TIRANE-Prokuroria për Krime të Rënda ka përfunduar hetimin dhe dërgoi për gjykim kërkesën ndaj 4 personave, të akuzuar për trafikimin të lëndëve narkotike. “Shtetasit Burim Gjunkshi, administrator i shoqërisë së transportit “Donjeta”, lindur dhe banues në Maqedoni; Aco Nikolovksi me shtetësi maqedonase, shofer kamioni, si edhe shtetasit Julian Byzyka dhe Armand Kuçi akuzohet se janë përgjegjës për trafikun e mbetur në tentativë të 2365 kg lëndë narkotike cannabis sattiva.”- bëhet me dije nga Prokuroria.

Më tej theksohet se nga hetimi i Prokurorisë për Krime të Rënda, rezulton se në datë 07.04.2014, në Portin e Durrësit, nga kontrolli i policisë në kamionin e ngarkuar me mobilje, drejtuar nga shtetasi Nikolovski, u gjetën pako me lëndë narkotike canabbis, e cila pas peshimit, rezultoi 2356 kg.

“Policia kreu arrestimin e tij në flagrancë. Nga pyetja e tij, shoferi dha disa shpjegime të pabesueshme. Sipas tij, gjatë rrugës para se të mbërrinte në portin e Durrësit, ai ishte ndaluar nga tre persona të armatosur, të cilët kishin dijeni se ai ishte rrugës drejt Italisë dhe, duke e kërcënuar me armë, kanë vendosur disa çanta në pjesën e pasme të kamionit dhe i kanë kërkuar që të mos i ngacmojë deri sa të mbërrijë në Itali. Pas arrestimit të shoferit, u kontaktua shtetasi Burim Gjunkshi, administrator i kompanisë “Donjeta”, e cila kishte në pronësi kamionin. Ky shtetas gjendej në Shqipëri ditën pas arrestimit të shoferit dhe u shoqëruar për verifikim në komisariatin e Policisë Durrës. Gjatë bisedës që ky shtetas zhvilloi me shoferin e kamionit, rezultoi se ata të dy ishin në dijeni të lëndës narkotike në kamion dhe diskutuan për mënyrën e paraqitjes së alibive të ndryshme. Në këto kushte, u bë arrestimi edhe i shtetasit Gjunkshi.”- sqaron prokuroria.

më tej sqarohet se në çantat me canabbis të gjetura në kamion, u gjet gjurma e dorës së shtetasit Julian Byzyka. “Ky i fundit rezultoi se ishte arrestuar pak ditë para se të ndalohej kamioni në Durrës, pasi, në bashkëpunim me shtetasin Armand Kuçi po transportonin nga Fieri në drejtim të Vlorës sasinë prej 1545 kg lëndë narkotike canabbis sattiva, në bordin e një furgoni.”- përfundon materiali i prokurorisë.

(a.n/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb