Mafia shqiptare duket se ka arritur të largojë mafian malteze nga drejtimi i biznesit të seksit në qytezën e Sohos në Britani të Madhe. Raportohet se gjatë këtij mijëvjeçari, maltezët kanë drejtuar këtë biznes, por vitet e fundit janë shqiptarët ata që kanqë zënë pozita më të forta.
Të paktën ky është konkluzioni ku arrin autori Ben Judah, sipas të cilit “Luftërat e Ballkanit sollën të paktën 30 mijë shqiptarë nga Shqipëria dhe Kosova në Londër”.
Shqiptarët, sipas autorit, pushtuan Sohon dhe arritën të gjunjëzojnë maltezët. “Maltezi i parë u rrëzua në gjunjë kur një shqiptar i vendosi armën në kokë. Ai hoqi dorë nga biznesi i bordellove dhe pranoi kushtet e shqiptarit, por tani këta të fundit kishin nevojë për vajza më të mira dhe më të lira. Shqiptarët blenë një kamion dhe shkuan në Moldavi. Ata udhëtuan nëpër fshatra dhe u premtuan vajzave aty se do t’i ofronin punë në fushën e modelimit. Më pas i përdhunuan dhe i trafikuan. Në këtë mënyrë shqiptarët i shkatërruan maltezët”, shpjegon autori.
Sipas tij, përveç biznesit të seksit shqiptarët kanë marrë nën zotërim edhe parkingjet në këtë zonë, duke i bërë me pagesë. Këtë e bënë të mundur duke korruptuar policët.
(ma.ar/BalkanWeb)