TIRANE- Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet teksa ka përshëndetur projektligjin e qeverisë për regjistrimin e shtetasve shqiptarë që jetojnë në emigracion, ka theksuar se duhet të krijohet paketë ligjore për ta. Në të njëjtën kohë, PDIU vëren se ky projektligj ka nevojë për t’u pasuruar me të drejta të posaçme për emigrantët.

Me anë të një njoftimi për shtyp, PDIU theksoi se “Diaspora shqiptare është një pjesë e rëndësishme e kombit tonë, teksa thuajse një e treta e popullsisë jeton dhe punon jashtë vendit. Ata kanë mbajtur në këmbë ekonominë tonë për 25 vite, sikurse dhe janë kthyer në ambasadorët më të mirë të Shqipërisë. Në këtë kuptim, shteti shqiptar e ka për detyrë që të gjendet në krah të emigrantëve, sikurse është e parashikuar edhe në Kushtetutë.

Projektligji i propozuar nga qeveria është hapi i parë drejt një përkujdesje shtetërore ndaj diasporës shqiptare dhe për këtë PDIU e përshëndet. Regjistrimi i emigrantëve nevojitet për të përcaktuar politikat shtetërore ndaj tyre. Ai është i domosdoshëm për të evidentuar vendet ku shteti duhet të marrë masa konkrete për t’u ardhur në ndihmë. Mirëpo, çdo lloj sanksioni kundër emigrantëve që nuk do të deklarojnë vendin ku banojnë është i panevojshëm dhe i padëshirueshëm. Shteti shqiptar nuk mund të pezullojë shërbimet ndaj emigrantëve, pasi detyra e tij është t’u vijë në ndihmë dhe jo t’u vështirësojë jetën. Për këtë arsye, pezullimi i shërbimeve nga ambasadat dhe konsullatat shqiptare nuk është në përputhje me frymën që duhet të përçojmë.”.

Njëkohësisht, PDIU vlerëson se të drejtat e posaçme të emigrantëve duhet të përcaktohen në një paketë të plotë ligjore. “Për këtë, PDIU ka propozuar që në ndryshimet e pritshme kushtetuese, diaspora shqiptare të përfaqësohet në Kuvend me deputetë të zgjedhur nga zona të posaçme zgjedhore. Sikurse, krijimi i Ministrisë së Diasporës vijon të jetë në krye të trysnisë pozitive që PDIU ushtron ndaj çdo qeverie. E drejta e arsimimit në shqip, e përkujdesit shtetëror, e promovimit të trashëgimisë kulturore shqiptare dhe e organizimit sa më të mirë të shqiptarëve të diasporës, duhet të sanksionohen dhe detajohen në këtë paketë ligjore. Vetëm kështu, diaspora shqiptare mund të marri pas një pjesë të shërbimeve që i ka dhënë kombit tonë.

Për sa më sipër, PDIU fton qeverinë shqiptare të ngrejë një tryezë të posaçme për hartimin e paketës së plotë ligjore, nxit politikën shqiptare të pranojë propozimin për krijimin e zonave të posaçme zgjedhore në diasporë dhe i bën thirrje Ministrisë së Jashtme, Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Arsimit që të përmirësojnë projektligjin e propozuar, në drejtim të ofrimit të shërbimeve sa më cilësore.”, përfundon deklarata e PDIU-së.
(ed.me/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: