Orkestra simfonike e Radiotelevizionit publik e ka mbyllur sezonin artistik me një koncert me dirigjentin francez Nikolas Chalvin dhe violonçelistin e parë të orkestrës së radios së Francës, Rafael Perraud. Dy artistët erdhën në Tiranë për herë të parë dhe rrëfejnë përvojën e tyre shqiptare.

“Është një përvojë e mrekullueshme. Është hera e parë në Shqipëri dhe hera e parë me Orkestrën e RTSh-së. Është një vend mikpritës dhe është gëzim të bësh muzikë me këta muzikantë që janë kaq të gjallë dhe intensivë. Shpresoj të vij sërish e të bëjmë repertor me orkestrën”, tha Nikolas Chalvin, dirigjent.

Ndërkaq, violonçelisti i parë i orkestrës së Radio France, Rafael Perraud , thotë se “programi që zgjodhëm për koncertin në Tiranë është një muzikë titpike e shpirtit francez të fundit të shekullit të 19-të e fillimit të shekullit të 20-të. Në Paris jam çelist i parë në orkestrën radios kombëtare të Francës. Rikthimi pas pandemisë dhe ritakimi me audiencën është një moment shumë e mire”.

“Elegjia” e Gabriel Faure, koncert për violonçel dhe orkestër nga Saint Saens dhe simfonia bota e re e Dvorzhak u luajtën para publikut në Arturbina. Orkestra e RTSh-së është në një moment delikat me procesin e zgjedhjes së një drejtori të ri artistik, çka pritet të sjellë ndryshime. Ky sezon është menaxhuar nga Vlorent Xhafaj që eshtë angazhuar në riformulimin e vijimësisë së saj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: