rëndë ka dëmtime shumëfishe. I plagosuri rëndë ka dëmtime në veshkë por gjendje është stabël. Nuk kemi vendosur për ndërhyrje kirurgjikale. Më rëndë është Luan Muça, i cili ka ende predha plumbi në trup. Luan Muça, Ferit Muça dhe Bujar Rreshka ndodhen në reanimacion. Bujar Reshka është i intubuar dhe mbahet në oksigjen”, kanë pohuar mjekët.
SI NISI KONFLIKTI
Zanafilla e vrasjeve që po trondisin prej 11 vjetësh Elbasanin kanë nisur në 26 dhjetor 2005, natë kur u ekzekutua Sokol Çapja, një biznesmen i njohur i zonës. Pronari i kompleksit gjigand “Univers” u vra në një atentat të tipit mafioz, ndërsa rrinte në shoqërinë e dy vajzave.
Pas vrasjes së Sokol Çapjes, një prej të akuzuarve ishte Gentian Beqiri. Në gusht 2012 gjykata kishte vendosur për të ‘arrest shtëpie’, ku e ruanin dy policë, por hasmi arriti të futet brenda, në sy të policisë, e ta vrasë në gjumë. Viktima Gentian Beqiri, apo siç njihej ndryshe me emrin Ardian Meta, ndodhej në arrest shtëpie prej rreth 2.5 vitesh, pasi dyshohej si i implikuar në vrasjen e biznesmenit Sokol Çapja, në vitin 2005. Viktima, 40 vjeç, kishte më shumë se 6 vjet që ishte thuajse i paralizuar, pasi në tentativë për t’i shpëtuar policisë, u hodh nga një lartësi e konsiderueshme në Komisariatin e Sarandës, ku ai ishte arrestuar gjatë një tentative për të kaluar kufirin.
Një prej të akuzuarve për vrasjen e Beqirit ishte edhe Florenc Çapja, i cili ka mbetur i plagosur mbrëmjen e djeshme. Mësohet se Florenc Çapja i shpëtoi akuzës pasi paraqiti dokumente që tregonin se gjatë kohës së krimit ndodhej në Maqedoni.
HETIMET, SHOQËROHEN 46 PERSONA
Policia e Elbasanit ka vijuar kontrollet gjatë gjithë natës për kapjen e autorëve të masakrës me 3 të vdekur e 8 të plagosur që tronditi qytetin mbrëmjen e djeshme.
Mësohet se kontrollet janë ushtruar në 4 qytete: Elbasan, Peqin, Cërrik dhe Librazhd por edhe në akset rrugore kryesore, ku janë verifikuar të gjitha automjetet e dyshimta.
Deri tani janë shoqëruar për verifikime 46 persona, të cilët po merren në pyetje për zbardhjen e ngjarjes. Kontrolle janë ushtruar në mbi 150 garazhe makinash si dhe në zonat fushore dhe kodrinore për autorët dhe mjetin e tyre, por ende asnjë gjurmë e tyre.
GJENDET KALLASHI I TRETË, U HODH NGA “POLICËT” 500 M LARG LOKALIT
Gjendet arma e trete, tip kallashnikov që dyshohet se është përdorur nga “policët” që ekzekutuan mbrëmë tre persona në Elbasan dhe plagosën 8 të tjerë.
Paraditen e sotme rreth 500 metër larg vendit të masakrës u gjet një kallashnikov. Arma u gjet në afërsi të shinave të trenit. Më herët grupi hetimor njoftoi se gjeti dhe sekuestroi në vendin e masakrës në Elbasan plot 65 gëzhoja, dalë nga armët e autorëve të veshur me uniforma policie.
TRE KAMERA SIGURIE KANË FILMUAR MASAKRËN NË ELBASAN
Policia e Shtetit po punon intensivisht për zbardhjen e ngjarjes në Elbasan, duke mbledhur çdo të dhënë dhe provë. Nga të dhënat e fundit është raportuar se lokali ku ka ndodhur krimi, vëzhgohej nga tre kamera.
Ndonëse në dukje ishte një kafene e thjeshtë, pronarët e lokalit ishin kujdesur ta mbanin nën vëzhgim ambientin ku rrinin. Familja Çapja ishte prej vitesh në hasmëri. Dy kamerat e lokalit dhe një tjetër në një biznes aty pranë, duket se kanë filmuar të gjithë ngjarjen.
TRE TË PLAGOSUR MË RËNDË, ENDE NË RREZIK PËR JETËN
Nga 6 të plagosurit që kanë mbërritur mbrëmjen e djeshme në Spitalin e Traumës në Tiranë, 3 prej tyre janë ende në rrezik për jetën. Mësohet se Bujar Rreshka, Luan e Ferit Muça ndodhen në reanimacion në gjendje të pastabilizuar. Ndërsa 3 të plagosur të tjerë janë në gjendje më të stabilizuar.
MASAKRA
Mbrëmë, Agron Çapja bashkë me dhjetë të afërm të tij të moshës nga 25 në 55 vjeç (kushërinj, nipa e krushqi), ndodhej jashtë lokalit që dikur e ka pasur në pronësi të tij (vendi ku ndodhet lokali quhet “Rrapi i Gonit”, në Unazën jugore të qytetit të Elbasanit).
Ata ishin duke biseduar njëri me tjetrin, kur disa persona të armatosur kanë zbritur nga mjetet e tyre (pohohet të kenë qenë tre) dhe kanë qëlluar me breshëri plumbash. Autorët e krimit, në pak minuta kanë shkatërruar gjithë lokalin, ndërsa kanë vrarë tre persona si dhe kanë plagosur 8 të tjerë. Pas masakrës, ekzekutorët janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Dëshmitarët e skenës së krimit kanë parë një makinë “Benz” me ngjyrë gri t’i afrohej lokalit njëkatësh. Nga mjeti kanë dalë 4 persona, të armatosur e me kapuça, të cilët nga jashtë qëlluan me breshëri drejt lokalit.
Plumbat thyen xhamat, duke depërtuar në tavolinat ku ishin ulur si shënjestrat e autorëve, ashtu dhe klientë të rastësishëm. Pasi kanë qëlluar me breshëri, autorët u larguan me shpejtësi, me të njëjtin mjet që erdhën, ndërsa dy prej armëve i kanë hedhur në rrugë.
VIKTIMAT
Agron Çapja, 50 vjeç
Ardit Sinakoli, 27 vjeç
Eno Bedalli, 37 vjeç
TË PLAGOSUR NË SPITALIN E TRAUMËS
Fejzulla Çapja
Ferit Muça
Luan Muça
Bledar Muça
Bujar Reshka
Florenc Çapja
TË PLAGOSUR, NË SPITALIN E ELBASANIT
Ardian Zharri
Arnold Çapja
NJOFTIMI ZYRTAR I POLICISË
Elbasan- Më datë 03.02.2016 rreth orës 19:54, në lagjen Emin Matraxhiu Elbasan, persona të pa identifikuar kanë qëlluar me armë zjarri në ambientet e brendshme të lokalit në pronësi të shtetasit Agron Çapja. Kanë mbetur të vrarë shtetasit:
1. Agron Çapja, 50 vjeç, banues në Elbasan.
2. Ardit Sinakoli , 27 vjeç, banues në Elbasan.
3. Eno Bedalli, 38 vjeç, banues në Elbasan.
Gjithashtu kanë mbetur të plagosur dhe ndodhen në gjendje të rëndë shtetasit:
1. Ardian Zharri, 45 vjeç banues në Elbasan.
2. Fejzulla Çapja, 58 vjeç, banues në Elbasan.
3. Ferit Muca, 42 vjeç banues në Elbasan
4. Luan Muca, 47 vjeç ,banues në Elbasan
5. Bujar Rreshka, 40 vjeç banues në Librazhd
6. Florenc Çapja, 35 vjeç banues në Elbasan
7. Arnold Çapja, 23 vjeç, banues në Elbasan
8. Erdis Sulku, 33 vjeç, banues në Elbasan
Nga veprimet e para hetimore, në vendin e ngjarjes u gjetën e u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 1.2 armë zjarri automatik model 56, me një krehër pa fishekë 2. Një automatik model 56, me një krehër pa fishekë 3.1 krehër automatiku model 56, me 26 fishekë 4. 65 gëzhoja model 56 ,me kapsolla të goditura, 5.3 predha kalibër 7,62mm. Grupi hetimor po punon intensivisht për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Gjatë gjithë natës Forcat RENEA, FNSH dhe Policia e Elbasanit kanë ushtruar dhjetëra kontrolle në banesa, në Elbasan, Peqin, Cërrik, Librazhd e Gramsh.
Gjithashtu janë kontrolluar në akset rrugore e në qytete automjete të dyshuara që mund të lëviznin autorët. Janë krehur me këmbë zona kodrinore e fushore ku dyshohej se mund të fshiheshin autorët apo mund të kishin braktisur makinën. Si dhe janë kontrolluar mbi 150 garazhe makinash në hyrje të pallateve.
Janë shoqëruar për verifikim 46 shtetas. Një grup Specialistësh të Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë së Shtetit, të kryesuar nga Drejtori i Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Specialistët për Krimet e Rënda në Drejtorinë e Policisë Elbasan si dhe me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan po vijojnë punën për zbardhjen e ngjarjes. Materialet iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” parashikuar nga nenet 79, 25 dhe 278/2 të Kodit Penal.
(m.k/BalkanWeb)
