Emisioni ‘Koha për t’u zgjuar’ që transmetohet në News24 festoi 25-vjetorin e transmetimt të tij të parë. Çdo mëngjes në 25 vite, në emisionin “Koha për t’u zgjuar” Bashkim Hoxha, ka marrë dhe ka dëgjuar mbi 125 mijë telefonata nga qytetarët.

Në vend të ziles së orës, sigla e emisionit të Bashkim Hoxhës, u tregon shqiptarëve , se është ora 7:00 e mëngjesit, ku pasi lexohen titujt e para të gazetave një minutazh i konsiderueshëm iu kushtohet telefonatave të qytetarëve. Numëron mbi 8000 emisione duke shoqëruar besnikërisht mëngjeset e njerëzve të thjeshtë të Shqipërisë e duke u bërë thuajse një mik i shtëpisë së çdo shqiptari. Emisioni jetëgjatë kremtoi historinë e mbi 8000 ditëve të komunikimit telefonik me qytetarët, të cilët denoncojnë abuzimet, padrejtësitë e shpërfilljen shtetërore dhe kërkojnë kërkojnë ndihmë prej Bashkimit , i cili i dëgjon me durim dhe përpiqet t’i këshillojë si mik.

Në një mbrëmje ku mblodhi miqtë dhe dashamirësit për te festuar 25 vjetorin e emisionit, Hoxha kujton transmetimin e parë në një kioske modeste në Durrës në vitin e mbrapshtë 1997. Edhe pas çerek shekulli me trishtim thotë se megjithëse iu jep zë qytetarëve, ky zë pak dëgjohet nga poltikanët.

“Pikërisht në datën 21 mars u dëgjua alo e parë e qytetarit, në fillim në televizionin modest të Teuta televizion, që më pas mori forcë dhe u fuqizua në ekranin e News 24. ne ndihemi të plotësuar misionin ne e kemi mbajtur në kohë të vështira dhe publiku na ndjek dhe shtohet. Është e trishtuar që shumë probleme mbeten po ato që sjellin qytetarët, edhe zëri i qytetarëve dëgjohet shumë pak sa e dëgjojnë politikanët e dëshmon ky emision”,-tha para të ftuarve gazetari Bashkim Hoxha.

Por Kryetari i bashkisë Tiranë, Erion Veliaj thotë se e nis ditën me emisionin e Bashkimit ku dëgjon problemet e qytetarëve që qytetit që ai drejton.

“Është ndoshta sondazhi më i mirë ditor për të filluar ditën, nuk e di për politikanët e tjerë, por kur je kryetar i bashkisë mbledh një buqetë të problematikave. Ti praktikisht pa dalë nga shtëpia kupton, nëse janë vonuar autobuzët, nëse ka pas defekt uji, nëse ka punuar kaldaja në shkolla. Besoj që është, nëse e ndjek me mendje të hapur është këshilla më e mirë që mund të marrësh për të nisur ditën, vjen e pafiltruar, shqeto, është një kontribut i jashtëzakonshëm. Bashkimi është më jetëgjati ai nuk i politizon problemet”,-tha Veliaj i pyetur nga televizioni News24.

Për Presidentin e “Hysenbelliu Group”, zotin Irfan Hysenbelliun, Bashkim Hoxha është një aset, i cili zotëron mjeshtërisht artin e komunikimit me qytetarët duke matur edhe pulsin e tyre.

“Bashkimi është një aset, është një njeri që është pranë qytetarit. Bashkimi në kaq vite ka ruajtur vendin e parë. E ka ruajtur vendin e parë, për shkak të komunikimit, për shkak të aftësisë që ka, sepse të komunikosh me qytetarët është art, por njëkohësisht. Nuk ka bërë asnjë kompromis me atë emision, që ai ta tjetërsoi. Ai është gazetar i rekordeve dhe është i pakonkurueshëm, ai do ta ketë mbështetjen vazhdimisht”,-u shpreh zoti Irfan Hysenbelliu gjatë fjalës së tij në eventin kushtuar 25 vjetorit të transmetimit të parë të emisionit “Koha për t’u zgjuar”.

Drejtori i përgjithshëm i News 24, Robert Rakipllari tha se jetëgjatësia e emisioni është shumë domethënëse, që pa shumë bujë jo vetëm renditet dhe thyen rekorde si emisioni më i ndjekur i mëngjesit në televizionet shqiptare por ruan si shumë të çmuar besnikërinë e audiencës

“Koha për t’u zgjuar” mbetet emision emblematik për njerëzit e thjeshtë me një nerv dhe ndjeshmëri qytetare, që kërkojnë të dëgjohen ose që duan të dëgjojnë se çfarë realisht mendojnë të tjerët si ata në këtë vend. Garantuesi i suksesit të këtij formati ka qenë pa dyshim vetë Bashkimi me profilin e tij njerëzor, por edhe reflektues e gjithëpërfshirës”, -u shpreh Rakipllari.

Figurat më të njohura të jetës publike festuan bashkë në një mbrëmje buze detit Adriatik suksesin e padiskutueshëm të emisionit “Koha për t’u zgjuar” të Bashkim Hoxhës i cili mbetet një ndër zërat kryesor të i medias dhe shqetësimit popullor.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: