Baba Hekuran Nikollari u nda papritur nga jeta mbrëmjen e djeshme, në moshën 61-vjeçare. Komisariati i Policisë së Përmetit ka bërë njoftimin e parë për mediat lidhur me këtë ngjarje duke dhënë edhe detaje. Sipas Policisë, Baba Hekurani është gjetur i vdekur rreth orës 22.00 të mbrëmjes së datës 3 shkurt në ambientet e teqesë së Alipostivanit.

Në trupin e tij nuk janë vërejtur shenja dhune dhe paraprakisht dyshohet se ka humbur jetën nga shkaqe natyrale.

“Pritet ekspertiza mjekoligjore për të përcaktuar shkakun e humbjes së jetës”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Njoftimi i policisë:

Përmet/Më datë 03.02.2025, rreth orës 22:00, në vendin e quajtur “Teqeja e Alipostivanit”, është gjetur pa shenja jete dhe pa shenja dhune, shtetasi H. N., 61 vjeç, Baba i Teqes.

Nga veprimet e para hetimore dyshohet se ky shtetas ka humbur jetën nga shkaqe natyrale. Pritet ekspertiza mjekoligjore për të përcaktuar shkakun e humbjes së jetës.

Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb