Nga AURORA KOROMANI*
Sistemi-risi për ndëshkimin me pikë të shkel jeve në qarkullimin rrugor do të hyjë në fuqi pas një muaji. Kështu shprehet kreu i Drejtorisë së Policisë Rrugore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Mitat Tola. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, ai shpjegon sistemin e patentave me pikë, si do t’u hiqen pikët nga patenta drejtuesve të mjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit, çfarë do të ndodhë me drejtuesit e mjeteve që ngelen me zero pikë dhe si do t’i rifitojnë ato. 8 pikë minus për tejkalim shpejtësie, 10 pikë minus kush futet me të kuqe, janë këto disa nga masat e reja. Nuk do të ketë “patentë të re”, çdokush do vazhdojë të qarkullojë me patentën që ka. Vetëm se sistemi i penalizimit tashmë do të jetë edhe elektronik. Për çdo shkelje ju hiqen pikët, dhe secili mund të kontrollojë në çdo moment sa pikë ka në patentë. Nëse shifra 20 shkon 0, gjithçka për ju nis nga e para, duhet të bëni kursin dhe provimin në autoshkollë. “GSH” jep tabelën e penalizimeve të plota për secilën shkelje të Kodit Rrugor.
Z.Tola, sa të nevojshme janë ndryshimet që do të përfshihen në Kodin Rrugor?
Ligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.8378, datë 22.7.1998, “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”, u hartua në mbështetje të neneve të Kushtetutës, në vijim të përditësimit dhe miratimit të “ligjeve kuadër” në fushën e transportit dhe sigurisë rrugore, duke synuar plotësimin e të gjithë kuadrit ligjor në fushën e transportit rrugor dhe sigurisë rrugore, të përafruar me direktivat përkatëse të BE-së. Qëllimi i tij është përmirësimi dhe rritja e sigurisë në qarkullimin rrugor, duke krijuar dhe siguruar një nivel të mjaftueshëm të sigurisë për përdoruesit e rrugës, drejtuesit e mjeteve rrugore si dhe mbrojtjen e rrugëve e mjedisit rrethues në rast aksidentesh rrugore.
Rritja e sigurisë rrugore përbën një prioritet madhor ku, nisur nga situata e rënduar me aksidente rrugore do të synohet ulja e vazhdueshme e tyre, veçanërisht ato me pasoja fatale në njerëz. Objektivi i ligjit të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë dhe dekretuar nga Presidenti i Republikës “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8378, datë 22.07.1998 ‘Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë’, i ndryshuar” është në respektim të afateve të PKZMSA-së dhe në përputhje me direktivën 2006/126/EC të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit, datë 20 dhjetor 2006, “Mbi lejet e drejtimit” dhe vendos si prioritet të parë rritjen e sigurisë së qarkullimit rrugor, mbështetur në praktikat më të mira të BE-së, për standardizimin e lejeve të drejtimit si dhe kategorive të mjeteve rrugore. Në nenet 12, 13 dhe 14 të ligjit u bënë ndryshime të neneve 114, 115 dhe 117, lidhur me kërkesat fiziko-psikike, me kategoritë e lejeve të drejtimit të mjeteve motorike dhe rimorkiove të tyre, si dhe me moshat minimale të marrjes së lejeve të drejtimit, pra realizojmë kështu përputhjen e plotë të legjislacionit tonë me atë europian në fushën e kategorive të lejeve të drejtimit, sipas direktivës 2006/126/KE, datë 20 dhjetor 2006, të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit “Mbi lejet e drejtimit”. Nene të tjera të ndryshuara kanë të bëjnë me disa korrektime të neneve të mëparshme për sistemin e pikëve të revokimit të lejedrejtimit dhe të afateve të vlefshmërinë së lejedrejtimit.
Si ndryshojnë patentat dhe si do të zbatohet sistemi i patentës me pikë?
Sistemi i lejedrejtimit me pikë me ndryshimet në Kodin Rrugor së shpejti do të jetë funksional, ndoshta pas një muaji ky sistem do të jetë në fuqi. Falë ndryshimeve në Kod, në nenin 129/1 u implementuan këto ndryshime: Mbajtësit të lejedrejtimit i jepet një sasi prej njëzet pikësh. Kjo sasi pikësh, e shënuar në regjistrin kombëtar të personave të aftësuar për drejtimin e mjeteve, të parashikuar në nenet 220 dhe 221 të këtij Kodi, pëson shkurtime (zbritje), në bazë të njoftimeve për shkeljet e normave të sjelljes, për të cilat është parashikuar një sanksion administrativ plotësues i pezullimit të lejedrejtimit. Tregimi i sasisë së pikëve është i lidhur me çdo shkelje dhe duhet të rezultojë nga vendimi i komisionit të organit epror të agjentit verifikues.
Pra është me interes të shpjegoj se “në thelb” nuk do të ketë ndryshime fizike të dokumentit “lejedrejtimi” ose thjesht “patenta” në terminologjinë e përditshme, por do të ndryshojë tani e tutje “sjellja” e çdo drejtuesi mjeti në raport me shkeljet e tij për të cilat drejtuesit e mjeteve duhet të fillojnë të bëhen më të kujdesshëm, për të mos “i humbur” pikët në dispozicion. Shkelje të cilat konstatohen nga organet e Policisë Rrugore dhe për të cilat vendoset një gjobë (masë administrative), e cila është gjithashtu e parashikuar në një vendim të miratuar nga Këshilli i Ministrave në trajtën e një tabele.
Çfarë do të ndodhë me drejtuesit që zbresin me zero pikë?
Në momentin që drejtuesi i mjetit kryen disa shkelje dhe i humbet të gjitha pikët, ai/ajo do të drejtohet në një autoshkollë për të kryer një kurs riaftësimi dhe një provim për të “rifituar” lejedrejtimin. E gjitha kjo për drejtuesit e mjeteve do të thotë tani e tutje kohë e humbur, para të shpenzuara më tepër, pra sistemi do të fillojë të jetë i kushtueshëm financiarisht për drejtuesit e mjeteve të pakujdesshme në rrugë. Në ndryshimet e Kodit është parashikuar gjithashtu: “Në rast se mbajtësi i lejedrejtimit nuk fiton provimin e kualifikimit brenda tridhjetë ditëve nga data kur i lind ky detyrim, organi epror i agjentit verifikues, me t’u njoftuar nga regjistri kombëtar, procedon për tërheqjen dhe ruajtjen e dokumentit të lejedrejtimit. Kur mbajtësi i lejedrejtimit fiton provimin e kualifikimit, sasia e pikëve, e shënuar në regjistrin kombëtar të personave të aftësuar për drejtimin e mjeteve, i shkon në njëzet pikë dhe i kthehet leja e drejtimit të pezulluar…”.
Nëse ka drejtues mjetesh që nuk bëjnë asnjë shkelje, a do të ketë për ata një favorizim për shtimin e pikëve, në formë bonusi?
Përsëri po u referohem ndryshimeve të Kodit Rrugor, nenit 120/1, ku është parashikuar edhe kjo situatë. Për të gjithë drejtuesit e mjeteve, të cilët për një periudhë prej dy vitesh nuk bëjnë asnjë shkelje, atyre u jepet një bonus pikësh, dhe në mungesë të shkeljeve përcaktohet edhe dhënia e një krediti prej dy pikësh deri në një maksimum prej dhjetë pikësh.
Si do administrohen pikët që hiqen nga patenta dhe sa pikë i hiqen një drejtuesi mjeti në varësi të shkeljeve që bën?
Pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor është funksional regjistri elektronik i mjeteve dhe i drejtuesve të mjeteve. Për çdo shkelje të kryer nga drejtuesit e mjeteve, për të cilat Policia Rrugore vendos një masë administrative me gjobë, në bazë të tabelës së miratuar të pikëve me VKM do të bëhet “zbritja dhe shkurtimi i pikëve”. Besoj se drejtuesve në kohë reale do t’u krijohet mundësia për të ditur në çdo kohë gjendjen reale të pikëve nëpërmjet internetit. A ka mundësi një drejtues mjeti që të rikthejë pikët e humbura? Po! Pas procedurës së trajnimit, ndjekjes së një kursi të parashikuar në aktet në zbatim dhe kalimit të një testi me shkrim, po të parashikuar në udhëzimet e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, drejtuesit do t’i rijepen pikët e plota.
Një nga ndryshimet në Kodin Rrugor është edhe rritja e gjobës për drejtuesit e mjeteve që nuk respektojnë sinjalistikën dhe më konkretisht për ata që kalojnë me semafor të kuq. A ishte i domosdoshëm ky ndryshim?
Nisur nga konstatimet dhe nga eksperiencat më të mira europiane, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Shtetit sugjeruan që neni 144, “Mosrespektimi i sinjalizimit rrugor”, të modifikohet duke hequr pezullimin e lejedrejtimit në shkeljen dhe mosrespektimin e semaforit të kuq herën e parë, duke rritur masën e gjobës. Argumentimi i rritjes së gjobës në 20-30 mijë lekë ka të bëjë me rrezikshmërinë e lartë të kësaj shkeljeje, ndërkohë që po punohet për fillimin e funksionimit edhe për implementimin e një sistemi modern të monitorimit automatik të trafikut nëpërmjet sistemeve të kamerave dhe të shkeljeve. Ky ndryshim u ndërmor nisur edhe nga fakti se për periudhën 12-mujore të 2014-ës, rreth 28% e masave administrative me pezullim të lejeve të drejtimit janë për “moszbatim të sinjalizimit rrugor”, ku 21% prej tyre janë për shkelje të semaforit me “dritë të kuqe”. Praktika e vendeve fqinje që e ka të përshkallëzuar këtë shkelje, duke vlerësuar që tërheqja e lejes së drejtimit të bëhet vetëm në rastet e përsëritjes së të njëjtës shkelje brenda një afati kohor (minimalisht 1 vit), është parë e arsyeshme të aplikohet edhe në kuadër të përafrimit të legjislacionit me atë të vendeve të BE-së. Rëndësinë e kësaj shkeljeje në riskun për aksidente të mundshme e me pasoja, gjithashtu e kemi vlerësuar në masën e gjobës së propozuar dhe të miratuar tashmë dhe që do të zbatohet pas datës 20 janar 2015. Së fundi jemi te vlerësimi i kategorisë së personave që kryesisht e kryejnë këtë shkelje dhe vlerësimin e saj në gjithë literaturën e sigurisë si: “veprim i qëllimshëm për të sjellë pasojë”. Ndërkohë, është me vend të theksoj se nuk ka ndryshime të tjera të “Normave të sjelljes” të Kodit Rrugor.
(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)
(ar.sh/BalkanWeb)
