Regjisori dhe aktori i njohur shqiptar Mevlan Shanaj ka rrëfyer tregon historinë prekëse dhe të patreguar të aktorit Mihal Stefa. Një emër i njohur më shumë nga personazhet për publikun shqiptar.

Shanaj tregon se ai jetonte i vetëm në një kasolle e s’ankohej, duke fjetur me biblën nën jastëk. Ai e konsideron një baba nisur nga rolet dhe ndjesitë e përcjella nga Stefa.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

POSTIMI I PLOTË
Mihal Stefa!
Me aktorin e madh të karaktereve të vogla kam një lidhje shumë të veçantë! Më kishte goditur interpretimi i tij te “Hamleti” në rolin e varrmihësit! Dhe dihej ajo qetësia vetmia e tij!

Më erdhi rasti ta kem pranë në studio gjatë xhirimit të filmit “I teti në bronz” Unë isha i shtrirë në shtrat i plagosur, sipas skenarit vijnë prindërit natën për të takuar djalin, nga një trastë leshi nxori dy kokrra mollë duke më qëndruar pranë shtratit.

Mënyra e afrimit të tij zgjatja e dorës me ato dy mollë, për mua që nuk kisha njohur një dashuri babai, më dha emocion jo si në film, por si një gjest jete që po e provoja për herë të parë! Ai ishte një aktor që të sillte jetën! Në mbyllje të filmit, në episodin e fundit ai thoshte: Sikur ta marrim sonte në shtëpi djalin, duke u drejtuar nga busti i bronzuar!

Unë edhe në këtë episod sa herë që e shikoja përjetoja një emocion tjetër që ma shkaktonte interpretimi i gjallë i “babait” Mihal Stefa. Më ngjiti ai personazh i tij sikur ma risolli babanë e ikur që në moshën 3-vjeçare. Pata në jetë një si dhuratë prej filmit, po e shikoja si baba!!! Ja kisha këtë “si borxh “dhe pasi kisha filluar punë në TVSH vendosa të bëja portretin e parë të një artisti!

Ky do të ishte Mihal Stefa. U interesuam dhe në një zonë krejt të varfër te Vorri i Bomit mes disa vjetërsive gjetëm “banesën” e Mihal Stefës. Njerëzit që pyetëm na drejtuan te një gjë që as shtëpi nuk ishte, një si haur me qerpiçë apo si me kartona.

Të dukej si e përshtatshme për ndonjë bagëti! Nuk ishte vetëm habi, por krejtësisht e pabesueshme ajo që po shikonim. Më priti me një dashuri të veçantë dhe duke gërmuar nxori nga një si kuti gazetat e hershme që kishte filluar me grupet amatore në Korçë deri në fotot e ditëve të fundit!

Mihal Stefa jetonte i vetëm i izoluar, nuk kishte krijuar familje. Bibla, Librin që e kishte shoqëruar gjithë jetës e mbante nën jastëk, i thënçin. Këtë libër e lexonte për natë dhe ngjitur me të kishte me shkrim dore rolin e radhës!

Ky do ishte dokumentari im i parë që nuk arrita dot! Është peng i jetës sime, më pas kam bërë për artistë rreth 10 dokumentarë, por për atë që u nisa nuk arrita. Pengun nuk e shlyej dot! Çfarë trishtimi më dha jeta e artistit të vetmuar! Më të madhit në rolet e vogla!

Ndoshta thënia: Se nuk ka rol të madh apo të vogël, por ka artist të madh apo të vogël me siguri është thënë për këta aktorë që kanë mbetur të pavdekshëm! Do doja të ishte thënë për asketin tim Mihal Sefa, artisti që nuk arriti të krijonte familje, që jetonte në vetminë e tij me Biblën, të vetmen mike të përnatshme besnike! Nuk mësova gjë pse kishte bërë atë zgjidhje. Ai nuk tregonte, ai nuk dinte të ankohej!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb