U nda nga kjo jetë Fatmir Kumbaro, Mentori im i ligjit dhe politikës. Njeriu që bënte kompromis vetëm me të mirën, të drejtën dhe dashurinë. Profesori që më asistoi, në hapat dhe reagimet e para, rreth ideve, shkollave dhe praktikave politiko-juridike. Vëllai i madh, shoku dhe miku i këshillimit, mbështetjes dhe udhëheqjes së pandërprerë, në politikë dhe jurisprudencë, karakterizuar nga besimi dhe respekti reciprok. Shembulli im, pasqyra ime e zgjidhjes së problemeve me qetësi, seriozitet, profesionalizëm dhe përkushtim.

U nda nga kjo jetë Fatmir Kumbaro, politikani që kundërshtoi në tryeza dhe debate “politikën negative” që synonte delegjitimimin e propozimeve të tjetrit, çfarëdo qofshin ato, për të arritur synimet personale dhe konsensusin, pa pyetur për bashkimin e unitetin.

U nda nga kjo jetë Fatmir Kumbaro, gazetari i shqetësur pas viteve ’90 nga shoqëria që ecte me nxitim dhe ku mbizotëronte politika e mërive.

U nda nga kjo jetë Fatmir Kumbaro, diplomati patriot që nën krismat e luftës për liri, barazi, drejtësi dhe kundërshtimeve politike mes  shqiptarëve në ish Maqedoni, u përpoq, këshilloi dhe orientoi se, nuk mund të ketë demokraci në një komb, që nuk bashkohet rreth vlerave dhe synimeve të përbashkëta.

U nda nga kjo jetë Fatmir Kumbaro, profesori i dhjetëra brezave të juristëve, që u mësoi (jo vetëm për shkak të lëndës) se: si qytetarët e ushtrojnë pushtetin në një demokraci të vërtetë; si demokracitë moderne kanë sëmundjet e tyre që nisin me ndarjen e konsensusit nga e vërteta, degjenerimin oligarkik apo lobist të demokracisë, si edhe devijimet asistencialiste e burokratike të shtetit social; si konsensusi, duhet arritur vetëm mbi bazën e së vërtetës dhe të idealeve të përbashkëta.

Lamtumirë profesor Fatmir Kumbaro, që dhe aty ku do të jesh do t’í ndihmosh brezat me jetën dhe veprimtarinë tënde, pa patur merakun se Ne, sa të rrojmë, do të kujtojmë me nderim, respekt dhe mirënjohje.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: