TIRANE- Avokati i Popullit i ka rekomanduar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë “Fillimin e hetimit për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, e kryer në bashkëpunim, në ngarkim të inspektorëve të IKMT Tiranë, të cilët kanë marrë pjesë në prishjen e banesave të anëtarëve të Komunitetit Romë, ndodhur në rrugën “Irfan Tomini” Selitë, në datat 18 dhe 19 Shkurt 2016.

Në këtë rekomandim Avokati i Popullit, sqaron se:
Shtetasit A. M., L. B. , F. J., E. J., A. D., Z. M., B. M., të cilët janë anëtarë të Komunitetit Romë, kanë paraqitur ankesa në lidhje me prishjen e banesave të tyre, të ndodhura në rrugën “Irfan Tomini” Selitë, Tiranë, nga ana e punonjësve të IKMT-së, në aksionin e prishjes së ndërtimeve në datat 18 dhe 19.02.2016.

Shqetësimi i qytetarëve qëndron në faktin se familjet e tyre kanë jetuar në banesat në fjalë, të ngritura para muajit Gusht të vitit 1991. Megjithëse ankuesit, kanë aplikuar në Bashkinë Tiranë, për legalizim të banesave dhe truallit funksional të tyre, pasi ato janë ndërtuar para muajit Gusht 1991, per t’u trajtuar sipas parashikimeve të VKM nr.608 datë 5.09.2012, përsëri në datat 18-19.02.2016, këto banesa janë prishur me dhunë nga ana e punonjësve të IKMT-së, të mbështetur nga punonjësit e Policisë së Shtetit, duke iu dëmtuar edhe orenditë që disponoheshin në to.

Në këto rrethana, ankuesit kanë kërkuar ndërhyrjen e Avokatit të Popullit, për sqarimin dhe zgjidhjen e kësaj çështjeje.

Mbi shqetësimin e këtij grupi banorësh është ndërmarrë kryerja e një hetimi të pavarur administrativ, i cili është realizuar me shkuarjen në vend të Ndihmës Komisionerëve të Avokatit të Popullit dhe kryerjen e veprimeve si, marrjen e shpjegimeve të personave të dëmtuar nga prishjet e ndërtesave dhe administrimin e akteve të ndryshme shkresore të ardhura nga Bashkia Tiranë dhe IKMT-ja.

Veprimet e kryera
Ngjarja lidhet me miratimin e Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr.230 datë 13.03.2015 “Për trajtimin me pagesë të qirasë për disa familje që preken nga zbatimi i projektit “Unaza e Madhe e Tiranës, segmenti “Komuna e Parisit-Rruga e Kavajës”.

IKMT Tiranë ka ndërmarrë veprimet në kuadër të kërkesës për mbështetje dhe në bashkëpunim me ARSH-në, e cila me shkresën nr.1109 prot, datë 18.02.2016, kërkon lirimin e sheshit për ndërtimin e segmentit rrugor “Unaza e Madhe e Tiranës”.

Pas marrjes në shqyrtim të këtyre ankesave, janë kërkuar shpjegime nga ana e Bashkisë Tiranë, si dhe nga ana e IKMT, Tiranë, përsa i përket trajtimit që i është bërë kësaj çështjeje dhe vendimeve të marra nga ana e këtyre organeve të administratës publike, në lidhje me kërkesën për t’u trajtuar sipas parashikimeve të VKM nr.608 datë 5.09.2012, si dhe nga ana tjetër të procedurës për prishjen e ketyre ndërtimeve.

Në përgjigje të kërkesave tona, Bashkia e Tiranës ka dërguar shkresat, të renditura sipas emrave të ankuesve:
1. A. M. shkresa e Bashkisë Tiranë nr.6147/1 datë 8.03.2016.
2. L. B. shkresa e Bashkisë Tiranë nr.6150/1 datë 8.03.2016.
3. F. J. shkresa e Bashkisë Tiranë nr.6151/1 datë 8.03.2016.
4. E. J. shkresa e Bashkisë Tiranë nr.6152/1 datë 8.03.2016.
5. A. D. shkresa e Bashkisë Tiranë nr.6146/1 datë 8.03.2016.
6. Z. M. shkresa e Bashkisë Tiranë nr.6149/1 datë 8.03.2016.
7. B. M. shkresa e Bashkisë Tiranë nr.6148/1 datë 8.03.2016.

Në të gjitha rastet e sipërcituara, përmbajtja e shkresave të Bashkisë Tiranë është e njëjtë, duke ndryshuar vetëm emrin e subjektit të cilit i drejtohet dhe numrat e shkresave me te cilat bashkia i drejtohet subjektit, dhe referon konkretisht ndër të tjera se:

“Bashkia Tiranë pasi shqyrtoi dokumentacionin e depozituar nga Autoriteti Rrugor shqiptar, si dhe nga z. A. M. për kalimin në pronësi të pasurisë që pretendon, mbështetur në kriteret dhe kushtet e përcaktuara në vendimin e mësipërm (VKM nr.608 datë 5.09.2012), i është përgjigjur qytetarit me shkresën nr.prot. A-16269/1 datë 3.12.2015, për mungesën e vërtetimit që tregon se ndërtimi është realizuar para datës 10.08.1991.

Gjithashtu, i ka kërkuar me shkresën nr.prot. 21871 datë 18.12.2016, Autoritetit Rrugor Shqiptar mundësinë për të siguruar këtë vërtetim duke qënë se është kushti kryesor i vendimit të mësipërm.

Sa më sipër, pasi nuk u arrit sigurimi i planshetave që vërtetojnë ndërtimin e banesës para datës 10.08.1991 nga qytetari, si dhe nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, Bashkia e Tiranës ka dërguar sërish një shkresë me nr. prot. 5162/1 datë 17.02.2016, ku parashtron se në këto kushte, si institucion i autorizuar, nuk mund të vazhdojë trajtimin e mëtejshëm të pasurisë në zbatim të VKM nr.608 datë 5.09.2012 “Për përcaktimin e procedurës së kalimit në pronësi të pasurive të paluajtëshme, të ndërtuara deri më 10.08.1991, e të truallit funksional të tyre, kur nuk posedohen akte fitimi pronësie, dhe regjistrimin e tyre”, i ndryshuar”.

Në përgjigje të kërkesave tona, IKMT-ja, Tiranë, ka dërguar shkresat të renditura sipas emrave të ankuesve:
1. A. M. shkresa e Bashkisë Tiranë nr.837/1 datë 7.03.2016.
2. L. B. shkresa e Bashkisë Tiranë nr.840/1 datë 7.03.2016.
3. F. J. shkresa e Bashkisë Tiranë nr.841/1 datë 7.03.2016.
4. E. J. shkresa e Bashkisë Tiranë nr.842/1 datë 7.03.2016.
5. A. D. shkresa e Bashkisë Tiranë nr.836/1 datë 7.03.2016.
6. Z. M. shkresa e Bashkisë Tiranë nr.839/1 datë 7.03.2016.
7. B. M. shkresa e Bashkisë Tiranë nr.838/1 datë 7.03.2016.

Në të gjitha rastet e sipërcituara, përmbajtja e shkresave të IKMT Tiranë është e njëjtë, duke ndryshuar vetëm emri i subjektit të cilit i drejtohet dhe numrat e shkresave me te cilat IKMT-ja i drejtohet subjektit, dhe referon konkretisht ndër të tjera se:

“Veprimet e ndërmarra nga ana e IKMT janë kryer në kuadër të kërkesës për mbështetje dhe në bashkëpunim me ARSH-në, e cila me shkresën nr.1109 datë 18.02.2016, kërkon lirimin e sheshit të ndërtimit për ndërtimin e segmentit rrugor “Unaza e Madhe e Tiranës”.

Konstatime dhe përfundime
Qysh në fillim shprehim mendimin e Avokatit të Popullit se jemi për zbatimin rigoroz të çdo akti ligjor të nxjerrë nga Këshilli i Ministrave, siç është dhe rasti konkret duke respektuar parimin e sigurisë publike. Jemi të ndërgjegjshëm dhe për faktin se interesi publik duhet të prevalojë mbi të drejtën e pronës së shtetasve.

Si një institucion i pavarur në funksion të ushtrimit të kompetencave kushtetuese dhe ligjore kemi misionin për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të ligjshëm të qytetarëve nga veprimet apo mosveprimet e administratës publike.

Kjo për faktin se në të gjitha rastet e hetuara për prishjen e objekteve nga Inspektorët e IKMT-së, qytetarët kanë patur shqetësim të parë mosnjoftimin sipas rregullave me qëllim për të rikuperuar dëmin e shkaktuar. Por në fakt prishjet e banesave të qytetarëve nga ana e IKMT-së janë bërë të menjëhershme dhe arbitrare, duke cenuar dhe dinjitetin njerëzor. Veprimet e prishjes së banesave prej punonjësve të IKMT-së janë konstatuar në vend nga Ndihmëskomisionerët e Avokatit të Popullit.

Nga analiza e veprimeve të kryera, konstatohet se:
Së pari: Procedimi administrativ i kryer nga IKMT, mbi bazën e kërkesës së Autoritetit Rrugor Shqiptar me shkresën nr.1109, datë 18.02.2016, nuk rezulton i pasqyruar në ndonjë akt prej këtij organi

Punonjësit e IKMT-së gjatë aksionit të prishjes së banesave të 7 qytetarëve të sipërpërmëndur në segmentin rrugor “Unaza e Madhe e Tiranës” realizuar në datat 18 dhe 19 Shkurt 2016, nuk kanë respektuar procedurat e nevojshme, që lidhen me njoftimet apo vënien në dispozicion të shtetasve të dëmtuar të akteve ose vendimeve për prishjen. Kështu, ka ndodhur që të 7 subjektet janë njoftuar për prishjen në mënyrë verbale nga punonëjsit e IKMT-së, vetëm tre ditë para.

Për rastet e ndërtimeve pa leje, por që janë në proces legalizimi, punonjësit e IKMT-së nuk kanë respektuar kërkesat e dispozitave ligjore të parashikuara në nenet 4, 8 dhe 11 të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr.862, datë 05.12.2007 “Për unifikimin e procedurave të kontrollit të territorit nga Inspektoriati Ndërtimor e Urbanistik Kombëtar e ai vendor”. Pra, punonjësit e IKMT-së nuk kanë mbajtur proces verbal për konstatimin e faktit në përputhje me nenin 12 të ligjit nr.9780, datë 16.07.2007 “Për inspektimin e ndërtimit”, e më pas vendimin për prishjen e objektit brënda 10 ditëve duke njoftuar dhe subjektin e kontrolluar.

Së dyti: Në mospasqyrimin sipas një proces verbali për konstatimin e shpenzimeve të prishjes, kërkesë kjo e nenit 20/1 të VKM nr.846 datë 27.10.2010, “Për një shtesë në vendimin nr.862, datë 05.12.2007 të Këshillit të Ministrave “Për unifikimin e procedurave të kontrollit të territorit nga Inspektoriati Ndërtimor e Urbanistik Kombëtar e ai Vendor”.

Ajo çfarë konstatohet nga ana jonë në trajtimin që i është bërë çështjeve përkatëse nga ana e Bashkisë Tiranë, si dhe nga ana e IKMT-së, Tiranë, është se:

a).Bashkia Tiranë, pavarësisht se pranon në shkresat e saj se, ka filluar për çdo rast, (sipas kërkesave dhe aplikimeve të paraqitura prej ankuesve), procedimin administrativ për shqyrtimin e aplikimeve në përputhje me parashikimet e VKM nr.608 datë 5.09.2012 “Për përcaktimin e procedurës së kalimit në pronësi të pasurive të paluajtëshme, të ndërtuara deri më 10.08.1991, e të truallit funksional të tyre, kur nuk posedohen akte fitimi pronësie, dhe regjistrimin e tyre”, i ndryshuar, ende sot e kësaj dite (dhe aq më pak para datave 18-19.02.2016), nuk ka nxjerrë një akt administrativ, për përfundimin e procedimeve administrative përkatëse.Themi këtë, pasi shkresa nr.5162/1 datë 17.02.2016 e Bashkisë Tiranë, drejtuar drejtorit të ARSH-së, nuk është akt administrativ dhe në këto kushte, kërkesa apo aplikimi i shtetasve A. M. etj, ligjërisht është ende në shqyrtim nga ana e Bashkisë Tiranë. Në këto rrethana, në përputhje me nenin 23/1, të Kodit të Procedurave Administrative, nuk mund të ndërhyhet dhe të merret asnjë vendim tjetër që lidhet me vendbanimet e ankuesve, derisa Bashkia Tiranë të shprehet përfundimisht me një vendim sa i takon trajtimit të tyre, sipas VKM nr.608 datë 5.09.2012. Çdo veprim tjetër në kundërshtim me këto përcaktime është i kundërligjshëm. Nuk rezulton që Bashkia Tiranë t’i ketë komunikuar, apo njoftuar vetë ankuesve si palë drejtëpërdrejtë të interesuara, ndonjë vendim përfundimtar lidhur me aplikimet që ato kanë kryer.

b) IKMT, Tiranë, sikurse kemi konstatuar edhe në Raportin e Veçantë drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, lidhur me veprimtarinë e IKMT-së për dy periudha kohore të mëparshme, është përsëri në kushtet e një veprimtarie tërësisht të kundërligjshme, që ka sjellë pasoja serioze në cenimin e së drejtës së pronësisë dhe të jetës familjare të ankuesve. Nuk mund të mbështetet kërkesa e ARSH-së, kur Bashkia Tiranë nuk ka marrë ende një vendim përfundimtar lidhur me aplikimet për trajtimin e banesave të ankuesve sipas VKM nr.608 datë 5.09.2012 dhe kur, IKMT-ja nuk ka kryer procedurën e detyrueshme ligjore, që përcaktohet në Ligjin nr.9780 datë 16.07.2007 “Për inspektimin dhe mbrojtjen e territorit nga ndërtimet e kundërligjshme”, i ndryshuar.

Duhet theksuar se e drejta për t’ju drejtuar gjykatës është një e drejtë kushtetuese, e cila ka për qëllim të garantojë shtetasit nga çdo veprim që u shkakton cenim të të drejtave të tyre, pa përjashtuar rastet kur cenimi vjen nga ndonjë akt i administratës.

Pasojat e ardhura nga mosveprimet apo veprimet e paligjshme të punonjësve të IKMT-së, janë si më poshtë:

1. Pasoja ekonomike-financiare, të cilat përbëjnë një dëm të konsiderueshëm pas prishjes së banesave të qytetarëve, por dhe duke ndërprerë aktivitetin e punës të mundimshme për të siguruar jetesën e tyre dhe pjestarëve të tjerë të familjes, ku në pjesën më të madhe përbëhet deri në 8 persona.

2. Pasoja në vlera monetare të pajisjeve dhe orendive shtëpiake për rastet e ndërtimeve pa leje si, në rastin e shtetasve A. M. etj, pas prishjes së banesave kanë qëndruar jashtë me pjestarët e familjeve të tyre në kushte të papërshtatshme dhe aspak njerëzore.

3. Pasoja psikologjike dhe krijimi i stresit i bërë evident në momentin e prishjes së banesave e pas saj, më e theksuar kjo tek fëmijët e mitur, apo personat e moshuar.

4. Shkelja e parimit të zhvillimit të një procesi të rregullt ligjor, pasi qytetarëve nuk ju është vënë në dispozicion një akt administrativ që do të shprehej mbi objektet e tyre informale, duke i mohuar të drejtën e njoftimit dhe ushtrimit të një mjeti efektiv të ankimit në gjykatë, parashikuar në nenin 46 të Kushtetutës së Republikës të Shqipërisë dhe nenit 6 të KEDNJ. Parimi i shtetit të së drejtës detyron të gjitha organet e pushtetit publik që t’i ushtrojnë kompetencat e tyre vetëm në kuadër dhe në bazë të normave kushtetuese e ligjore.

Nga analiza në tërësi e rastit, rezulton se punonjësit e IKMT-së në kryerjen e funksioneve publike në saj të detyrës shtetërore, me mosveprimet dhe veprimet e tyre të kundërligjshme, të cilat përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës kanë dëmtuar interesat e ligjshme të shtetasve. Ka një lidhje shkakësore të drejtpërdrejtë midis veprimit dhe mosveprimit të kundërligjshëm, mospërmbushje të rregullt të detyrës dhe dëmtimit të interesave të ligjshëm të shtetit dhe shtetasve. Në këto rrethana inspektorët e IKMT-së Tiranë, pjesmarrës në prishjen e 7 banesave të qytetarëve A. M. etj, në bashkëpunim me persona të tjerë të atij institucioni, kanë konsumuar veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 e 25 të Kodit Penal.

Në vëmendjen tuaj përcjellim dhe rastin e rekomandimit tonë me shkresën nr.K3/R12-11 datë 23.12.2015, drejtuar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lushnje, e për dijeni Prokurorit të Përgjithshëm për fillimin e hetimit për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” ndaj inspektorëve të IKMT-së Tiranë, për të cilën jemi informuar se janë filluar hetimet e procedimit penal. E përmendëm këtë rast pasi, IKMT-ja prishjen e objekteve pranë kryqëzimeve e rrethrrotullimeve në segmentin rrugor Rrogozhinë-Fier e ka justifikuar duke pretenduar se: “ Është vetëm organ zbatues që veprimet e veta i kryen vetëm në përfundim të miratimit të procedurave përkatëse për prishjen e objekteve në kuadër të lirimit të sheshit të ndërtimit, sipas projektit të zbatimit…”(shkresa nr.2375/1 datë 22.04.2015)

Mendojmë se përgjigja e mësipërme nuk është korrekte, për faktin se IKMT-ja nuk ka respektuar procedurat ligjore për njoftimin dhe vendimmarrjen kundrejt qytetarëve që iu nënshtruan prishjes së banesave, me pasoja në cenim të interesave të tyre të ligjshme.

Për sa sipër dhe bazuar në nenin 63, pika 3 të Kushtetutës së Republikës të Shqipërisë ku thuhet : “Avokati i Popullit ka të drejtë të bëjë rekomandime dhe të propozojë masa kur vëren shkelje të të drejtave të njeriut nga administrata publike” dhe në bazë të nenit 21 gërma “ç” të ligjit nr.8454 datë 04.02.1999, “Për Avokatin e Popullit” me ndryshimet përkatëse ku thuhet: “Avokati i Popullit, pas përfundimit të hetimit, i rekomandon Prokurorisë të fillojë hetimet në qoftë se vëren se është konsumuar figura e një vepre penale, ose të rifillojë hetimet e pushuara ose të pezulluara”,

REKOMANDOHET
“Fillimi i hetimit për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 e 25 të Kodit Penal, në ngarkim të inspektorëve të I.K.M.T Tiranë, të cilët kanë marrë pjesë në prishjen e banesave të anëtarëve të Komunitetit Romë, ndodhur në rrugën “Irfan Tomini” Selitë, në datat 18 dhe 19.02.2016,
(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb