TIRANE- Moderatori i emisionit “Koha për t’u zgjuar’ në News 24, Bashkim Hoxha ka marrë çmim të parë në Kosovë në konkursin e dramës shqipe. “Sapo mora lajmin se drama ime ‘ASKUSHI’ ka fituar çmimin e parë në konkursin e dramës shqipe ‘KATARINA JOSIPI’ në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Kam kënaqësinë ta ndaj me ju këtë lajm”, shkruan Bashkim Hoxha në rrjetin social, Facebook. Juria Profesionale për ndarjen e Çmimeve për Dramë Origjinale Shqipe “Katarina Josipi” e emëruar nga Ministri i Kulturës së Kosovës, Kujtim Shala, ka bërë vlerësimin për dramat më të mira për vitin 2015, ku edhe ka ndarë tri çmimet e para. Drama “Askushi”, e autorit Bashkim Hoxha ka fituar çmimin e parë, “Një botë më tutje” e autorit Ardian-Christian Kyçyku të dytin dhe me çmimin e tretë, juria e ka vlerësuar dramën “Shtrati me gozhda” të autorit Pashtrik Brahaj. Të tre fituesit shpërblehen financiarisht.

Çmimi i parë ka vlerën prej 3600 euro, i dyti 2400 euro dhe çmimi i tretë ka vlerën e 1200 eurove. Në bazë të rregullores, drama që ka fituar çmimin e parë konsiderohet si dramë potenciale për inskenim në Teatrin Kombëtar të Kosovës, ndërkaq të tria dramat fitojnë të drejtën e leximit skenik në TKK dhe të botimit.

Juria Profesionale ka qenë në përbërje të Besim Rexhaj, Bislim Muçaj, Agim Selimi, Agon Myftari dhe Zeta Bahtiri, kanë theksuar faktin se produksioni dramatik i ofruar nga aplikantët në konkursin e vitit 2015 ka qenë jashtëzakonisht i pasur, duke qenë se kanë konkurruar 14 drama. Drama ka pasur edhe një lexim publik në Teatrin Kombetar të Shqipërisë, nën kujdesin e regjisores Elma Doresi me aktorët Helidon Fino, Neritan Liçaj, Gladiola Harizaj, Flaura Kureta, Gert Ferra, etj

(d.b/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: