Në Sheshin “Skënderbej” në Tiranë është çelur edicioni i 7-të i Ditëve të Kujtesës që mbahet në datat 17-26 shkurt, e që këtë vit ka në fokus, “Mitet e komunizmit”, nga kulti i individit te mirëqenia dhe rrethimi nga armiqtë.

Pas një performance kushtuar rënies së miteve u bënë publike 6 pikat e peticionit për dekomunistizimin, që do i drejtohet parlamentit të Shqipërisë.

“I kërkojmë parlamentit, miratimin e një kuadri ligjor që ndalon propagandën e regjimit komunist, që ndalon ligjërimin glorifikues të diktaturës dhe përdorimin e simboleve të regjimit komunist në hapësirën publike; vetingun e funksionarëve politikë dhe drejtuesve të institucioneve, rishikimin e emërtimit të shkollave, rrugëve, shesheve dhe institucioneve duke propozuar ndryshime konkrete, rishqyrtimin e kurrikulave mësimore në ciklin shkollor duke propozuar krijimin e një grupi pune të përbërë nga juristë, studiues, historianë dhe specialistë të fushës”, tha Jonila Godole nga IDMC, organizatore e “Ditëve të Kujtesës”.

Nisma vjen 2 muaj pasi një deputet i kuvendit, uroi festat e nëntorit me fotografinë e diktatorit. Personazhe të njohur në Shqipëri kanë shprehur publikisht mbështetje për peticionin, ndërsa kanë kërkuar rishikimin e teksteve shkollore.

“Duhen rishikuar tekstet shkollore, sepse duhet të pasqyrojnë të gjitha masakrat e komunizmit”, tha njëri prej prej atyre që mbështesin peticionin. “Ditët e kujtesës” organizohen nga Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë në bashkëpunim me Fondacionin “Konrad Adenuaer” dhe disa aktorë vendas të kujtesës, me qëllim, ndërgjegjësimin e shoqërisë për të shkuarën. Një ekspozitë në vilën e diktatorit, disa konferenca shkencore do të mbahen deri më 26 shkurt, duke kërkuar edhe memorial për të dënuarit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: