Gjykata e Posaçme vendosi të shpallë moskompetencën dhe ta dërgojë për gjykim në Gjykatën e Tiranës dosjen penale ndaj ish-zv/drejtorit të Policisë së kryeqytetit, Erzen Breçani, dhe ish-punonjëses së policisë, Jonida Babameto.
Vendimi u mor pasi gjatë shqyrtimit të dosjes në seancë paraprake nuk u provua se Breçani dhe ish-zyrtarja e policisë kishin vepruar në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal. Të dy të pandehurit pritet të gjykohen me procedurë të zakonshme.
Gjatë seancës, i pandehuri Breçani kundërshtoi akuzat e SPAK dhe tha se gjatë gjykimit do të provojë pafajësinë e tij.
“Nuk mund ta pranoj që unë të gjykohem me këto prova që janë paraqitur nga SPAK. Për akuzën e ‘pastrimit të parave’, as më ka shkuar në mend dhe as kam pastruar para. SPAK e thotë vetë që nuk kemi mundësi financiare dhe është e vërtetë, paratë për hidrocentralin ia kemi marrë vëllait që ka 25 vite me disa biznese”, deklaroi Breçani.
Ai foli edhe për njohjen me një prej të pandehurve, Bujar Ajeti Gërmizi.
“Bujar Ajetin e njoh që kur ishim fëmijë, më pas edhe te RENEA. Në dijeninë time, nuk ka qenë person në kërkim nga shteti shqiptar. Unë kam ndjekur kriminelët gjithë jetën time, nuk kam pse të përkrah këtë kategori tani”, theksoi ai.
Ndërkohë, Gjykata e Posaçme pranoi gjykimin e shkurtuar për të pandehurit Ismail Zeneli, Bujar Ajeti, Besmir Murtati, Adrian Cenaj, Albert Prenga dhe ish-zyrtarin e lartë të policisë, Dedan Gjoni. Këta të fundit akuzohen si anëtarë të një grupi kriminal që trafikonte kokainë, siguronin kushte për të kryer vrasje dhe bënin pastrim parash.
Personat e tjerë që ndodhen ende në kërkim, mes tyre djali i Erzen Breçanit, Eralbi, si dhe Ervin Mata, Artan Sulejmani dhe Bajram Grabova, janë shpallur në kërkim ndërkombëtar që prej nëntorit të vitit 2023 dhe do të gjykohen në një proces të ndarë.
Pjesë nga dëshmia e Erzen Breçanit:
Prokuroria, gjatë hetimit njëvjeçar, ka kryer një vlerësim për HEC-in dhe nuk ka kryer aktin e ekspertimit të kontabilitetit, ku të provohet vepra penale dhe akuza. Rezulton se heci është pronë e vëllait tim dhe e firmës “Brecani”, e vertetuar si ortak i vetëm. Ka kaluar hetimi dhe është verifikuar që burimi i financimit është i saktë dhe vjen vetëm nga firma e vëllait tim.
Sa i përket Bujar Ajetit, unë kam qenë pjesë e sportit të mundjes që kur isha fëmijë, dhe ai ka një vendim nga Gjykata Shqiptare, ku është parashkruar dënimi i tij. Ai ka pasaportën tashmë për nëntë vite, por nuk është kryer asnjë operacion për arrestimin e tij. Ka kaluar kufirin me këtë pasaportë disa herë dhe ka qenë i shoqëruar disa herë në Komisariatin e Policisë.
Po ashtu, pa qenë në kërkim, ai nuk do të kishte mundur të dilte jashtë. Ka qenë objekt i OFL-së, ku ka firmosur pas gjithë këtyre veprimeve. Kam kërkuar, a ka urdhër nga DPPSH për arrestimin e tij që të ketë dështuar? Përveç atyre që ke shkruar ti, edhe këto janë të vërteta që duhet të vazhdojë gjykimi i zakonshëm.
(BalkanWeb)
