Mbiprodhimi i vajit të ullirit në vitin 2022 parashikohet të kthehet në bumerang për Shqipërinë. Fabrikat kanë ulur kapacitetin grumbullues, pasi vaji i ullirit tregtohet më tepër në informalitet me çmim të ulët.

Eksportet vijojnë të mbeten në sasi të ulëta, nga luhatshmëritë drastike të prodhimit nga viti në vit dhe pamundësia e kompanive për të paguar garancitë që kërkojnë tregjet e mëdha. Mungesa e tregut rrezikon që fermeri të braktisë rritjen e ullinjve. Zgjidhja te investime në kapacitetet ruajtëse

Vait Gjosha, nga Vora, zotëron 300 rrënjë ullinj, 100 prej tyre janë ulli i vjetër, të mbjella që në periudhën komuniste, ndërsa pjesa tjetër janë mbjellë në këto 30 vjet. Ai thotë se këtë vit, prodhimi i ullinjve është i lartë, kryesisht i pemëve të reja.

Nga vjelja e ullinjve, z. Gjosha përfitoi 550 litra vaj, por i shqetësuar pohon mungesën e tregut dhe kërkesën për çmim nën kosto. “Në tregun e pakicës, vaji i ullirit po shitet me çmim deri në 600 lekë për litër, ndërsa nisur nga kostot, bazuar te shërbimet, pagesat e punëtorëve për vjelje, pagesat e përpunimit, çmimi i vajit duhej të shitej 800 lekë për litër. Për këto arsye, të gjithë vajin e prodhuar këtë vit do ta mbaj në shtëpi, nuk do ta nxjerr në shitje”, pohon ai.

Me këto çmime shitje, Vait Gjosha nuk e sheh me interes të shtojë rrënjët e ullirit. Pengesë tjetër është mungesa e fuqisë punëtore. “Toka e ulishtave punohet me frizë (mjet që përdoret me dorë, por vihet në punë me karburant), pasi zetori nuk mund të hyjë në zonën kodrinore të ullishtës.

Nga ana tjetër, në zonën tonë nuk gjejmë më punëtorë për vjeljen e ullirit, pasi janë larguar në emigracion. Pagesa për punëtorët varion nga 2,000 deri në 2,500 lekë dita, por nuk gjejmë punëtorë. Edhe fëmijët tanë janë larguar në emigracion, të vetëm nuk mund t’i punojmë ullishtat”.

Janë të shumtë fermerët që këtë vit po vuajnë mungesën e tregut për shitjen e vajit të ullirit. Ilmi Kajmaku, nga fshati Ishëm i Durrësit, i cili zotëron 7 rrënjë ullinj, pohon se do ta mbajë në shtëpi prodhimin e këtij viti prej 200 litrash, pasi në treg vaji po kërkohet nën kosto.

Ai pohon se prodhimi i këtij viti arrin rreth 200 kg ullinj për rrënjë, e njëjtë me prodhimin e vitit 2012, që konsiderohet periudha me rendimentin më të lartë.

Për vitet 2009-2021, sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, tendenca e prodhimit të vajit të ullirit është e luhatshme. Në vitin 2012 janë prodhuar 13,745 tonë vaj ulliri. Krahasuar me 2011-n, prodhimi u rrit 50%.

Në 2013-n, prodhimi shënoi rënie me 23%. Përpunuesit shpjegojnë se rënia erdhi tërësisht nga prodhimi i kufizuar i ullirit, pasi ullinjtë u dëmtuan nga shirat në periudhën e lulëzimit. Në periudhën 2009-2019, tendenca e prodhimit është e luhatshme.

Në 2019-n u prodhuan 20 mijë tonë vaj ulliri. Krahasuar me një vit më parë, prodhimi shënoi rritje të lehtë në 2%. Në vitin 2021, prodhimi i vajit të ullirit ishte rreth 26% më shumë se viti 2020.

Sezoni i vjeljes dhe përpunimit të ullirit përkon me muajt tetor-nëntor dhe dhjetor. Zv.ministri i Bujqësisë, Dhimo Kote, nënvizoi për “Monitor” se deri në fund të kësaj periudhe, pritet që sasia e vajit të prodhuar të jetë 70% më e lartë se ajo e vitit të kaluar.

Rritjen e prodhimit, z. Kote e lidh me shtimin e rrënjëve të reja të ullirit dhe të shërbimeve që fermerët kanë bërë me ullirin dhe kushtet klimatike.

Këtë vit, kultura e ullirit është përfshirë edhe në skemën e subvencioneve të Ministrisë së Bujqësisë, duke përfshirë, për herë të parë, rimbursimin e barrës fiskale edhe për fermerët që kultivojnë ullirin.

Masa mbështetëse nr. 5 mbi përdorimin e fondit të programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural parashikon subvencionimin në masën 50% të vlerës totale të faturës tatimore për ullirin e mbjellë, por jo më shumë se 175,000 lekë, në sipërfaqe jo më pak se 1 ha dhe jo më shumë se 500,000 lekë, për sipërfaqe jo më pak se 3 ha në ambiente të mbrojtura dhe jo më pak se 10 ha në fushë të hapur.

 

Burimi: Ministria e Bujqësisë

Pse mungon tregu i shitjes së vajit të ullirit?

Mbiprodhimi ka krijuar kaos në tregun e shitjes së vajit të ullirit. Drejtues të fabrikave përpunuese pohojnë se, nëse prodhimi i vajit është deri 40% më i lartë se viti paraardhës, rrezikon të kthehet në bumerang, pasi mungon tregu i brendshëm për shitje, ndërsa eksportet vijojnë të jenë në sasi të ulëta.

Në tregun e brendshëm, informaliteti vijon të mbetet i lartë për sektorin prodhues të vajit të ullirit. Shumë fermerë e shesin vajin e ullirit në tregun e zi të paambalazhuar. Burime nga përpunuesit e vajit të ullirit thanë se 95% e produktit shitet në informalitet, vetëm 5% e tij shitet në supermarkete.

Dëmtimi i konkurrencës nga informaliteti i lartë, si dhe kostot e larta administrative, duke përfshirë ambalazhimin dhe taksat, e ka kthyer produktin e formalizuar të paleverdishëm nga çmimi.

Ylli Hajdini, administratori i kompanisë “S.E.D – Borshi”, një ndër prodhuesit e mëdhenj të vajit të ullirit, pohon se deri tani nga ullinjtë që u ka blerë fermerëve shqiptarë disponon në depozita 150 deri në 160 tonë vaj ulliri.

Edhe pse zotëron kapacitet për rritjen e përpunimit, z. Hajdini nënvizon se nuk mund të blejë më tepër sasi, pasi tregu është i mbingopur nga vaji i fermerit, ndërsa shitjet në supermarkete të vajit të ambalazhuar shqiptar janë në minimum. Situata është krijuar nga çmimi.

“Vajin e ullirit te fabrikat e përpunimit, fermerët e shesin me çmim 400 deri në 420 lekë për litër. Duke i shtuar vajit të blerë 360 lekë për litër, kostot administrative (që përfshijnë detyrimet fiskale, pagat e punonjësve, energjia, karburantet.

Ndërsa 75 deri në 110 lekë varion vetëm kostoja për blerjen e ambalazhimit, si shishet e qelqit dhe tapat dhe etiketat). Kosto tjetër e shtuar është prej 160 lekë për litër është edhe TVSh në shitje, prej 20%. Me heqjen e skemës së kreditueshme, gjithë barrën e TVSh-së e mban grumbulluesi.

Bazuar mbi këto kosto, çmimi i përpunimit të vajit të ullirit arrin në 760 lekë për litër. Përpunuesi e shet në supermarkete vajin me çmim 800 deri në 820 lekë për litër. Nga supermarketet, duke përfshirë edhe normën e tyre të fitimit, shitet 980 deri në 1,000 lekë për litër.

Në këtë situatë, konsumatori do të kërkojë të blejë vaj ulliri me çmim 500 deri në 600 lekë për litër që po shitet drejtpërdrejt nga fermeri apo 1,000 lekë për litër që tregtohet në supermarkete?”.

Z.Hajdini shton se në vend nuk ka fuqi konsumatore për kaq shumë vaj të prodhuar, për shkak të traditës së konsumit të ulët të vajit në vend, krahasuar me fqinjët dhe Europën.

Në Shqipëri, për shkak të informalitetit të lartë, konsumi i vajit të ullirit është i pamatshëm. Sipas vlerësimeve për 25,882 tonë vaj ulliri të prodhuar në 2021, duke pasur parasysh popullsinë, konsumi i dukshëm i vajit të ullirit për frymë vijon të jetë më pak se 1 litër në vit.

Në Europë, sipas të dhënave të Qendrës Europiane të Importeve (CBI) konsumi i vajit të ullirit u vlerësua në 1,46 milionë tonë në vitin 2021, që është afërsisht gjysma e konsumit të përgjithshëm botëror. Italia dhe Spanja janë konsumatorët më të mëdhenj të vajit të ullirit në BE, me konsum vjetor prej rreth 500,000 tonësh secili, ndërsa Greqia ka konsumin më të madh të BE-së për frymë, me rreth 12 kg për person në vit.

Konsumi për frymë i vajit të ullirit në vendet e BE-së me përjashtim të Italisë, Spanjës, Portugalisë dhe Greqisë parashikohet të rritet me rreth 4% në vit, por do të mbetet relativisht i ulët (1.3 kg/person deri në vitin 2025). Në të njëjtën kohë, konsumi mesatar për frymë në Itali, Spanjë, Portugali dhe Greqi pritet të bjerë nga 9.3 kg/person në 2021 në 8.9 kg/personi në 2025.

 

Heqja e skemës së TVSH-së shtoi kostot e përpunuesve

Heqja e skemës së kreditueshme të TVSH-së nga 1 janari 2022 dëmtoi edhe industrinë e përpunimit të vajit. Për disa grumbullues, problemi kryesor në këtë industri mbetet shtimi i kostove nga moskreditimi i TVSH-së.

“Skema e TVSH-së së kreditueshme filloi të krijojë probleme që në vitin 2019. Prodhuesit me xhiro mbi 14 mln lekë në vit për blerjet e ullinjve te fermeri rimbursoheshin 6%, ndërsa në momentin që vaji shitet me 20% TVSH, humbjet janë 14%.

Me heqjen e TVSH-së së kreditueshme, kostot e prodhuesit në shitje janë të larta, si rezultat interesi për të grumbulluar më shumë ullinj ka rënë”, pohoi në anonimat një grumbullues dhe përpunues i vajit të ullirit në zonën e Beratit.

Burimi: Ministria e Bujqësisë

Pse nuk eksportohet vaji i ullirit

Shqipëria vijon të eksportojë vaj ulliri në sasi shumë të ulët. Për përfaqësuesen e fabrikës përpunuese “Subashi”, luhatshmëria e prodhimit nga njëri vit në tjetrin mbetet faktori kryesor për eksportet e ulëta. “Kjo vjen për shkak të copëzimit të madh të ngastrave të ullirit dhe problematikës së krijuar me ligjin nr. 7501 për ndarjen e tokës bujqësore. Në total janë 44 mijë fermerë që kultivojnë në ngastra toke nga 50 deri në 500 rrënjë ulliri. Fermerët me 40 deri në 50 rrënjë ulliri operojnë në informalitet”, pohon Silvana Subashi.

Znj. Subashi rekomandon se vetëm ngritja e grupeve për bashkimin e të mbjellave me ullinj nga fermerët do të jepte efekt te rritja e eksporteve dhe ulja e kostos së prodhimit. “Fermerët duhet të bashkohen me njëri-tjetrin, ngastrat e ullirit duhet të jenë më të mëdha, pasi ndryshimet e prodhimit nga njëri vit në tjetrin janë të mëdha.

Ka grumbullues, por nuk ka prodhim dhe nuk mjaftojnë burimet njerëzore për ta zhvilluar më shumë këtë kulturë. Prandaj krijimi i një grupi prodhues do të mundësonte mbylljen e ciklit, do të zgjidhte edhe problemin e fuqisë punëtore dhe të eksportit, pasi do të garantohej prodhimi”, pohon ajo.

Për sa u përket eksporteve, disa përpunues vendas po shohin mundësinë e zhvillimit të kontratave në vendet joprodhuese të vajit të ullirit, siç është SHBA. Ylli Hajdini, nga kompania “Borshi”, thotë se eksportet zënë gati 10% të prodhimit.

Kompania, përveçse në SHBA eksporton edhe në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë. Sipas tij, arsyeja kryesore e eksporteve të ulëta mbetet moskrijimi i markës shqiptare të vajit të ullirit dhe mungesa e konkurrueshmërisë nga çmimet e larta që vijnë nga kostoja.

Për shtetet e largëta, siç është SHBA, rritja e sasisë së eksportuesve duhet të shoqërohet me shtimin e pagesës së garancisë që arrin deri në 1 mln USD, po kjo vlerë është e papërballueshme nga përpunuesit shqiptarë.

Në botë, Spanja është prodhuesi dhe eksportuesi më i madh i vajit të ullirit me një pjesë prej 49% në vitin 2021, e ndjekur nga Greqia (13%), Italia (11%), Tunizia (11%) dhe Portugalia (10%).

Sipas Agjencisë së Informacionit dhe Kontrollit të Ushqimit (AICA), Spanja prodhoi 1.3 milionë tonë vaj ulliri në vitin 2021, që përbën 42% të prodhimit global të vajit të ullirit. Italia është prodhuesi i dytë më i madh i vajit të ullirit në botë, me rreth 315 mijë tonë në vitin 2021.

Prodhues të tjerë të mëdhenj të vajit të ullirit janë Tunizia (240 mijë tonë), Turqia (228 mijë tonë), Greqia (225 mijë tonë) dhe Maroku (200 mijë tonë). Këto gjashtë vende, përkatësisht Spanja, Italia, Tunizia, Turqia, Greqia dhe Maroku, janë përgjegjëse për 81% të prodhimit global të vajit të ullirit.

Shtohen rrënjët e ullirit, por bie rendimenti

Sipas të dhënave të INSTAT, numri i rrënjëve të reja të ullirit në vitin 2021 është rritur rreth 2% krahasuar me vitin e kaluar. Ndërsa rendimenti i prodhimit ka shënuar rënie 18% në vitin 2021 në raport me 2020.

Sipas përpunuesit të vajit të ullirit, Ylli Hajdini, rendimenti i ulët dhe prodhimi me kosto të lartë vjen për shkak të copëzimit të lartë të tokës bujqësore dhe mungesës së automatizimit të procesit të prodhimit të kësaj kulture.

Zv.ministri i Bujqësisë, Dhimo Kote, tha se për t’i dhënë zgjidhje uljes së kostos së prodhimit synohet të shkohet drejt grupimit të ngastrave të tokës që përmbajnë 200 apo 300 rrënjë ullinj dhe ngritjes së pikave të rafinimit të vajit të ullirit.

Edhe sipas një analize të vitit 2012 për sektorin e ullirit nga Komisioni Europian, për Shqipërinë nuk mund të prodhohet në vëllime të mjaftueshme, në mënyrë që të jetë një lojtar i rëndësishëm në tregun e BE-së, për shkak të fragmentimit ekstrem të pemishteve të ullirit.

Madhësia mesatare e pemishteve, vëren raporti, është 0.2-0.4 hektarë, krahasuar në një madhësi mesatare prej 1.6 hektarësh në Greqi. Ky copëzim e bën prodhimin joefikas dhe të paaftë për të përfituar nga ekonomia e shkallës. Si pasojë e kësaj situate, Shqipëria do të vazhdojë të prodhojë në sasi të vogla vaj ulliri dhe me kosto të lartë.

Studimi sheh të përshtatshëm prodhimin e vajit organik të ullirit, i cili favorizon cilësinë mbi volumin. Rreth dy të tretat e pemishteve të ullirit të Shqipërisë besohet të jenë organike, por vetëm 1% e pemishteve, ose 515 hektarë, janë certifikuar si të tillë.

Për më tepër, prodhuesit shqiptarë ballafaqohen me kufizimet rregullatore për të eksportuar në BE. Agronomët shqiptarë kanë mungesë njohurish për trajtimin e prodhimeve organike me standardet e BE-së.

Burimi: INSTAT

Çfarë do të ndodhë me superprodhimin

Silvana Subashi, një ndër njohëset e sektorit përpunues të vajit të ullirit, pohon se fermerët po e shesin vajin nën kosto, për shkak të mbiprodhimit, gjë që rrezikon të sjellë vite të vështira më pas, pasi fermerët nuk do të kenë interes t’i shërbejnë pemës së ullirit me këto lloj çmimesh.

Znj. Subashi parashikon që çmimi i vajit të ullirit të rritet disa herë më shumë se nga çmimi i këtij viti.

Nëse vaji ruhet në kushte optimale, produkti këshillohet të konsumohet brenda 24 muajve. Ndër të tjera, përfaqësuesja e kompanisë “Subashi” shton se konsumi i brendshëm i vajit të ullirit duhet të rritet, kryesisht falë fushatave ndërgjegjësuese për konsumatorin dhe përfshirjen e vajit të ullirit në të gjithë shoqërinë shqiptare, për shkak të vlerave ushqyese.

Të ardhurat e kompanive

Të ardhurat e kompanisë së përpunimit të vajit të ullirit “Sidnej” në 2021 ranë 1% krahasuar me 2020. Edhe fitimet pësuan rënie në të njëjtin nivel.

Të ardhurat e kompanisë së prodhimit të vajit të ullirit “Dhërmiu” në vitin 2021 ishin me rënie 18%, ndërsa fitimet e kompanisë u reduktuan në masën 76% në raport me vitin paraardhës, sipas bilanceve zyrtare të dorëzuara në QKB.

Rënie të të ardhurave shënoi në vitin 2021 edhe kompania “S.E.D- Borshi”. Të ardhurat e këtij operatori ranë 12%, ndërsa fitimet u tkurrën 32%.

Për prodhuesit më të vegjël të vajit të ullirit, siç është kompania “Çuedari”, të ardhurat në 2021 u rritën 40% më shumë se 2020. Fitimet e kompanisë ishin me rritje 78% më shumë.

Të ardhurat e “Shkalla Sh” në 2021 u rritën 9% dhe fitimet 41%. Operatori “GJIKONDI & KOMPANI” në vitin 2021 shënoi ulje të të ardhurave 13% më pak se në 2020-n, ndërsa fitimet u rritën rreth 2,5 herë më shumë se viti paraardhës./monitor/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: