Një shqiptar i dënuar për vrasje, i cili arriti t’i shpëtonte drejtësisë për 27 vite duke jetuar në Britaninë e Madhe me identitet të rremë, mund të qëndrojë në këtë shtet edhe pas përfundimit të dënimit që po vuan aktualisht. Shqipëria ka tërhequr kërkesën për ekstradimin e tij, me argumentin se ka kaluar shumë kohë nga kryerja e krimit. Bëhet fjalë për 60-vjeçarin Sabri Sopoti, i cili në dhjetor të vitit 1999 qëlloi për vdekje një person me një automatik të tipit Scorpion në një lokal në veri të Shqipërisë. Pas ngjarjes, e cila dyshohet se kishte si motiv një konflikt familjar, ai u largua nga vendi dhe shkoi në Mbretërinë e Bashkuar.

Atje, Sopoti u paraqit si refugjat nga Kosova, duke përdorur identitetin e rremë Zenel Bytyqi, me të cilin arriti të përfitonte azil dhe të jetonte i pazbuluar për 27 vite. Në Shqipëri, ai u gjykua në mungesë dhe u dënua me 24 vite burgim, për vrasje me paramendim dhe një vepër penale që lidhej me armëmbajtjen. Identiteti i tij i vërtetë u zbulua në Britani vetëm pasi u përfshi në një tjetër çështje penale, që kishte të bënte me kontrabandën e alkoolit dhe shmangien e pagesës së taksave. Sopoti u arrestua në korrik të këtij viti dhe pritej të përballej muajin e ardhshëm me një seancë të plotë gjyqësore për ekstradimin drejt Shqipërisë. Megjithatë, gjatë një seance të premten në Gjykatën e Magjistraturës në Westminster, autoritetet britanike u njoftuan se Shqipëria kishte tërhequr urdhër-arrestin ndërkombëtar, në bazë të nenit 122 të Ligjit për Ekstradimin të vitit 2003.

Sipas kërkesës së autoriteteve shqiptare, një gjyqtar në Shqipëri kishte vendosur së fundmi se kishte kaluar një periudhë tepër e gjatë nga kryerja e veprës penale dhe se nuk ishte më e mundur që Sopoti të vuante dënimin fillestar. Për pasojë, gjykata në Westminster u detyrua të urdhëronte pushimin automatik të procedurës së ekstradimit. Shërbimi i Prokurorisë së Kurorës në Britani bëri të ditur se nuk kishte asnjë tregues që Shqipëria do ta apelonte këtë vendim.

Si ndodhi vrasja në vitin 1999
Gjatë një seance të mëparshme për ekstradimin, prokurori që përfaqësonte Shqipërinë kishte paraqitur edhe detajet e krimit. Sipas tij, më 24 dhjetor 1999, Sopoti ishte larguar nga banesa i armatosur dhe kishte shkuar në kërkim të viktimës. Pasi e gjeti në një lokal, e qëlloi me armë zjarri, duke i shkaktuar plagë që i morën jetën. Hetimet e kohës zbuluan se ngjarja mund të kishte nisur pas një telefonate, gjatë së cilës Sopotit i ishte kërkuar të përballej me persona që, sipas telefonuesit, po e fyenin atë dhe familjen e tij.

Bashkëshortja e tij u kishte deklaruar hetuesve se pas telefonatës ai ishte shqetësuar dukshëm, kishte marrë një mitraloz Scorpion dhe një pistoletë dhe ishte larguar nga shtëpia drejt lokalit ku ndodhi vrasja. Pavarësisht rrëzimit të procedurës së ekstradimit, 60-vjeçari nuk do të lirohet menjëherë. Ai po vuan aktualisht një dënim prej 37 muajsh burgim në Britani, pasi u shpall fajtor për përfshirje në një skemë kontrabande alkooli pa paguar taksat përkatëse. Sipas mediave britanike, ai pritet të qëndrojë në burg deri në shkurt të vitit 2027. Ndërkohë, mbetet e paqartë se çfarë do të ndodhë me statusin e tij të emigracionit pas lirimit nga burgu dhe nëse autoritetet britanike do të ndërmarrin ndonjë procedurë tjetër ndaj tij. Ministria e Brendshme britanike është kontaktuar për një koment lidhur me çështjen.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: