Pas një muaji më në fund ka pak qetësi në kampin e Partizanit. Fitorja në Ballsh ka mbajtur në garë të Kuqtë për titullin, tri pikë larg Tiranës kryesuese, teksa në 15 javët e mbetura do të tentohet më e mira. Do të jetë e vështirë të mbahet një ecuri fitoresh radhazi, kjo nisur edhe nga mungesat që ka Partizani.

Trajneri Colella për ndeshjen e radhës në shtëpi kundër Erzenit ka dy mungesa të sigurta, kapitenin Alban Hoxha dhe liderin e mbrojtjes Eljon Sota. Të dy lojtarët kanë probleme muskulore dhe është e sigurt se do të mungojnë në këtë ndeshje.

Zëvendësimi i Hoxhës nuk duket problem, pasi Rexhepi jep garanci. Mungesa e Sotës fut në dilemë stafin teknik, ku nuk është çudi që në prapavijë të luajë mesfushori Telushi.

Por ka edhe një lajm të mirë, Arinaldo Rrapaj është gati ta nisë ndeshjen nga minuta e parë dhe ky është një plus i madh për ekipin në mesfushë, pasi Bilali tregoi se i duhet kohë të ambientohet.

Ndaj Erzenit, për Partizanin do të jetë ndeshja e pestë në shtëpi për këtë vit në kampionat. Është marrë vetëm 1 pikë, ndaj tifozët presin fitoren e parë, duke qëndruar në shinat e pretendimeve për titullin kampion.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb