TIRANË- Vaksinimi duhet të bëhet dhe nuk ka asnjë lidhje me autizmin. Kështu ka deklaruar Silva Bino, shefe e Departamentit të sëmundjeve infektive në ISHP në një bisedë në studion e “Opinion” në News24 me gazetarët Ola Bruko e Edvin Parruca.

Bino ashtu si edhe herë të tjera deklaroi se nuk ka asnjë studim që e lidh autizmin me vaksinimin por janë 12 mijë të tilla që tregojnë të kundërtën. Ajo apeloi që të gjithë të vaksinohen edhe të rinjtë edhe të rriturit për ato sëmundje që nuk janë vaksinuar në të shkuarën.

Si mund ta mposhtim frikën para vaksinimit?
Natyrisht që duhet të vaksinohemi, edhe të rinjtë edhe të rriturit. Vaksinat janë një nga praktikat më të mira për njerëzimin.

Pse ka dyshime?
Ka dyshime sepse vetë vaksinimi është viktimë e suksesit të vetë. Nëpërmjet vaksinave janë zhdukur mijëra sëmundje. Njerëzit i harrojnë dhe mendojnë se kështu ka qenë gjithnjë dhe bazohen në mite pa bazë shkencore.

Lajmi i Agjencisë Amerikane të ushqimit për një vaksinë që kishte lidhje me autizmin…
E pashë lajmin dhe menjëherë u futa dhe vetë tek faqja e FDA-së duke e ditur që nuk e kishte një gjë të tillë. Janë faqe që flasin për shëndetin dhe anti-vaksinë. I referohet një faqe të vjetër dhe thotë që ka njerëz që e lidhin. Është mbivendosur nga një thënie në një thënie dhe është shkruar sikur e ka deklaruar FDA.
Janë mbi 12 mijë studime që janë kryer, që vërtetojnë që vaksina nuk shkakton autizmin. Një mjek në Britani që foli mbi këtë lidhje, u ul niveli i vaksinimit ndaj fruthit, rubeolës dhe shytave por nuk frenoi autizmin në këtë vend. Vaksinimi të bëhet në datën e caktuar.

Ka një kategori që kanë dyshime të një tjetër natyre, religjioze?
Ky grup është i vogël, por nuk duhet neglizhuar. Veprojmë nëpërmjet strukturave religjioze dhe nënave. Kur persona të ndryshëm shkojnë për Haxh, në Mekë të gjithë vaksinohen. Është proces që kërkohet për të vajtur atje. Përderisa kërkohet në një vend të shenjtë, nuk ka pse vaksinat të mos bëhen.

Vaksinat a janë të njëjta me ato që bëheshin dikur dhe sa efektive janë në krahasim me të dikurshmet?
Vaksinat ruhen në disa kushte të posaçme që ne i themi zinxhiri i ruajtjes së vaksinave. Proces që ka kaluar një revolucion pas viteve 2000. Atëherë nuk kanë qenë marrë masat e duhura dhe pikërisht nga kjo ka pasur shpërthime epidemike. Shpërthimi i fruthit ‘89-‘90, shpërthimi i poliomelitetit në vitet 95-96. Ne i kemi bërë thirrje njerëzve që të vaksinohen që i përkasin këtyre datëlindjeve’ 80-‘90 që nuk janë rivaksinuar.

Sa garanci mund t’i jepet publikut për cilësinë e vaksinave?
Vaksinat blihen me buxhetin e shtetit në marrëveshje me UNICEF, janë të certifikuara nga OBSH. I gjithë zinxhiri i prodhimit dhe mbajtjes është i monitoruar. Përpiqemi që të jemi në proces alerti në lidhje me to. Në lidhje me skadencën as nuk bëhet fjalë, përdoren brenda afatit. Ne i gjurmojmë edhe në bazë të lotit.

Në lidhje me vaksinat në tregun privat, monitorohen në bazë udhëzuesi apo një komiteti që merret me efektet e vaksinave. Në përgjithësi ky sistem është i saktë.

Vaksinat anti-grip duhet t’i bëjmë apo jo?
Gripi një nga sëmundjet më të rrezikshme sepse neglizhohet, vështirë të trajtohet menjëherë. Është sëmundje hileqare që mund të shkaktojë forma të tjera. Vaksina është e nevojshme për të parandaluar format e rënda. Edhe fëmijët mbi 6 muajsh mund ta bëjnë.

(m.k/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: