Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka bërë dje një denoncim sa i takon rrugës Qukës-Qafë Plloçë.

Sipas tij, nga 73 milionë euro, rruga shkoi në vlerën e 225 milionëve.

Berisha: Është e pandalshme vjedhja që Rama-Balluku po bën me rrugët e vendit. Ndërtimi i rrugës Qukës- Qafë Plloçë ka tejkaluar çdo afat kohor të ndërtimit të rrugëve në historinë e vendit. 43 km rrugë vazhdojnë prej 13 vitesh. Punimet për ndërtimin e rrugës filluan në vitin 2009. Rruga u prokurua për ndërtim me një tender ndërkombëtar me 73 milionë euro. Me ardhjen në pushtet të Ramës, me një akt absurd vendosi të anullojë ndërtimin e rrugës. Pasi traseja ishte shtrirë në 12 km, pasi financimi ishte i bankave të huaja dhe ishte i garantuar, ai nuk realizoi dot këtë bllokim, pasi detyrimet e Shqipërisë nga anulimi i të gjitha kontratave do ndëshkonte vendin. Rruga që duhet të përfundonte në 2014, vazhdon edhe sot në 2022 dhe shanse nuk ka që të përfundojë as këtë vit, por ndoshta në fund të vitit tjetër.

Nga 73 milionë euro që ishte fondi me të cilin u prokurua, deri më sot janë shpenzuar për ndërtimin e saj 225 milionë euro. Është një rrugë që kalon në një territor jo të vështirë, pa vepra madhore arti, tunele apo ura të gjata. Është mbitrefishuar çmimi gjer sot. Por kjo nuk mjafton. Zhvillimi i fundit në këtë rrugë: në Trebinjë të Mokrës, lotet që ndërtoheshin në drejtim të njeri tjetrit, na dalin me një disnivel 17 m. kjo nuk ndodh për faj të kompanive. Para se të nxirret në treg prokurimi, nxirret në treg projekti. Rruga nuk projektohet nga kompanitë që ndërtojnë, por nga kompanitë e projektimit.

Ky është një disnivel i krijuar që të plaçkiten taksapaguesit shqiptarë. 10 ditë më parë Rama njoftoi se janë marrë 50 milionë të tjera borxh për vazhdimin e kësaj rruge, për shkak të disnivelit. Ky akt kriminal e bën rrugën një aks qesharak. Në rrugë mbitokësore kjo i ndodh vetëm Ramës dhe Ballukut sepse duan të mbushin valixhet. Janë të qetë sepse SPAK e kanë të partisë dhe Drejtësinë e kanë në thes.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb