Në programin “Dola te Ola” këtë të diel ishte i ftuar aktori i njohur Ledio Lako, i cili foli për jetën e tij profesionale por edhe për atë private.

Duke kujtuar fillimet e tij në “Portokalli”, Ledio tregoi se ka qenë këmbëngulja e regjisorit Altin Basha që ai të fillonte në spektaklin e humorit. Aktori tregoi se pas studimeve, me euforinë e një të sapodiplomuari, kishte qenë në dilemë nëse duhet të bëhej pjesë e një spektakli humori.

Më tej ai shtoi se në atë kohë karakteret në “Portokalli” ishin të forta dhe fillimet nuk kanë qenë fort të lehta.

Ai tha se aktori asnjëherë nuk është i kënaqur me rolet e veta dhe dyshimet e dilemat që ka janë të mëdha.
Lako u shpreh se nëse Altin Basha, drejtor i Teatrit Kombëtar, do t’i ofronte një rol ai sigurisht që do ta pranonte me shumë kënaqësi, ndërsa propozimi për t’u punësuar në këtë institucion, do ta vendoste në një dilemë të madhe, dhe la të kuptuar se do ta refuzonte pasi pagat janë shumë të ulëta.

Ai tha se artistët duhet të bëhen bashkë dhe të ngrihen për të kërkuar rritjen e pagave. “Kanë rroga shumë të vogla, më vjen keq që aktorët shqiptarë janë kaq të mirë dhe janë kaq frikacakë. Ata duhet të ngrihen të bëjnë diçka për veten e tyre. Unë e di lodhjen e tyre dhe se çdo të thotë kur ke rol kryesor dhe jep shfaqje të enjte, të premte, të shtunë, për rreth 1 orë e 30 minuta. Çdo gjë është rritur ndërkohë rrogat jo”, tha Ledio Lako, teksa më tej shtoi se një vend pa artistë është një vend pa identitet, duke mos lënë as pa përmendur edhe shembjen e Teatrit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: