TIRANE- Shantazhoi djalin e ishdeputetes Ermelinda Meksi, prokuroria i komunikon akuzën e “gjobëvënies”. Bëhet fjalë për Ilirjan Nezajn nga Kërnaja e Tropojës, i cili dyshohet se i ka marrë djalit 14-vjeçar një shumë prej 500 mijë lekësh. Dosja është duke u hetuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, sipas së cilës i dyshuari nga Tropoja është arrestuar pas kallëzimit të bërë nga ishdeputetja. Në akuzën e komunikuar ndaj Nezajt saktësohet se ai dhe djali i mitur janë njohur bashkë për shkak të shoqërisë së përbashkët me disa djem të tjerë të lagjes, ku banon djali i Ermelinda Meksit.

Ky i fundit në shoqërinë e të rinjve të tjerë në moshë më të madhe se ai është mbajtur nën vëzhgim dhe është fotografuar duke bërë veprime të pahijshme, mes të cilave duke pirë edhe cigare me hashash. Mësohet Nezaj i ka kërkuar adoleshentit para në këmbim të fotove dhe më pas e kërcënuar 14-vjeçarin se nëse ai nuk i sillte shumën e parave që i kërkonte, fotografitë do të binin në dorën e ish-deputetes Meksi. Sipas akuzës, i ndodhur në një presion të tillë, i riu ka shkuar në shtëpi dhe ka marrë bizhuteri të nënës së tij dhe me shumën prej 500 mijë lekësh që ka fituar nga shitja e tyre ia ka dhënë të riut tjetër nga Tropoja. Vetëm pasi ka parë se i mungonin disa bizhu, Ermelinda Meksi i ka kërkuar djalit të saj shpjegime dhe ky i fundit i ka treguar të vërtetën. Pas kësaj, Meksi dhe djali i saj 14-vjeçar kanë bërë kallëzimin në prokurori dhe pas kësaj i riu nga Kërrnaja është arrestuar dhe mësohet që ta ketë pranuar krimin gjatë deklaratës paraprake që ai ka dhënë.

(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb