I ftuar në programin “Dola te Ola” këtë të diel ishte politikani i njohur shqiptar Dashamir Shehi.
Ai sikurse të ftuarit e tjerë të programit rrugëtoi nëpër kujtime dhe bëri një rrëfim të rrallë për jetën e tij. “Është mirë të dalim e të shfaqemi ndryshe”, tha Shehi për pjesëmarrjen e tij në program.
Deputeti zbuloi se ka qenë një fëmijë me fëmijëri normale dhe ka qenë një nxënës i mirë. Gjatë bisedës Dashamiri tha se nuk do të donte ta ndryshonte fëmijërinë e tij, “Fëmijëria është e lidhur me prindërit, me disa elemente të patjetërsueshme dhe nuk mund ta rindërtosh”.
Ai rrëfeu se i ati është ndarë nga jeta kur deputeti ishte në moshën 15 vjeç, dhe në formimin e tij nuk ka mundur t’i lërë shumë gjëra. “Më la një emër të mirë, më dha dinjitetin, mbiemrin”, tha ai, teksa shtoi se, “Nëna më dha lirinë”.
Dashamir Shehi tha se e ëma e tij, e cila tashmë prej vitesh ka ndërruar jetë, ishte një grua që rriti tre fëmijë pa praninë e burrit, është treguar me liberale ndaj tyre, ndaj ai ka qenë më i pavarur se moshatarët e tij.
Deputeti zbuloi se talenti i tij ka qenë dhe është komunikimi me të tjerat dhe aftësia për të ndenjur në grup, gjë të cilën ai dëshiron që ta kenë edhe fëmijët e tij.
Si një djalë tiranas që Dashamir Shehi është, vëllezërit korçarë, Endri dhe Stefi Prifti, e përshëndetën me këngën “Jam tirons, tirons i vjetër”, duke krijuar një atmosferë të bukur në program, të cilën deputeti e shijoi pafund.
(BalkanWeb)
