NGA GERILINA KODHELI

Me siguri ju kujtohet Lori, vajza që gjatë edicionit të shtatë të “Big Brother” ngjalli jo pak replika. Natyra e saj shpërthyese, rebele dhe historia e dashurisë me Visarin ishin ndër më të komentuarat e atij viti. Megjithatë, modelja nga Korça rikthehet në vëmendjen e publikut me një performancë mjaft provokuese në klipin më të fundit të Cozman. Por si përfundoi Lori në këtë klip, cila është marrëdhënia që ka me reperin e njohur dhe a ka pasur një flirt në sheshxhirim? Këtyre pyetjeve dhe shumë të tjerave Lori u përgjigjet në këtë intervistë për “Bluetooth”.

Lori, je shfaqur në videoklipin më të fundit të Cozman, “Si dje”. Ishte ftesë e tij personalisht?
Jo, më ka ftuar nëpërmjet një agjencie mode, me të cilën kam qenë e angazhuar më përpara. Unë nuk kisha kontakte, thjesht më ka thënë agjencia që duhet ta bëja këtë gjë dhe e bëra.

Si është të punosh me Cozman?
Ishte super! Në fakt nuk ishte aspak punë, ia kemi kaluar vërtet bukur. E morëm shumë lehtë. Në fakt nuk është videoklipi i parë në të cilin je angazhuar, janë disa.

Pse ke zgjedhur të bësh modelen e videoklipeve dhe jo të pasarelave, apo seteve fotografike?
Kam qenë pjesë e videoklipit të Sinan Hoxhës, Seldit, Ermal Fejzullahut, Vigan Shehut dhe tani ky me Cozman. Në fakt e kam lënë pas punën si modele. Menaxherja që kam pasur më përpara më kontaktoi dhe më dha këtë mundësi në momentin e fundit. Ishte diçka shumë e shpejtë. Kam besim tek ajo, sepse më angazhon gjithmonë në vende ku duhet dhe ku punohet me seriozitet, jo me gjëra të tjera, nëse më kuptoni.

Cilat ishin marrëdhëniet me Cozman?
Ishte natyrë e thjesht ë , bënte humor, djalë shumë i qeshur. Tipat mendjemëdhenj dhe fodull nuk i kam shumë qejf. Puna me të ishte argëtuese.

Shfaqjen në videon e një prej reperëve më të suksesshëm të momentit e sheh si një hap më tej në karrierën tënde?
Ishte diçka që mu mbush mendja për ta bërë dhe e bëra. Nuk është se bëj gjëra duke menduar pasojat dhe përfitime të mëvonshme. U bë kohë që jam larguar nga vëmendja e publikut dhe nuk kam bërë diçka për të tërhequr vëmendjen. Gjërat kanë rrjedhur vetë, pa bërë unë diçka qëllimisht. Cozman sapo është ndarë nga Tuna dhe tashmë është single.

Pati ndonjë tërheqje mes jush? Të erdhi ndonjë propozim prej tij?
Nuk kishte asnjë lloj propozimi, thjesht patëm një shoqëri të bukur dhe dukej sikur njiheshim prej kohësh, jo në atë moment. Jam tip që njerëzit e thjeshtë më pëlqen t’i mbaj afër, por flirte nuk pati. Duke qenë se menaxherja ishte prezente nuk më lejohej të bëja gafa të tilla, por edhe nuk doja.

Po pas punës patët mundësi të qëndronit bashkë?
Pas klipit kemi ngrënë darkë, por si grup shoqëror, asgjë më tepër.

Të ka bërë komplimente Cozman?
Sigurisht, edhe ai mua edhe unë atij.

Çfarë i keni thënë njëri-tjetrit?
Më ka falënderuar për pjesëmarrjen dhe më ka thënë: Je shumë e mirë. Edhe unë i thashë që është shumë i mirë. Komplimentet i pranojnë të gjithë dhe kthehen mbrapsht, sidomos me njerëzit e mirë.

Mendon se mes jush mund të ketë diçka më shumë sesa thjesht punë?
Jo, jo! Nuk do ketë asgjë më shumë, ju premtoj. Nuk dua lidhje me VIP-a dhe njerëz që njihen dhe e kanë kohën të limituar.

Kjo është e vetmja arsye pse do ta refuzoje Cozman?
As e refuzoj dhe as e pranoj, por nuk e shoh në atë lloj aspekti.

Lori, në trup ke disa tatuazhe shumë të bukur. Çfarë domethënie kanë?
Kam tre tatuazhe. Në pjesën sipër të shpinës kam një Lotus indian, që është lule mbretërore. Në anë, tek pjesa e belit kam trëndafilin e jetës dhe inicialet e të gjithë familjarëve të mi, ndërsa vajza që kam bërë pas në shpinë përfaqëson një gangstere, e cila është shumë menefregiste ndaj botës dhe thotë, “Fuck everything and everyone (në djall gjithçka dhe të gjithë)”.

Tatuazhi i fundit të përshkruan ty?
Po, më përshkruan mua. Ju më keni parë në “Big Brother” dhe po të më jepej mundësia edhe njëherë do të isha më keq nga sa kam qenë.

E dashuruar?
Jo, single.

Si mund ta lenë një vajzë si ty ende single?
Nuk më lenë, i lë unë.

Më shumë i ke lënë ti meshkujt apo të kanë lënë?
Jam 22 vjeçe dhe meshkujt nuk më kanë lënduar kurrë. Ndarjet për mua nuk kanë qenë kurrë problem.
(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: