TIRANË- Partia Demokratike ka dorëzuar sot në KQZ 3 kërkesa për referendum në KQZ. Një ditë pasi e paralajmëroi, kreu i departamentit të mjedisit në PD, Jamarbër Malltezi ka dorëzuar në KQZ 3 kërkesat që kanë të bëjnë me zgjerimin e Liqenit Artificial në të dy krahët e korpusit Universitar, ndërtimin e parkimit nëntokësor tek Parku “Rinia” si dhe ndërtimin e parkut të lojërave tek kodrat e liqenit.

“KQZ duhet të na japë formularët për referendumin. Pas formularëve do mbledhim aq firma sa kërkohen. Kjo është një mundësi që të flasin qytetarët që s’janë pyetur”, tha Malltezi.

DEKLARATA E PD
Partia Demokratike depozitoi sot 3 kërkesa për referendume vendore që të mundësoje që zëri i qytetareve të dëgjohet. Konkretisht, kërkohet referendum vendor për:
– Parkimin nëntokësor tek Parku Rinia
– Ndërtimin e objekteve social-kulturore dhe administrative në dy anët e Korpusit te Universitetit Politeknik
– Ndërtimin e kompleksit te lojërave mbi sipërfaqe betoni në zemër të parkut të Liqenit

Të gjitha këto objekte mund të ndërtohen në zona alternative duke mos cenuar edhe me tej mushkëritë e dëmtuara të Tiranës.

Në kushtet kur janë marrë vendime që cenojnë rëndë zonat e ndjeshme mjedisore, pa kryer proces të mirëfilltë të ndikimit në mjedis, jo transparente, pa konsultim me qytetaret siç kërkohet nga ligjet ne fuqi, është e domosdoshme që qytetarët e Tiranës të shprehen për këto vendime.

Në propozimin që ka dorëzuar PD, qytetaret janë ftuar të përgjigjen në pyetjet si vijon:
1. A jeni dakord me vendimin nr. 67 datë 30.12.2016 të Këshillit Bashkiak për ndërtimin me koncesion të një parkimi nëntokësor tek Parku Rinia?
2. A jeni dakord me vendimin për të ndërtuar objekte social-kulturore, universitare dhe administrative në dy anët e Korpusit të Universitetit Politeknik?
3. A jeni dakord me vendimin për të ndërtuar parkun e lojërave në zemër të Parkut të Liqenit sipas vendimit nr. 1 datë 12.02.2016?
Kërkesa sot u depozitua në KQZ nga Departamenti i Mjedisit dhe disa anëtarë të PD në Këshillin Bashkiak të Tiranës. Partia Demokratike fton KQZ të miratojë sa më parë formularin që do mundësojë qytetarët të mbledhin firmat e nevojshme për shpalljen e referendumit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: