KOSOVË- Grupi i LDK-së ka kallëzuar penalalisht kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti. Kallëzimi i dorëzuar sot në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, në Prokurorinë e EULEX-it dhe në Prokurorinë Speciale të Kosovës, për shkeljet ligjore të njëpasnjëshme gjatë gjithë mandatit qeverisës dhe kërkohet që prokuroria të marrë masat shtetërore ndaj të parit të kryeqytetit.

Kallëzimi Penal përmban katër vepra penale të cilat ngërthejnë dhjetëra lëndë, që kanë të bëjnë me shkelje të ligjeve të Kosovës.

“Grupi i LDK-së në vazhdimësi, që nga gjysma e vitit 2014, ka reaguar publikisht ndaj shkeljeve ligjore të kryetarit të Prishtinës, lidhur me zbatimin e ligjit në disa fushëveprimtari në kompetencë të drejtpërdrejtë ligjore të të parit të kryeqytetit”, thuhet në njoftim.

Grupi konsideron se dispozitat e nenit 10 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale përcaktojnë qartë se Organet kryesore komunale janë: Kuvendi i Komunës dhe kryetari i Komunës.

“Ky i fundit, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, nuk i ka përmbushur përgjegjësitë e tij të parapara me dispozitat ligjore të nenit 58 të LVL. Grupi konsideron se shkeljet janë bërë në disa fushëveprimtari të caktuara të qeverisjes dhe të zbatimit të Ligjit si: të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, të Ligjit për Financat Publike dhe Përgjegjësitë, të Ligjit për Planifikimin Hapësinor, të Ligjit për Shërbimin civil të Republikës së Kosovës, të Ligjit për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbyesit civilë në Kosovë, të Ligjit për Ndërmarrjet Publike, të Ligjit për Auditorin e Përgjithshëm etj”, thuhet në njoftim.

Grupi konsideron se shkeljet kanë filluar që në fillim të mandatit qeverisës të Shpend Ahmetit dhe kanë vazhduar deri sot. “Po ashtu janë duke u përgatitur kallëzime penale të tjera me lëndë të tjera për shkeljet ligjore nga kryetari Shpend Ahmeti”, thuhet në kumtesën e grupit të LDK-së në kuvendin e Prishtinës.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: