Tre burra janë në gjykatë në Britani me akuza në lidhje me vjedhjen e një tualeti ari, një vepër arti që ishte ekspozuar publikisht në rezidencën ku lindi Winston Churchill.

Tualeti plotësisht funksional, një vepër e artistit italian Maurizio Cattelan, u titullua “America”. Ajo u vodh nga Pallati Blenheim, rezidenca e familjes Churchill në Anglinë jugore, e cila është një atraksion i madh turistik dhe është përfshirë në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Prokurori Julian Christopher tha se në orët e para të 14 shtatorit 2019, pesë burra futën dy automjete të vjedhura në portat e mbyllura prej druri të pallatit. Ata hynë nga një dritare, thyen një derë druri, hoqën tualetin nga muri dhe u larguan.

“Operacioni” zgjati vetëm 5 minuta. Tualeti, i cili peshonte 98 kilogramë, kushtonte 6 milionë dollarë. Prokurorët thonë se ka të ngjarë që ata e prenë atë në copa më të vogla për të shitur arin.

Michael Jones, 39 vjeç, është në gjyq në Gjykatën e Kurorës së Oksfordit me akuzën për vjedhje. Ai është deklaruar i pafajshëm. Fred Dow, 36 vjeç dhe Bora Gatsuk, 40 vjeç, akuzohen për komplot për të transportuar ose fshehur të ardhurat e krimit, përkatësisht arin.

Një i pandehur i katërt, James Sheen, 39 vjeç, tashmë është deklaruar fajtor për vjedhje.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb