Dy fitore radhazi nga 1-0 dhe Laçi katapultohet në vendin e pestë dhe shumë afër vendeve të parë, duke u rikthyer në pretendimet e zakonshme minimalisht për një vend në Evropë. Kurbinasit fituan mposhtën në javën e 14-të Erzenin, teksa mjaftoi një gol për tri pikë
Një sfidë shumë e rëndësishme për të dy ekipet, por vendasit kurbinas u treguan më të mobilizuar për të marrë suksesin e plotë dhe për të siguruar fitoren. Të besuarit e Gentian Mezanit kaluan në avantazh në fundin e pjesës së parë falë një penalltie të përkthyer në gol nga Ujka.
Pjesa e dytë solli më shumë emocione, pasi kurbinasit kërkuan golin e sigurisë, ndërsa shijakasit kërkuan me ngulm të evitonin disfatën. Laçianët shënuan me Shkurtajn, por për një prekje të topit me dorë goli u anulua, ndërsa Erzeni dominoi gjithçka në 15 minutat e fundit duke i shkuar pranë golit në disa momente.
Në fund asgjë nuk ndryshoi dhe Laçi mori maksimumin. Kjo ishte humbja e trete për Erzenin në këtë sezon dhe e para pas 5 takimeve radhazi.
(BalkanWeb)