Nga: OLA MITRE*
TIRANE – Dioksidi i zinkut, silicit apo titaniumit po përdoren kohët e fundit në shumë teknologji, duke përshirë dhe produkte ushqimore e kozmetike, ndërkohë që është e domosdoshme që konsumatorët të informohen për përmbajtjen e tyre”. Deklarata vjen nga shefi i Departamentit të Shëndetit dhe Mjedisit në pranë Institutit të Shëndetit Publik, Prof. Asc. Arben Luzati, i cili shton se këto substanca, të njohura si nanomateriale mund të depërtojnë në organizëm për shkak të madhësisë tejet të vogël, duke shkaktuar edhe efekte të padëshiruara në shëndet. Për këtë arsye, në këtë intervistë dhënë për “Gazeta Shqiptare”, ai thekson domosdoshmërinë e hartimit të rregulloreve nga ana e ligjvënësve tanë.
Z. Luzati, çfarë janë nanomaterialet?
Shkencëtarët akoma s’po arrijnë të vendosin në mënyrë unanime një përcaktim preciz të nanomaterialeve, por ata janë pjesërisht dakord për përmasat e tyre, ku 1 nanometër është 1 e milionta e milimetrit. Disa materiale, të cilat shihen sot si nanomateriale kanë qenë në treg shumë kohë më parë, si për shembull i mirënjohuri “karboni i zi”, që është përdorur për prodhimin e gomave të makinës dhe sot prodhimi vjetor tejkalon 10 milionë tonë. Të tjerë nanomateriale të hershme janë: tymi i silicës, një formë e dioksidit të silicës, dioksidi i titaniumit dhe oxidi i zinkut. Këto 4 nanomateriale së bashku me nanogrimcat e futura së fundmi të argjendit përbëjnë volumin kryesor të asaj që është përdorur në produktet e konsumit që janë në treg.
Ku gjejnë përdorim këto substanca?
Ato po përdoren kohët e fundit në shumë teknologji dhe produkte novatore, duke përshirë një rang të gjerë produktesh konsumi, por mungesa e njohurive shkencore si dhe ajo e evidencave për sigurinë e disa produkteve nanoteknologjike po rrisin vëmendjen e publikut dhe qeveritarëve në mbarë botën rreth përdorimit të sigurt të tyre si dhe shikimit të mundësisë të vlerësimit së impaktit të tyre në shëndet dhe mjedis. Disa fusha ku produktet përfundimtare mund të përmbajnë nanomateriale janë: kozmetikat dhe produkte të kujdesit personal, bojërat dhe veshjet, produktet shtëpiake, produktet sportive, tekstilet, produktet mjekësore dhe të kujdesit shëndetësor, përbërës ushqimorë dhe nutricionalë, paketimet ushqimore, agrokimikatet, etj.
Ju thatë që ekspozimi ndaj nanomaterialeve ka impakt në shëndet. Çfarë do të thotë kjo?
Nanomaterialet mund të hyjnë në organizmin e njeriut me anë të rrugëve të frymëmarrjes, orale, dermale si edhe të rrugëve të tjera për shkak të përmasave të tyre të vogla. Nëse nanomaterialet të madhësive të caktuara janë në gjendje të hyjnë në trup, ata mund të kalojnë nëpër membranat qelizore ose kalojnë barrierën gjak-tru. Në disa raste kjo është një karakteristikë e dobishme kur përdoret për mjekim dhe trajtim të sëmundjeve. Por nga ana tjetër, kjo mund të rezultojë me ndikime të padëshiruara për nanomaterialet e prodhuara jo me destinacion për terapi të sëmundjes. Megjithatë, nanoteknologjia është një shkencë relativisht e re dhe si rezultat, implikimet shëndetësore që lidhen me përdorimin e nanomaterialeve akoma nuk janë përcaktuar. Hulumtimi është i nevojshëm për të përcaktuar nëse ekspozimi ndaj nanomaterialeve të prodhuara mund të çojë në efekte negative në zemër, mushkëri, lëkurë; ndryshojë performancën riprodhuese apo të kontribuojnë në kancere të ndryshëm. Sfida shkencore për të kuptuar rrezikun e mundshëm për shëndetin e njeriut nga nanomaterialet e prodhuara është mjaft e rëndësishme.
Po në drejtim të mjedisit?
Nanomaterialet mund të ndërveprojnë me ndotës të ndryshëm mjedisorë, duke krijuar mundësi për të shkaktuar efekte të dëmshme shëndetësore. EPA (Environmental Protection Agency) aktualisht po ndërmerr studime mbi to për të identifikuar efektet e dëmshme nga ekspozimi aksidental ose i qëllimshëm për njerëzit. Ky informacion do të përdoret për të parandaluar ose minimizuar ekspozimin gjatë prodhimit, përdorimit dhe asgjësimit të produkteve të bërë me nanomateriale. Hulumtimet e mëparshme në këto grimca kanë treguar se jo të gjithë individët përgjigjen në të njëjtën mënyrë ose në të njëjtën shkallë ndjeshmërie.
Një prej fushave ku përdoren nanomaterialet janë produktet kozmetike. Çfarë duhet të kenë parasysh përdoruesit e tyre?
Në fakt, janë shumë produkte kozmetike që kanë përmbajtje nanomaterialesh dhe përdorimi i shpeshtë i nanogrimcave në kozmetikë në të vërtetë ka rritur numrin e shqetësimeve për sigurinë e produkteve, përsa kohë ato janë përdorur direkt në trupin e njeriut. Rregullorja e re e produkteve kozmetike detyron vendosjen e etiketës për përbërësit prezentë në formë nanomaterialesh, ku në listë emrat e substancave të tilla shoqërohen me fjalën “nano” në kllapa. Kjo nuk nënkupton etiketë të rrezikshme, por është vetëm për informim dhe lejon konsumatorët për të bërë një zgjedhje.
Po në drejtim të produkteve ushqimore, sa i domosdoshëm është një etiketim i tillë?
Rregulloret e BE-së për produktet e konsumit të tilla si: ushqimore, kozmetike dhe biocideve kanë dispozita specifike për nanomaterialet. Këto dispozita thonë për shembull që etiketimi duhet të mbështetet në një përkufizim të rregullt të termit “nanomaterial”.
Duke pasur parasysh ekspozimin e konsumatorëve në vendin tonë, çfarë rekomandoni ju si specialist?
Futja në përdorim e teknologjive të reja shpesh krijon sfida të reja për ligjvënësit, veçanërisht nëse lidhet me produktet e konsumit, ku përveç shtimit të benefiteve të pritura, duhet të rritet vëmendja rreth risqeve shëndetësore dhe atyre mjedisore. Në këtë rast, nevojiten rregullore të reja ose adaptimi i atyre ekzistuese. Po ashtu, autoritetet rregullatore duhet të përcaktojnë çfarë nevojash duhet të zgjidhen.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
