Ajo shihet si kandidatja më potenciale për t’u bërë kryeministrja e ardhshme e Italisë dhe partia që drejton “Fratelli d’Italia” është tepër lartë e kuotuar në mbështetjen që ka në publik, kjo edhe pas rezultateve në zgjedhjet lokale.

Dhe Giorgia Meloni nuk ka humbur aspak kohë për të dhënë goditjen e fundit ndaj qeverisë së rënë të Mario Draghit, duke treguar “muskujt” përballë rivalëve të saj.

“Legjislativi mbaroi punë, tani është koha për të votuar”, thotë Meloni duke lëshuar edhe një thumb për rivalët e saj, duke theksuar: “Unë dua të mund Partinë Demokratike?”.

Në fakt, “Fratelli d’Italia” mbetet partia më e fortë në Itali për momentin. Është e vetmja forcë politike që mund të shqiptojë parullën “Jemi gati të votojmë” pa pasur nevojë të mendojë një frazë rrethanore, e hedhur aty për të maskuar ankthet dhe vështirësitë.

“Fratelli d’Italia” mban primatin në sondazhe dhe mbi të gjitha pozicionin e saj si e vetmja forcë opozitare.

Partia e Melonit ka një vit e gjysmë që vetëm fiton dhe po ngrihet me inteligjencë, ndaj sot është e vetmja forcë politike që ka të drejtë të thotë: “Mjaft me lojëra pallati!”. Në krahasim me aleatët e koalicionit, atëherë, Meloni ka një avantazh të mëtejshëm. Analistët pajtohen se qendra e djathtë ka një shans të mirë për të fituar dhe partia e Melonit ka të ngjarë të marrë shumicën e mbështetjes. Pra, më shumë se aleatët e koalicioneve “Fratelli d’Italia” po nxitojnë të shkojnë në zgjedhje.

Pikërisht në këtë ekuacion, sidomos në dritën e dorëheqjes së Draghit, duhen lexuar thirrjet e shumta të deputetëve dhe drejtuesve të partisë së Melonit drejtuar aleatëve të koalicionit për të shkurtuar sa më shumë gjendjen komato të kësaj mazhorance. Dhe pikërisht ndaj tyre ajo lëshon një shigjetë helmuese: “Fratelli d’Italia tashmë është fokusuar, nga dje jo sot, për të mposhtur Partinë Demokratike të Enrico Letta-s, ne duam të luftojmë Partinë Demokratike dhe, me pak fjalë, shpresojmë që ky të jetë edhe prioriteti i partive të tjera të qendrës së djathtë”.

Ignazio La Russa i bën jehonë asaj, duke shkruar: “Nëse nuk konsiderohet e nevojshme të pyesim italianët se kush mund t’i nxjerrë nga inflacioni, ti largojë nga faturat e shtrenjta, prej problemit të luftës, për çfarë janë zgjedhjet? Dhe nëse qendra e djathtë do të mbante stafin në një vazhdim të panatyrshëm të legjislaturës, do të isha shumë kritik, por nuk mendoj se do të jetë kështu”.

Një arsyetim i gjerë që vetë Meloni e përmbledh në profilet e saj sociale me një fjali të paapelueshme: “Mjaft sherre dhe lojëra pallati në lëkurën e Italisë dhe italianëve: kini guximin dhe dinjitetin të paraqiteni para qytetarëve”.

“Kur ka stuhi duhet të pyesni qytetarët se kush duhet të jetë kapiteni i anijes, kush duhet të njihet nga ekuipazhi dhe të dijë se cila duhet të jetë rruga”, thekson Meloni që nga ceremonia e “Festa dei Patrioti”.

Dhe pastaj ka nga ata, si deputeti Federico Mollicone, që e shohin dorëheqjen e Draghit si një gjest të paramenduar.

“Conte e ofroi kokën e Draghit në pjatë të argjendtë”, komenton deputeti i FdI.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb