I ftuar në programin “Dola te Ola” këtë të diel ishte kryetari i partisë “Fryma e Re Demokratike” Sali Shehu.
Përpara se kreu i FRD-së të rrugëtonte nëpër kujtime dhe të fliste për jetën private dhe profesionale, dha mendimin e tij për luftën në Ukrainë dhe për ndikimin e kësaj të fundit në vendin tonë.
Teksa u pyet në lidhje me lajmet që kanë qarkulluar se lufta do të mbarojë në muajin maj, ai tha se një parashikim konciz për luftërat në përgjithësi nuk mund të bëhet. “Unë mendoj se do të mbarojnë rezervat e Rusisë për të luftuar. Nuk ka asnjë përkrahje ndërkombëtare, përveç Bjellorusisë”.
Ndërkohë në lidhje me protestat që po zhvillohen në vendin tonë për shkak të rritjes së çmimeve, kreu i FRD-së, Sali Shehu, tha se e ka përkrahur protestën në formë dhe në përmbajtje, “Janë qytetarë të mërzitur jo vetëm nga çmimet, por edhe me qeverisjen në përgjithësi. Kjo protestë ishte sinjali i parë i njerëzve të pakënaqur.
Sa herë ka ngjarje, ngrihen çmimet dhe më pas nuk ulen më”.
Më tej ish-deputeti Sali Shehu shtoi se Shqipëria është një nga vendet me një nivel të lartë të korrupsionit. Ai tha se paketa e ndihmës ekonomike duhet të ishte krijuar para protestës, dhe se kjo e fundit u provokua nga deklarata e kryeministrit kur u shpreh se “çmimet nuk i vendos qeveria, por kërkesë-oferta”
(BalkanWeb)
